Liri Belishova intervistë për komunizmin dhe eliminimin e kundërshtarëve të regjimit (Video Arkiv) – TV KLAN

Liri Belishova intervistë për komunizmin dhe eliminimin e kundërshtarëve të regjimit (Video Arkiv)

Liri Belishova, një nga protagonistet e lëvizjes komuniste në Shqipëri në vitet 1940-1960, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” më datë 12 Maj 2004. Ish-anëtarja e Byrosë Politike e larguar nga të gjitha funksionet më 1961, ka filluar të angazhohet në Partinë Komuniste që gjatë luftës dhe ngjiti “shkallët e karrierës” duke u bërë një nga gratë më të njohura në Shqipërinë komuniste. Pas dënimit në vitin 1960, ajo kaloi një jetë mjaft të vështirë deri në vitin 1990 kur u lirua nga internimi. Ajo ka kaluar situata të ndryshme dhe kontradiktore jetësore, dhe përballë gazetarit Blendi Fevziu analizoi angazhimet duke filluar nga raportet me komunizmin, me pushtetin dhe humbjen e tij.

“Unë jam rezervuar shumë në prononcimet e mia sepse është me përgjegjësi të flasësh për kujtimet historike. Evoluimi i mendimit tim ishte dhe është në proces. Doja të isha e sigurt dhe dua të jem e sigurt për pikëpamjet e mia. Jeta është shumë e ngarkuar, lufta merr fund, ne dënimi na u hoq, por konsekuencat vazhdojnë. Unë vetëm dy vjet përpara kam mundur të rregulloj strehimin tim. Ndoshta duket pak e çuditshme, por unë e kam quajtur veten komuniste që 11 vjeç. Një kushëriri im që studionte në “Normalen e Elbasanit” dhe që më vonë u pushkatua nga ne komunistët si komandant Balli, Besim Belishova, më dha librin “Nëna” që ta lexoja. Ky libër më bëri shumë përshtypje duke lidhur me realitetin e asaj kohe që kishte shumë mjerim dhe duke u inspiruar mendoja që kjo botë duhej të ndryshonte. Të edukuar nga familja dhe mësues patriotë donim të luftonim. Dhe thirrjet për të luftuar kundër fashizmit na e bënë grupet komuniste. Këto më lidhën mua me idetë komuniste, duke menduar që këto do ta shpëtonin Shqipërinë nga varfëria dhe do ta qytetëronin.

Më 1940 kam hyrë në Partinë Komuniste, ka qenë Liri Gega që më jepte “Gjuhë-Letërsi” ajo që më futi në një grup edukativ komunist. Pas nënshkrimit të traktatit të fshehtë mes Stalinit dhe Hitlerit, komunistët e ndalën luftën kundër fashizmit dhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore që nisi në Poloni e quajtën luftë mes imperialistëve, por ajo luftë ishte e drejtë dhe me qëllime demokratike në idealin e saj. Por ne ishim të rinj dhe nuk e kuptonim këtë gjë atëherë. Unë kam jetuar në Tiranë dhe jam angazhuar në të gjitha demonstratat. Kam qenë anëtare e komisionit të agjipropit, ku ka qenë edhe Nexhmie Hoxha. Kam bashkëpunuar me Kushtrimin e Lirisë dhe u bëra anëtare e udhëheqjes së rinisë komuniste. Më pas u bëra sekretare politike e komitetit dhe më vonë anëtare e komitetit të BRASH për gjithë Shqipërinë dhe në Nëntor të 1944 kandidate e Komitetit Qëndror të Partisë. E mendoja që ishte përgjegjësi për moshën time, isha vetëm 18 vjeç, shumë e re. Por lufta na poqi para kohe dhe unë tregova shumë entuziazëm. Ata që kanë folur mirë për mua kanë qenë Liri Gega, Nexhmie Hoxha dhe Nako Spiro kur u njoha me të. Nakon e kam njohur në fillim të ’42-it në një mbledhje me përgjegjësit e Partisë Komuniste. Më bëri përshtypje të jashtëzakonshme, ishte shumë inteligjent dhe kam bashkëpunuar me të. Jam martuar me të në Janar të ’46-ës dhe kam bashkëjetuar me të deri në ditën tragjike të Nëntorit të ’47-ës. Nuk mbushëm as dy vite bashkë. Kjo na privoi edhe nga mundësia për të pasur një fëmijë që të ishte kujtimi i tij.

Prishja e konferencës së Mukjes ishte një faj i madh i Enver Hoxhës, i cili e ka bërë nën ndikimin e Miladin Popoviçit. Prishja ishte katastrofale. Eleminimi i kundërshtarëve të komunizmit ka filluar që gjatë luftës. Në mbledhjen e Pleniumit të Beratit ka shumë fakte të tilla si vrasja e Anastas Lulos, Mynyr Xhindit, Mustafa Gjinishit për të cilin di që ishte antifashist, shumë i zoti, por ishte edhe komunist. Për vrasjen e tij Enver Hoxha është justifikuar duke thënë se ishte i anglezëve. Enver Hoxha diti të fitojë besimin e Miladin Popoviçit që nga Konferenca e Labinotit. Enver Hoxha jo vetëm që nuk ishte udhëheqës i fuqishëm dhe strateg gjenial i luftës, por edhe funksionet e tij i ka kryer shumë dobët. Ai nuk ka luajtur asnjë rol në udhëheqjen e Luftës Nacionalçlirimtare. Mendimi i Nako Spiros për Enver Hoxhën me dy fjali, ka qenë që ai nuk i do, por i shtyp të tjerët. Nako e ka kritikuar hapur Enver Hoxhën. Nako Spiro edhe mund ta ketë vrarë veten, por unë jam me përcaktimin që në këtë botë nuk ka vetëvrasje, por vetëm vrasje. Kur njeriun e vë në kushte që nuk ka rrugëdalje ai detyrohet të vrasë veten, ky është një krim më i shëmtuar se sa të të vrasin. Unë e kam menduar vetëvrasjen, por nuk e kam bërë dot. Kam qenë në kushte ku ishte më e lehtë të vdisje se sa të rroje, por nuk e kam pasur atë aftësi që të vras veten. Unë kam vetëm një dyshim. Pasi mora vesh lajmin për vdekjen e Nakos shkova direkt në spital, por nuk më lanë të hyja”, tha Belishova.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
1 Koment
  • firework mod site youtube.com
    23 Maj 2019 at 17:16
    Përgjigju

    Nice blog here! Also your web site loads up very fast! What web host
    are you using? Can I get your affiliate link to your
    host? I wish my web site loaded up as quickly as yours lol

  • Përgjigju

    *

    *





    Emisione