Raporti i fundit i organizatës “Reporterët pa kufij” vlerëson se vendi ynë ka humbur 7 vende duke e krahasuar me 2018-n. Një vit më parë, Shqipëria renditej e 75 nga 180 vende, ndërsa në raportin e këtij viti mban vendin e 82-të. Në të thuhet se vetëcensura është gjerësisht e përhapur dhe se 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale. E para që reagoi për raportin ishte Partia Demokratike me anë të ish-deputetes Albana Vokshi që bëri fajtor Kryeministrin Rama për situatën e medias në vend.

“Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në vitin 2018”. Në publikimin e sotëm të Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, Shqipëria ka zbritur 7 vende, duke parë si përgjegjës kryesor Kryeministrin Edi Rama. Ai ka vën nën kontroll shumicën prej tyre, nëpërmjet lidhjeve me pronarët oligarkë, tenderave, koncesioneve, PPP-ve apo licencave korruptive, siç evidentohet në raport. Reporterët pa Kufij shprehin shqetësimin se për “kapjen e mediave dhe përqëndrimin e tyre në duart e një grushti biznemenësh të mëdhenj”.

Akuzave të opozitës iu përgjigj vetë Rama, që në Twitter shkroi se kjo qeveri nuk shantazhon media.

“Një pasqyrë kujtese “virgjëreshave” që vrisnin qytetarë, rrihnin e plagosnin gazetarë dhe sot bëjnë moral! Ka ende shumë për të bërë për lirinë e medias dhe ndarjen e lumit të informacionit nga llumi i kazanit po ashtu. Por me këtë qeveri s’ka media të shantazhuar e liri të mohuar.”

Për raportin e “Reporterëve pa kufij” reagoi dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që e cilësoi një këmbanë alarmi që duhet t’i zgjojë të gjithë.

Tv Klan