Ishte shpallur në kërkim për evazion fiskal

Paulin Gega, administrator i kompanisë së hidrokarbureve “Gega Oil” i shpallur në kërkim me urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Tiranës për evazion fiskal dhe fshehje e të ardhurave, është liruar nga Gjykata e Tiranës.

Me kërkesë të prokurorisë, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje, kundrejt garancisë pasurore. Vendimi për Gegën është marrë pasditen e së enjtes. Paulin Gega është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës të mërkurën pasi u kthye nga jashtë vendit. 

Sipas njoftimit të policisë më 10 Gusht, ai kishte dalë nga Shqipëria një ditë para lëshimit të urdhër-ndalimit të Prokurorisë së Tiranës. Por Gega, ditën që u shpall në kërkim reagoi për mediat duke sqaruar se nuk ishte arratisur, por ishte me pushime me familjen në Greqi, pas një prenotimi të kryer kohë më parë.

Ai mohoi akuzat për evazion, fshehje të të ardhurave apo pastrim parash duke sqaruar se do të ishte në dispozicion të autoriteteve. Në gjykatë dhe prokurori, ai ka mohuar akuzat duke argumetuar se çdo veprim i kompanisë së tij është ligjor.

Pas kontrolleve të ushtruara në pikat e shitjes së karburanteve të kësaj kompania, është konstatuar se pompat funksiononin me regjimin manual.

Tv Klan