Arben Lamçja do të vijojë të qëndrojë në qeli pa afat, pasi Gjykata e Posaçme konfirmoi këtë të hënë masën e sigurisë “Arrest në burg” caktuar në mungesë më herët.

Në një seancë te zhvilluar me dyer të mbyllura, Lamçja nuk foli përballë Gjykatës në lidhje me akuzat e SPAK se është i lidhur me organizatën kriminale të drejtuar nga dy vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.

Prokuroria e Posaçme e cila në fund të Korrikut në një njoftim zyrtar tha se kishte goditur organizatën kriminale të drejtuar nga këta të fundit, nxori urdhër arresti për 50-vjeçarin për sigurim kushtesh për vrasje dhe pastrim parash.

Komunikimet në Sky dhe dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, sipas SPAK tregojnë se Lamçja për llogari të vëllezërve Çopja, ka siguruar kushte për vrasjen e Nuredin Dumanit, tashmë një i penduar i drejtësisë.

Gjithashtu ai dyshohet se ka pastruar para të cilat janë krijuar nga dy vëllezërit si rezultat i trafikut ndërkombëtar të drogës.

Arben Lamçja u arrestua në Kosovë pak ditë pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK dhe u ekstradua të shtunën për tu përballur këtu me drejtësinë.

Tv Klan