Gjykata i ka ndryshuar masën e sigurisë Adiola Lakrës

Pas gati një viti në qeli gjykata ka vendosur që të lirojë nga qelia 26-vjeçaren Adiola Lakra e cila dyshohet si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës. Ngjarja ndodhi më 11 Qershor të vitit të shkuar pranë një qendre tregtare në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.

Togat e zeza zëvendësuan masën “arrest në burg” në atë të “detyrimit paraqitje”. Kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë është bërë nga 26-vjeçarja, me argumentin se nuk ka rrezik për të prishur provat të cilat janë mbledhur tani nga Prokuroria.

Në deklarimet e dhëna para hetuesve, Adiola Lakra ishte shprehur se ka pasur një marrëdhënie intime me 40-vjeçarin Billa. Po ashtu ajo ka rrëfyer se natën e ngjarjes kishte për t’u takuar me Hekuran Billën në zonën e Komunës së Parisit, por që ky takim nuk u realizua pasi ai u ekzekutua me disa plumba.

Prokuroria ka dyshime se e reja ka bashkëpunuar me ish të dashurin e saj Sebastian Mali, për t’i treguar këtij të fundit lëvizjet që do të bënte Billa. 26-vjeçarja ka treguar në atë kohë se ishte pikërisht 24-vjeçari që e kishte shtyre që të filiste me Billën.

Lakra ka mohuar që të kishte dijeni se Mali do ta vriste 40-vjeçarin. Për këtë ngjarje në pranga ka rënë Viktor Marku dhe nipi i tij Sebastian Mali. Kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje.

Tv Klan