Lideri opozitar rus Alexei Navalny është liruar të dielën pas 20 ditëve burg, ku po mbahej nën akuzat për organizimin e protestave ilegale muajin e kaluar.

Navalny ishte në burg që nga 24 Shtatori kur përfundoi ndalimin e parë 30 ditor nga autoritetet, për planifikimin e një proteste në Janar.

Navalny 42 vjeç, prej kohësh është fytyra më e shquar e opozitës ruse ndaj Presidentit Vladimir Putin.

Ai ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit në Rusi, një reformë kjo e papëlqyeshme që ka rritur pakënaqësitë me autoritetet.

Navalny e ka cilësuar partinë e Putinit si vend të “mashtruesve dhe vjedhësve”, e ka akuzuar sistemin e Presidentit për “thithjen e gjakut nga Rusia” dhe është zotuar për shkatërrimin e “shtetit feudal” që po ndërtohet. /REL