Anglia ka publikuar listën se cilat shtete, qytetarët e të cilave, mund të udhëtojnë drejt vendit ishullor pa qenë nevoja të karantinohen për 14 ditë. Lista përbëhet nga 59 vende duke përfshirë edhe disa shtete të Ballkanit.

Shqipëria nuk bën pjesë në listën e publikuar të shteteve që mund të udhëtojnë drejt Anglisë, pasi konsiderohet vend me rrezik për përhapjen e virusit.

Qeveria angleze thotë se këto vende tashmë quhen shtete me “risk të reduktuar”. Gjithsesi, secili vend në Mbretërinë e Bashkuar ka rregullat e veta, prandaj këto do të zbatohen vetëm për Anglinë.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson deklaroi për mediat se “në vend që të karantinojmë të gjithë udhëtarët, tashmë ky rregull do të vlejë vetëm për udhëtarët që vijnë nga shtetet ku virusi nuk është nën kontroll”.

Qytetarët nga vende si Greqia, Spanja, Franca apo Belgjika mund të udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe pa u karantinuar për 14 ditë.

Por çfarë ndodh me qytetarët nga ato shtete që nuk përfshihen në këtë listë? Në këtë rast, autoritetet britanike thonë se këta persona duhet të izolohen për 14 ditë në Angli.

Lista do të rishikohet në rast se do të ketë përkeqësim të kushteve në një nga vendet e lejuara. /tvklan.al