Gazetari Armand Shkullaku ishte i pranishëm në tryezën që opozita zhvilloi për lirinë e medias kundër paketës anti-shpifje. Si kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionisë, Shkullaku tha se së bashku me kolegët ka kohë që përpiqen që të frenojnë atë që e quajti si një “hap të rëndë të pushtetit”. Gazetari e konsideroi ligjin si të rëndë dhe bëhet për të mbrojtur një grup njerëzish.

“Ligji është diçka shumë e rëndë. Nuk jemi për t’i bërë gjyqin një personazhi si Edi Rama që tani prodhon edhe filma siç e kishte bërë sot me dy fëmijë, me një aktor, Rakip Suli ishte dhe ai. Edhe ai nja dy policë. Edhe ju kur keni qenë në pushtet si keni bërë me ligj, keni bërë me komisione hetimore, keni pasur media afër, media larg, media që i sulmonit, media që i donit. Kjo duhet të fillojë me një pranim me një mea cula që PD të pranojë atë që ka ndodhur. Në radhë të dytë duhet të ndodhë me atë që premtimi i anulimit te ligjit duhet të kthehet në akt. Ky ligj special bëhet për të mbrojtur një grup njerëzish që edhe skandalet, si ato që nxorrën mediat si Unaza të mos dalin në sipërfaqe. Nëse nuk do ekzistonin disa media që veprojnë si qeliza të lira, asgjë nuk do merrej vesh nga media tradicionale”, tha Shkullaku.

Së dyti, Shkullaku tha se qeveria ka dëshirë që të komunikojë drejtpërdrejtë me njerëzit që të përcjellë në këtë mënyrë propagandën. Shqetësuese sipas tij është edhe fakti që gazetarët nuk lejohen të marrin pjesë në aktivitet e kryeministrisë dhe bashkisë.

“E dyta është dëshira që ka kjo qeveri për të komunikuar drejtpërdrejtë me njerëzit. Pra propaganda të shkojë drejtpërdrejtë si shpëlarje truri dhe media të mos jetë ndërmjetës që të verifikojë, saktësojë dhe t’ia përcjellë njerëzve. ERTV është më keq se Zëri i Popullit e cila vjen drejtpërdrejt në kokën e shqiptarëve. E dyta janë kasetat e gatshme që kanë krijuar zyrat e shtypit të qeverisë, kryetarit të bashkisë. Ne nuk lejohemi të marrim pjesë ne aktivitetet e kryeministrisë, bashkisë dhe tani kane filluar edhe ministrat. Ju keni mundësinë të na tregoni se informimi është i lirë dhe të gjithë të kenë të drejte të informohen. Sjellja juaj ndryshe është një mundësi që demokracia funksionon”, tha Shkullaku. /tvklan.al