Gjykata: Ish-numri një i Bashkisë së Vorës, me probleme shëndetësore

Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku është lënë i lirë nga gjykata. Kajmaku u arrestua dy ditë më parë në spitalin Continental pasi vuante nga probleme shëndetësore.

Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për ish-numrin një të Bashkisë së Vorës, nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Sipas togave të zeza, Kajmaku vuan nga probleme shëndetësore, por edhe për shkak se hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe çështja ndodhet në fazë gjykimi.

Që prej Nëntorit të kaluar, Agim Kajmaku i është fshehur drejtësisë. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Kajmakun pasi akuzohet për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati. 49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste.

Dy javë pasi ishte betuar si kryebashkiak, Partia Demokratike denoncoi Agim Kajmakun se kishte mashtruar me formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por 49-vjeçari pikërisht në atë ditë shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata.

Tv Klan