Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha ka lënë qelinë e burgut. Ai ishte një prej 9 të dënuarve të dosjes “Xibraka” dhe i kishin mbetur edhe 1 vit e 8 muaj burg, por përfitoi nga lirimi me kusht.

Hoxha ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burg. Ai e la qelinë e burgut të Fierit në 13 Shtator, por lajmi i lirimit të tij është bërë i ditur vetëm mbrëmjen e së hënës.

Ermal Hoxha, sëbashku me të pandehurit e tjerë u dënuan në total me 104 vite burg në Nëntor të 2017-s, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike.

Hetimi për ta nisi në 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas një informacioni të mbërritur nga Gjermania. Sipas hetimit, 9 të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike.

Ata kishin importuar nga Kolumbia për në Shqipëri një sasi lënde, në përmbajtje të së cilës ishte e fshehur kokaina. Për përpunimin e saj, ata kishin ngritur edhe një laborator në Xibrakë të Elbasanit.

/tvklan.al