Gjykata e Posaçme la në burg, Mendim Domin, të akuzuar si një nga bosët e “Call-centerave” që mashtronin evropianët duke iu zhvatur qindra mijëra euro.
Domi u arrestua pak ditë më parë, nga Policia e Tiranës teksa qëndronte i fshehur në kryeqytet.
30-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
I riu, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë mashtruar shtetas të huaj, duke i bindur që të investojnë në kriptovaluta, shuma të ndryshme parash, të cilat më pas i kanë përvetësuar.
Domi akuzohet se është pjesë e grupit kriminal që përdornin skema mashtrimi me Call Center, dhe u zbuluan në fund të vitit 2022. Dëmi i përllogaritur që këta persona kishin marrë nga shtetas italian shkon deri në 15 milion euro.
30-vjeçari rezulton të jetë pronar i disa kompanive si “Mendim Domi” në fushën e telefonisë, “Mendim Domi” në fushën e ndërtimit, “N.M-09” apo dhe në fushën e tregtisë së mallrave ushqimore.
Klan News