Gjykata e Fierit ka dhënë këtë të mërkurë masën e sigurisë arrest me burg për Fatmir Hoxhaj, i cili akuzohet se mëngjesin e 26 Tetorit ekzekutoi me armë zjarri Ahmet Toskën. 50-vjeçari u vra në sy të bashkëshortes së tij, sapo kishte dalë nga shtëpia. Hoxhaj u arrestua pak ditë më parë, teksa u kthye nga Italia, ku dyshohet se u largua pas krimit.

Para gjykatës i arrestuari nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes duke theksuar se është i pafajshëm dhe se për të s’ka prova. Ai ka theksuar para trupit gjykues se atë mëngjes ai është zgjuar në orën 08:00, teksa vrasja kishte ndodhur rreth 2 orë më parë. Viktima dhe Hoxhaj jetonin në të njëjtën lagje, rreth 3 kilometra larg njëri-tjetrit.

Dyshimet e hetuesve janë se Hoxhaj e vrau Toskën për shkaqe xhelozie. Autoritetet ranë në gjurmët e autorit pas një dëshmie, se ai bashkëjetonte me të njëjtën grua që kishte pasur lidhje më herët edhe Ahmet Toska. Arrestimi erdhi pas zbardhjes së disa përgjimeve dhe provave të tjera të mbledhura. Fatmir Hoxhaj dyshonte se Ahmet Toska vijonte të ngacmonte bashkëjetuesen e tij, ose takohej në fshehtësi me të./tvklan.al