Linjat direkte të fluturimit rikthejnë turistët rusë


Linjat direkte të fluturimit rikthejnë turistët rusë

19:25 31/07/2021

Ture vizitorësh në Tiranë dhe rivierën e Jugut

Ky është grupi i parë i turistëve që ka mbërritur në Tiranë nga qyteti Ekaterinburg i Rusisë. Me vendosjen e fluturimeve direkte mes 2 qyteteve gjithçka ju mbeti ishte përzgjedhje e një turi nëpër Shqipëri. Ndalesa e parë në kryeqytetin shqiptar nisi me vizitën e monumenteve historike.

“Tani është një mundësi e mirë që mund të fluturojmë nga qyteti ynë drejt Tiranës me linjë direkte. Sot kam ditëlindjen dhe jam e lumtur që e festoj këtu me grupin. E ndjej, do të jetë një jave fantastike në Shqipëri”. 

Ekaterina Maklakova, drejtuese e një Agjencie Turistike në Rusi, na flet më shumë mbi arsyet e përzgjedhjes se Shqipërisë si një destinacion.

“Për shkak të masave lehtësuese, Shqipëria është një mundësi e artë për t’i sjellë turistët tanë. Ky është grupi i parë që mbërrin me linjën direkte. Turi përfshin vizitën në kryeqytet, në qytete të tjera historike dhe padyshim zonën bregdetare. Do të vizitojmë edhe Ksamilin, Maldivet shqiptare.”

Grupe turistesh nga vende të ndryshme të Europës e kanë përqafuar sërish vendin tonë. Kjo rritje behet e ditur edhe nga Instituti i Statistikave. Vetëm në muajin qeshor janë mbi 600 000 shtetas të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, 3.4 herë më shumë se një vit më parë. Një numër në rritje kanë shënuar qytetarët nga Zvicra dhe Polonia.

Tv Klan







Të ngjashme