Forcat libaneze e nxorrën nga kampi, në kufi u përcoll nga ato shqiptare

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë detaje lidhur operacionit të lirimit të 11-vjeçarit Alvin Berisha nga kampi Al-Hol në Siri, gjatë një lidhje direkte nga Bejruti për Televizionin Klan.

Kreu i Punëve të Brendshme sqaron se çdo gjë ka nisur pas publikimit të rastit në media, e nga ku kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me atë italian Giuseppe Conte për të bërë të mundur kthimin pranë familjes së Alvinit. Palë të tjera që kanë ndihmuar janë edhe zyrtarët e Libanit, konsulli ynë i nderit aty, Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe.

Alvin Berisha është nxjerrë nga kampi me ndihmën e forcave libaneze, e ndërsa në dalje të kufirit të Sirisë ai është marrë aty nga forcat speciale shqiptare të mbështetura nga ato libaneze, ndërsa është dërguar në ambasadën italiane në Bejrut për t’u pajisur me vizë e për të udhëtuar drejt familjes.

Ministri Sandër Lleshaj thotë se qëllimi i udhëtimit të tij drejt Sirisë nuk ka qenë vetëm për rastin e Alvinit, por edhe të shqiptarëve të tjerë që ndodhen në kampet e këtij shteti të burgosur si luftëtarë të ISIS.

Për qeverinë shqiptare situata politike ka ndryshuar shumë gjatë muajit të fundit, duke i rrëzuar planin operacional që kishin para një muaji për të tërhequr shqiptarët që ndodhen në këto kampe. Prioritet janë fëmijët, të cilët nuk konsiderohen të rrezikshëm për çështje të terrorizmit.

Tv Klan