Do qëndrojnë të pezulluar dhe do hetohen në gjendje të lirë

Gjykata e Tiranës liroi nga qelia mjekun Nazmi Metaliu dhe teknikun e pavionit të imazherisë në QSUT Astrit Mansaku, por duke caktuar ndaj tyre masën e pezullimit nga detyra.

Ata akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për korrupsion dhe shpërdorim detyre dhe në seancën e zhvilluar këtë të shtunë, prokurori Bledar Valikaj, kërkoi që të qëndronin në  masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Megjithatë kërkesa e akuzës u rrëzua nga gjykata dhe dy punonjësit do të hetohen në gjendje të lirë. Prokuroria thotë se hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga një qytetar që pretendonte se në vendin e tij kundrejt parave ishte futur një tjetër person për të kryer skaner.

Më pas janë zhvilluar disa veprime stimuluese me kërkesë të prokurorisë dhe në datat 27 Janar dhe 2 Shkurt janë dokumentuar dy raste të tjera kur persona pa asnjë dokumentacion dhe jashtë radhe dhe kundrejt ryshfetit prej 6 mijë lekë, kanë kryer skaner.

Prokuroria solli para Gjykatës edhe një përgjim ambiental në Drejtorinë e Policisë, ku mjeku dhe tekniku i imazherisë flisnin për një rast korrupsion që dyshonin se ishte bërë shkak për ndalimin e tyre.

Tv Klan