Kryeministri Edi Rama u shpreh se në takimin që ka pasur ditën e djeshme me zyrtarët e lartë të BE-së nuk ka pasur asnjë ultimatum në lidhje me vendosjen e listave për kandidatë për zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë tha se u ndje i turpëruar nga komentet e një gazetareje shqiptare në lidhje me këtë çështje.

“Tani vetëm fakte nuk janë opinione dhe koncepti i fakteve alternative për të njëjtat fakte është një koncept që ka hyrë së fundmi në shoqërinë njerëzore si rezultat i lajmeve të rremeve dhe i propagandimit përmes lajmeve të rreme. Në Bruksel nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, por vlerësime pozitive për Shqipërinë siç i dëgjuan të gjithë ata që nuk jetojnë në botën paralele të fakteve alternative. Në referencën që ti bëre ka një gabim në objekt sepse faktikisht është një referencë e shkruar e stërdiskutuar në mënyrë të gjatë. Më vjen mirë që koha tregoi që unë kisha të drejtë për Reformën Zgjedhore dhe që Reforma Zgjedhore ka marrë vlerësim maksimal bazuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias që ishte krejt i kundërt i botës paralele të fakteve alternative. Nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcitur njësoj siç kërcet një derë e vjetër në sfond kur luhet një koncert ka qenë ndërhyrja e koleges suaj, një ndërhyrje e pavend dhe absolutisht e padobishme për të mos thënë turpëruese për kategorinë e gazetarëve për të gjithë ju dhe për të gjithë ne faktikisht bazuar në fakte alternative të botës paralele dhe një kontrast turpërues për mua që ishte aty në dallim me kolegen tuaj që ishte nga Maqedoninë e Veriut që nuk i ra vendit të vet me baltë të prodhuar nga fabrikat e fakteve të botës alternative.”

Po ashtu ai tha se nuk ka pasur asnjë ultimatum në lidhje me Portin e Durrësit. Rama u shpreh se në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit nuk është diskutuar kjo temë.

“Po kaq e pavërtetë sa mungesa e një ultimatumi është ajo që dëgjova tani për Portin e Durrësit. As është bërë as diskutuar, as është dëgjuar, as është prekur, asnjë fjalë lidhur me këtë temë. Është vërtetë për të ardhur keq. Ai investim është për ekonominë e të gjithëve, edhe për të ardhurat tuaja personale sepse është një investim që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare dhe rritjen e ekonomisë shqiptare të këtij vendi. E kam dëgjuar këngën e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë që ka investime të huaja, ka investime të huaja kemi paguar ndër vite traditën skandaloze të trashëguar dhe kur jemi gati të bëjmë investime të përmasave të mëdha dhe që kanë po atë efekt që kanë pasur në Malin e Zi sepse kanë rrogat e mëdha se kanë rritur investime, këtu prodhohet baltë dhe shpifet paturpësisht për diçka që është drejtpërdrejt e lidhur me interesin personal tuajin”. /tvklan.al