Njohja e Jeruzalemit, si kryeqytet i Izraelit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte shkëndija që ndezi gjakrat në Lindjen e Mesme, ku prej 2 ditësh nuk kanë ta ndalur përplasjet mes palestinezëve dhe forcave të ushtrisë izraelite. Bilanci i viktimave është 4 palestinezë të vrarë në rripin e Gaza-s dhe mbi 750 të plagosur në territoret e Bregut Perëndimor.

Kreu i grupit palestinez Hamas, Ismail Hanie, paralajmëroi se vendimi i Trump sapo hapi portat e ferrit, duke u zotuar se Intifada e shenjtë, zemërata e thirrur nga palestinezët, nuk do të ndalet vetëm me protesta.

Përleshjet në rrugë u pasuan nga lëshimet e raketave palestineze drejt jugut të Izraelit. Nga ana tjetër ushtria izraelite goditi nga ajri bazat ushtarake të Hamasit, duke shkaktuar dhjetëra të lënduar.

Protesta përpara përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara ka patur në shumë qytete të mëdha të botës islame, por edhe në Perëndim. Qindra myslimanë u mblodhën të protestonin përpara ambasadës izraelitë në Londër.

Donald Trump bëri thirrje për qetësi, ndonëse kjo duket e vështirë në këtë pikë. Një reagim të fortë e kanë cilësuar mediat amerikane edhe qëndrimin e ish-presidentit amerikane Barak Obama. Pa përmendur drejtpërdrejtë Trump-in, Obama tha në një konferencë se populli duhet të reagojë e të votojë në demokraci, pasi heshtja në të kaluarën i ka hapur rrugë kaosit, si në rastin e nazistëve.

Në këshillin e Sigurisë në OKB, Franca Britania e Madhe Italia e Suedia firmosën një deklaratë të përbashkët kundër vendimit të presidentit Trump.

Tv Klan