Alimehmeti: Ka përhapje të vogël dhe deri tani asnjë vdekje. Vaksina që shqiptarët kanë bërë ndaj lisë së njeriut ka 85% mbrojtje

Lija e majmunit është një tjetër sëmundje infektive e cila po përhapet në Europë. Për epidemiologun Ilir Alimehmeti qytetarët nuk duhet të hyjnë në panik, ndërkohë që thotë se ky virus përhapet vetëm nga kontakti i ngushtë.

“Është një sëmundje që e njohim prej të paktën 65 vjetësh. Transmetueshmëria është shumë e ulët dhe nuk meriton ndonjë interes të madh komunitar. Jemi popullatë e vaksinuar kundër lisë së njeriut dhe ka një efektivitet prej 85%”.

Simptomat janë pothuajse të njejta me variçelën ose linë e dhenve. Sipas Alimehmetit, për shkak të ngjashmërisë që ka, diferencën e bëjnë vetëm analizat.

“Ajo që bën diferencën është PCR. Dhimbje koke, trupi, skuqje, fryrje të gjëndrave limfatike në qafë dhe disa më vonë shfaqen këto si njolla, që më pas vbëhen flluska e më pas qelbëzohen që bëhen të dukshme”.

E identifikuar fillimisht tek majmunët, kjo sëmundje përhapet në rastet e kontaktit shumë të afërt dhe rrallë herë ka dalë jashtë Afrikës. OBSH ka thënë se rastet e fundit janë të pazakonshme, sepse pothuajse të gjithë individët e prekur nga virusi, nuk kanë pasur histori të udhëtimit në zonat ku lija e majmunëve është endemike,ndaj u bëjnë apel autoriteteve shëndetësore për kujdes të shtuar.

Klan News