Vladimir Gjuta, i akuzuari kryesor për hedhjen në erë të farmacisë së babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, është liruar nga burgu. Ai ka lënë qelinë e burgut të Elbasanit, 10 muaj pasi u arrestua nga forcat RENEA në hyrje të tunelit të Kalimashit.

Ai kërkohej edhe për kërcënimin me anë të një mesazhi ndaj Ministrit të Brendshëm.

Vladimir Gjuta u ndalua më 18 Qershor në një Opel me targa të Kosovës, që drejtohej nga Blerim Thaçi, nga Prizreni. 35 – vjeçari mbante një paruke.

6 persona të tjerë u ndaluan gjithashtu për vendosjen e tritolit tek farmacia e Bashkim Tahirit.

Ernest Gjuta, Lumjan Matmuja, Baftjar Bruka, Kamber Bruka, Erjon Dule dhe Emirjon Gjuta u akuzuan për vepra me qëllime terroriste, krimim të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Por pasi disa muajsh hetime, Gjykata e Krimeve të Rënda i la të lirë, pasi nuk gjeti prova për implikimin e tyre.

Prokuroria tha se në hetime u përshinë edhe partnerë ndërkombëtarë, por në përfundim të tyre nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte, që të provonin se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorët e shpërthimit me tritol dhe vendosjes së eksplozivit pranë shtëpisë së Bashkim Tahirit.

Vladimir Gjuta u la i lirë pasi vuajti dënimin me 7 muaj e 20 ditë për kanosje të gjyqtarit, vendim që ka hyrë në fuqi më 20 Nëntor të vitit të kaluar.

Tv Klan