Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat veriore

Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat veriore

17:30 10/04/2019

Lista Serbe, subjekt politik që aktualisht përfaqëson komunitetin serb në Kosovë në institucionet lokale dhe ato qendrore, ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të shpallura për datën 19 Maj.

Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje, pasoi takimin e krerëve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd.

“Nuk do t’i lejojmë as Prishtinës e as kujtdo nga bashkësia ndërkombëtare që në ato funksione të sjellin shqiptarë e as marioneta serbe, të cilët do të punojnë siç u thonë ata”

, tha pas takimit me presidentin Vuçiç, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Ndërkaq, presidenti Vuçiç, deklaroi se vendimi rreth pjesëmarrjes u takon pikërisht përfaqësuesve serbë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të hënën e kësaj jave zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia. Këto komuna janë udhëhequr nga Lista Serbe./REL

 

Të ngjashme
UKT