Nga 50 subjekte, vetëm 2 kanë certifikuar rojet

Piku i sezonit turistik e gjen Liqenin e Pogradecit pa kushtet minimale të sigurisë. Në të gjithë gjatësinë e bregut te liqenit, konstatohet mungesa e rojeve.

Edhe ato pak kulla vrojtimi të ngritura vite më parë janë bosh, duke rritur pasigurinë tek pushuesit.

Askush nuk garanton shpëtimin e jetës së tyre në rast mbytje. Të lahesh në liqen mund të rezultojë fatale për gjithkënd, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.

Teksa apelojnë bashkinë dhe strukturat e tjera shtetërore për të zgjidhur problematikën, vizitorët thonë se siguria është arsye për t’iu dhënë fund pushimeve para kohe.

Nga 50 subjekte që kanë kontratë me bashkinë për shfrytëzimin e bregut të liqenit, 3 prej tyre kanë ngritur kulla vrojtimi dhe vetëm 2 subjekte kanë certifikuar rojet e sigurisë konform ligjit.

Vetëm disa ditë më parë, Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari paralajmëroi ashpërsim të masave ndaj bizneseve që shfrytëzojnë plazhin dhe nuk vendosin roje.

Tv Klan