Të paktën 12 vetë u plagosën kur një avion i kompanisë Qatar Airways që fluturonte nga Doha në Dublin të dielën u godit nga turbulencat. Sipas autoriteteve të aeroportit, tetë nga të plagosurit janë shtruar në spital.

Aeroporti i Dublinit tha në një deklaratë se pas uljes së avionit Boeing 787 Dreamliner, u dislokuan menjëherë shërbimet e urgjencës, duke përfshirë policinë e aeroportit dhe departamentin e zjarrfikësve dhe shpëtimit, “për shkak të gjashtë pasagjerëve dhe gjashtë anëtarëve të ekuipazhit që u raportuan me lëndime pasi avioni u goditi nga turbulencat gjatë fluturimit mbi Turqi”.

Qatar Airways tha në një deklaratë se “një numër i vogël pasagjerësh dhe ekuipazhi pësuan lëndime të lehta gjatë fluturimit dhe tani po marrin kujdes mjekësor“. Kompania shtoi se “çështja tani është subjekt i një hetimi të brendshëm”.

Incidenti vjen pesë ditë pasi një shtetas britanik vdiq nga një sulm në zemër dhe dhjetëra vetë u plagosën kur një avion i Singapore Airlines u godit nga turbulenca të rënda.

Ndërsa vdekjet e lidhura me turbulencat janë të rralla, lëndimet janë shtuar gjatë viteve. Ndonëse avionët boing kanë të instaluar teknologji të përparuar kundër turbulencave, brenda një jave janë regjistruar dy incidente me pasoja të rënda.

Disa meteorologë dhe analistë të aviacionit vënë në se turbulencat janë rritur nga ndikimi i mundshëm i ndryshimit klimatik.

Klan News