Ambasadorët e huaj kanë bërë thirrje shpesh sidomos tashmë që jemi në prag të zgjedhjeve që liderët e partive politike të zgjedhin kandidatë të pastër pasi janë përgjegjës për këtë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se detyrën e tij e di shumë mirë dhe nuk ka nevojë për ambasadorët që t’ia kujtojnë.

“Unë këtë ambasadorin britanik nuk e kuptoj fare se pse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Kam shumë respekt për të dhe realisht është një person që meriton respekt, por nuk e kuptoj se pse është kaq i përfshirë në këto bisedat e brendshme të Shqipërisë kur vjen puna te zgjedhjet. Po ja them publikisht këtë se ia kam thënë edhe personalisht. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes, unë nuk kam nevojë që të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Natyrisht ajo është në të drejtën e vet të thotë atë që mendon, por kjo përgjigje nuk është për të, por për ju. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu, ka thënë ashtu. Nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë janë të respektuar, nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinatorë në PE, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. E di mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar”.

Sa i përket kandidatëve, Rama tha se gjithsecili ka përgjegjësi individuale para drejtësisë dhe se partitë politike nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se të kontrollojnë dokumentet që ata dorëzojnë.

“Ligji është i qartë, kush ka bërë në të shkuarën 1,2,3 5, 7 vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për funksion politik. Ligji bazohet mbi vetëdeklarimin e individëve dhe kontrollin e vërtetësisë së vetëdeklarimit. Nuk kam shpresë që ju do ta mësoni, se doni të vazhdoni të bëni lajme me këtë histori. Po ua përsëris prapë se nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, pra 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’i kërkohet partive politike dhe kryetarëve të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri se ka gënjyer. Nuk e kuptoj dot këtë, ça duhet të bëjnë partitë politike në Shqipëri. Si mundet një parti politike të penetrojë nëpër zgafellet e dokumenteve që bota i ka të mbyllura se nuk ka në Europë një ligj si ky”, tha Rama./tvklan.al