Ardita ka ardhur të rrëfejë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare për të rrëfyer historinë e jetës së saj. Ajo ka ardhur në jetë nga dy prindër shurdhmemecë dhe fëmijëria e saj dhe e vëllezërve ka qenë mjaft e vështirë.

Ardita: Kur arrij 7 vjeç duhet të shkoja në shkollë, detyrohen të më çojnë në fshat tek mami dhe babi se unë kisha dhe vëllain. Një vit pas mua ka lindur vëllai por mami ka këmbëngulur që vëllain ta mbante vetë. Gjyshi i mori një fëmijë dhe nuk donte t’i linte thatë fare, kështu që e la vëllain. Më çojnë në fshat në Mesaplik, më kujtohet që nuk kam dashur të rri, trembesha nga shenjat, nga komunikimi. Nuk i kuptoja kur komunikonin. Vëllai po sepse u rritu dhe u mësua me ta, madje filloi të komunikonte me shenja dhe me të tjerët, por fliste edhe me gojë.

Mami më thoshte shko më sillë këtë gjë dhe unë i sillja gjë tjetër, më bërtiste, qaja, doja të ikja. Mami ka një tonacion të lehtë, një psherëtimë, kurse babi fare. Më kujtohet që ajo mërziteshe me mua, i vinte inat që unë nuk mësoja dhe vëllai si gjithmonë me vrap i sillte gjërat që ajo i kërkonte. Kalojnë vitet e para, mësohem me këtë ide që kjo është shtëpia ime edhe pse më merrte malli për gjyshen.  Një jetë pak e trishtë, një fëmijëri ku mungonte fëmijëria, ne duhet të rriteshim para kohe edhe unë edhe vëllai, duhet të kishim ne kujdes për prindërit dhe jo ata për ne.

Babit i lidh gjyshi një Kemp me atë që ne ushqeheshim dhe gjërat më të nevojshme në fshat, sepse pjesën tjetër na i siguronte gjyshja me gjyshin. Në atë shtëpi më mungonte shumë fjala dhe zhurma, sepse kishim shumë qetësi, kishim vetëm televizorin që na tingëllonte, në shtëpinë tonë nuk na vizitonte njeri. Në shkollë thoshin më erdhi tezja, më erdhi daja, xhaxhai, ne nuk i kishim këto. Ne mezi prisnim fundjavën që të vinim tek gjyshja e gjyshi sepse aty kishte zhurmë, qeshej, këndohej, kishte shumë gjëra.

Ardit Gjebrea: Kjo të zemëronte shpesh herë, kujt i shfryheshe?

Ardita: Gjyshes, i thosha pse i martuat, pse që të vuajmë ne? Ajo qante, mërzitej shumë dhe thoshte fati i tyre kështu ishte, por ja jeni juve si drita, do rriteni, do kujdeseni për ta. Isha e vogël dhe nuk e kuptoja.  /tvklan.al