Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Raporti analizon në kapituj të veçantë edhe lirinë e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me ato të përmbledhura në raportet e mëhershme.

Shqipëria

Raporti sërish nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria, thuhet në raport, legalizoi 105 ndërtesa, pronë e grupeve fetare gjatë vitit 2018, ndërsa është në shqyrtim statusi i 68 pronave të tjera. Në përgjigje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese se disa dispozita të Ligjit për Pronat të vitit 2015 ishin kundër kushtetues, Këshilli i Ministrave nxori dy vendime për t’i dhënë fund ngërçit në shqyrtimin e kërkesave.

Agjencia e Trajtimit te Pronave (ATP) njoftoi se hodhi poshtë 17 kërkesa për titullarë pronash, gjë që u dha mundësi paraqitësve të kërkesave t’i dërgojnë lëndët në gjykatë. Drejtuesit e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH) kanë vazhduar të ankohen lidhur me sigurimin e truallit për ngritjen e faltoreve dhe probleme me tarifat e qeverive komunale.

Bektashinjtë dhe Komuniteti Islamik i Shqipërisë, raportuan vështirësi në përcaktimin e titullarëve në prona të caktuara. Kisha Ortodokse u ankua për probleme në sigurimin e pronësisë mbi kishat e manastiret që nga qeveria konsiderohen si trashëgimi kulturore.

Deri në fund të vitit, Këshilli i Ministrave, nuk kishte miratuar rregulloret që do të mbështesnin zbatimin e një ligji të vitit 2017 mbi të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, duke përfshirë lirinë fetare.

Këshilli Ndërfetar, një forum i udhëheqësve të bashkësive fetare, u mblodh për herë të parë në muajin tetor dhe votoi për anëtarësimin e VUSH-it në këtë forum. Komuniteti Islamik tha se qeveria polake i ndau një çmim këtij Këshilli për përpjekjet e tij për nxitur dhe ruajtur harmoninë fetare në Shqipëri. Veçmas, disa autoritete fetare shprehën shqetësim rreth ndikimit të huaj dhe ndërhyrjes në organizatat fetare shqiptare.

Zyrtarët e ambasadës amerikane u kërkuan sërish zyrtarëve qeveritarë që të përshpejtojnë procesin e shqyrtimit të kërkesave për pronat dhe t’u kthejnë grupeve fetare ndërtesat dhe pronat tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste.

Raporti vë re se ambasada amerikane ka ofruar edhe mbështetje teknike në hartimin e manualit për mësuesit për të mësuar për besimin në shkollat publike dhe private si dhe në programet për nxitjen e respektimit për llojllojshmërinë fetare. Programe tjera të ambasadës janë përqendruar në forcimin e rolit të gruas

Në komunitetet fetare dhe pajtueshmërinë e besimit fetar dhe demokracisë. Ambasada gjithashtu vazhdoi punën e saj me komunitetet fetare për të dekurajuar nxitjet drejt ekstremizmit të dhunshëm në lidhje me fenë midis të rinjve.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët sunni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.

Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare.

Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhore

Komunitetet katolike, islame dhe ortodokse thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj sikurse edhe në vitet paraprake. Udhëheqësit e pesë bashkësive kryesore thanë se paguajnë çmime më të ulta për energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Qeveria ka vazhduar procesin e legalizimit të xhamive jozyrtare, kishave katolike e ortodokse dhe teqeve te bektashinjve të ndërtuara gjatë viteve të 90-ta. Agjencia e legalizimeve tha se nga vitit 2014 deri në shtator të vitit 2018 janë legalizuar 330 ndërtesa fetare, përfshirë 104 kisha katolike, 153 xhami, dhe 47 teqe. Kisha Ortodokse tha se agjencia legalizoi vetëm 4 nga 23 kërkesa të saj.

Komisioni Shtetëror për Regjistrimin organizatave fetare, numëroi 611 grupe, duke përfshirë 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet.

Në muajin prill, kryeministri Edi Rama, paralajmëroi në një fjalim se Rusia synon të radikalizojë myslimanët në vend dhe i beri thirrje Bashkimit Evropian që të mos “lërë boshllëk për t’u plotësuar nga vendet e tjera”. Ai kritikoi politikanët evropianë për nxitje të ndjenjave anti-myslimane./VOA