Kryeministri takohet me ambasadorin amerikan

Lista Serbe e ka deklaruar se nuk bashkëpunon me Qeverinë Kurti II. Në një postim në Facebook kjo listë thotë se synimi i saj është që ta rrëzojë kryeministrin Albin Kurti nga froni pasi sipas tyre kjo qeveri po punon kundër interesave të serbëve në Kosovë.

Në postimin në Facebook, Lista Serbe i ka reaguar deklarimeve të ministrit të Mbrojtjes, Xhelal Sveçla duke thënë se deklaratat e fundit të tij ilustrojnë më së miri qëndrimin antiserb të Qeverisë Kurti.

Lista Serbe ka konfirmuar po ashtu se të dielën në barrikada ishte edhe Milan Radojçiç.

“Gjëja më e rëndësishme që, Sveçla nuk guxon ta pranojë është se ai është i vetëdijshëm se sa autoritet ka  Radojçiç në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur iu bashkua atyre në protesta dhe që ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe gjatë gjithë kohës, për kënaqësinë e përgjithshme të gjithë të pranishmëve, të cilët atëherë u ndien të sigurtë, sepse ai gjithmonë kur ishte me ta, kujdesej për sigurinë e çdo personi dhe çdo familje në veri”, thuhet në postimin e Listës Serbe.

Për zhvillimet e fundit në veri gjatë së mërkurës kanë diskutuar në një takim ambasadori britanik në Kosovë me zv/kryeministrin Besnik Bislimi. Pothuaj në të njëjtën kohë një takim tjetër në objektin e qeverisë është zhvilluar ndërmjet ambasadorit amerikan në Kosovë dhe kryeministrit Kurti.

Ndërsa parimisht është vendosur që më 18 Gusht të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuciç në Bruksel.

Nga zyra e kryeministrit nuk kanë pranuar të flasin për datën. Një ditë më parë zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu ka thënë se kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm për takimin e radhës dhe se nëse do të ketë një takim ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciç një ditë më parë ka deklaruar se e ka pranuar do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukseli për një takim me Kurtin më 18 Gusht, por sipas tij nuk e di se për çfarë tjetër mund të flasin.

Tv Klan