Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 4 personat e arrestuar pas protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës, mesditën e 19 Prillit.
Gjykata caktoi ndaj tyre masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ si dhe ndalim të qëndrimit në vende ku protestohet. Ky vendim është cilësuar i papracedent nga demokratët, të cilët akuzuan drejtësinë se është nën urdhërat e kryeministrit Rama.
Flamur Noka, deputet i PD: Në shtetin e Edi Ramës të protestosh kundra hajdutëve që vjedhin je i paligjshëm. Të vjedhësh taksat e shqiptarëve ke bekim edhe të policisë, edhe të prokurorisë edhe bekimin e institucioneve të shtetit. Çfarë tregon inkuizicion politik? Tregon kjo masë që kurrë nuk ishte dëgjuar në 33 vite. Drejtësia e re për të mbrojtur hajdutërinë e pushtetit shpiku një masë që përpos ‘detyrimit të paraqitjes’ nuk lejoheni të dilni në vende publike.
Akuzat e referuara nga policia për 4 protestuesit ishin për prishje të qetësisë publike dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Në protestën e fundit të opozitës para Bashkisë u hodhën molotov dhe flakadanë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Disa orë pas mbylljes së protestës, reaguan njëzëri selitë diplomatike në Tiranë që dënuan dhunën e ushtruar.
Klan News