Gjykata e Posaçme e Apelit lë në qeli 10 të arrestuarit për ryshfet dhe korrupsion

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lirojë nga burgu mjekun kardiokirurg Edvin Prifti i cili u arrestua gjatë operacionit për ndalimin e disa zyrtarëve të gjykatës së Krujës, mes tyre dhe gjyqtaren Enkeleida Hoxha. Mjeku Prifti akuzohej për korrupsion dhe pastrim parash, pasi në banesën e tij dhe në zyrë iu gjetën më shumë se 350 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme në seancën e kësaj të marte depozitoi prova të reja. Këto prova kanë të bëjnë me një zarf që është gjetur në banesën e tij me emrin e një personi, i cili dyshohet se i ka dhënë para mjekut. Prokuroria ka këqyrur dhe celularin e mjekut, ku ka konstatuar dhe bisedat me këtë person, i cili gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se i ka dhënë ryshfet mjekut për të kryer një operacion.

Më pas sipas Prokurorisë qytetari ka kryer denoncim në SPAK, por këto pretendime nuk u morën në konsideratë nga Gjykata. Sipas Prokurorisë gjithashtu një tjetër provë ishte dhe një numër NIPTI, i regjistruar në emër të mjekut Prifti, i cili ofronte konsulencë mjekësore kundrejt pagesës. Nëpërmjet këtij biznesi, SPAK ka ngritur dyshime se ai ligjëronte paratë, por apeli i GJKKO-së rrëzoi pretendimet e Prokurorisë. Ndaj mjekut e vetmja masë që vijon të jetë në fuqi, është ajo e pezullimit nga detyra.

Ndryshe nga vendimi për mjekun Prifti, gjykata la të pa ndryshuar vendimin për Gjyqtaren Enkeleida Hoxha, sekretaren e Gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi, avokatin Aldo Tabaku dhe 7 të arrestuarit e tjerë për korrupsion dhe ryshfet në radhët e sistemit të drejtësisë.

Avokati i gjyqtares ka kërkuar që të ndryshohet masa e sigurisë ajo e arrestit me burg, me arsyetimin se ajo është nënë e dy fëmijëve, njëri prej tyre me probleme shëndetësore, dhe babain e moshuar, të cilëve ajo duhet tu shërbejë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata vendosi të lërë në fuqi edhe për të paktën 2 muaj vendimin për gjyqtaren Hoxha dhe të ndaluarit e tjerë.  

Klan News