Leyen: Evropa ka gjithçka që i duhet për t’u çliruar nga Rusia

Greqia dhe Bullgaria kanë lëshuar sot në përdorim interkonektorin e përbashkët, i cili u cilësua si një projekt që do ta ndryshojë hartën energjetike të Evropës, duke rritur sigurinë energjetike dhe duke mundësuar diversifikim të burimeve të furnizimit me gaz në rajon.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e ka quajtur këtë projekt “epokë të re për Bullgarinë”, pasi ky vend, para luftës, 80% të gazit e merrte nga Rusia.

“Evropa mund të çlirohet nga varësia energjetike ruse dhe së bashku do të bëjmë union të fuqishëm energjetik. Shantazhi energjetik rus duhet të ndalet. Ky projekt nënkupton çlirim nga varësia nga gazi rus”, tha Von der Leyen.

Presidenti bullgar, Rumen Radev tha se, ky rrjet i gazit është mundësi jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për Rumaninë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe shumë vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Juglindore..

“Për këtë, interkonjeksioni mes Bullgarisë dhe Greqisë nuk është vetëm projekt infrastrukturor, por simbol i potencialit të rritur të rajonit tonë”, u shpreh Radev.

Ndërkohë, kryeministri grek, Kirjakos Mitsotakis tha se, ky gazpërçues ndërlidh vende evropian që ndajnë vlera të njëjta dhe solidaritet dhe theksoi rëndësinë e një strategjie të përbashkët evropiane për tejkalim të krizës.

“Sikurse për pandeminë, do të duhet të zbatojmë strategji të përbashkët për ballafaqim me krizën që ta eliminojmë fragmentimin, që të jemi të sigurt se e vendosim solidaritetin evropian mbi të gjitha, mbi interesat nacionale”, u shpreh Mitsotakis.

Interkonktektori i gazit mes Greqisë dhe Bullgarisë është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, pasi i mundëson qasje edhe në depot për gaz natyror në Bullgari, përmes të cilit mund të furnizojmë gaz natyror likuid nga terminale në qytetin grek Aleksandropolis, ndërsa gjatë verës kur është më lirë ta ruajmë në Bullgari, me mundësi ta shfrytëzojmë në dimër kur është më se i nevojshëm.

Tv Klan