Peshkopi serb Teodosije mbajti një liturgji në objektin e papërfunduar të kishës serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Reagimet ishin të forta, liturgjia u cilësua provokim para dialogut Kosovë-Serbi.

Një liturgji fetare nga disa pelegrinë të Kishës Ortodokse Serbe të udhëhequr nga peshkopi Teodosije, që u mbajt së fundmi në objektin e një strukture të një kishe të papërfunduar në oborrin e kampusit Universitar të Kosovës, shkaktoi shumë reagime ndër strukturat institucionale dhe ato të shoqërisë civile. Struktura e një kishe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, e cila nuk u përfundua kurrë, u ndërtua në vitet 90-të, pasi autonomia e Kosovës ishte suprimuar nga autoritetet e Serbisë të udhëhequra nga Sllobodan Millosheviç.

Igumeni i manastirit të Deçanit Sava Janjiç, që ishte i pranishëm në lutje e vlerësoi atë si moment të rëndësishëm për të krishterët. Ai shkroi në rrjetin e tij social se “për herë të parë pas vitit 1998, në tempullin e Shpëtimit të Krishtit në qendër të Prishtinës, u shërbye liturgji”. Duke cituar Peshkopin Teodosije që udhëhoqi Liturgjinë, Sava Janjiq,  tha se “të krishterët nuk duhet të jenë të pashpresë kur janë në rrezik sepse Zoti u jep forcë”, dhe deklaroi se “ka shumë liturgji që përdoren në tempujt kushtuar ngjitjes, në Moskë, Beograd, Deçani i Lartë, e Prizren”.

“Ky tempull në Prishtinë duhet të jetë tempulli i të gjithëve ne, për të na bashkuar dhe mbledhur këtu në paqe, dashuri dhe harmoni. Po këtu, nga ky vend, dërgojmë mesazh dashurie dhe paqeje ndaj të gjithëve, pavarësisht se kush janë ata njerëz dhe çfarë qëllimi kanë. Duke shërbyer sot në këtë tempull dëshmojmë se kush jemi, kush ishim dhe çfarë duhet të jemi në të ardhmen”, citoi Janjiç, peshkopin Teodosije.

Autoritetet kosovare asnjë informacion

Por mbajtja e liturgjisë fetare në objektin e Kishës në oborrin e Universitetit të Prishtinës u krye pa asnjë informim të mëparshëm tek autoritetet e Kosovës. Këtë e konfirmoi në një reagim të tij, vetë ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku. Ai tha se “Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”.

“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejt ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, tha ministri Çeku. Hajrullah Çeku theksoi, se “liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional”, por sipas tij, “veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë”.

Opozita kritikon qeverinë

Partitë politike opozitare e akuzuan qeverinë e Kosovës, se ajo “ka qenë e njoftuar”, për mbajtjen e liturgjisë në kishën në oborrin e Universitetit, por nuk ka vepruar që ta parandalojë atë. Enver Hoxhaj, udhëheqës i partisë më të madhe opozitare PDK, shkroi se “me lejimin e mbajtjes së liturgjisë, qeveria lejoi hapjen e temave të reja në dialogun me Serbinë: “prandaj, sot fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit. Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit”, shkroi Hoxhaj.

Edhe aktivistë të shoqërisë civile mbajtjen e liturgjisë në objektin e papërfunduar të Kishës Ortodokse Serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, vetëm pak ditë para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, e shohin si provokim. Sali Shoshi, arkitekt, aktivist i shoqërisë civile që angazhohet për trashëgiminë kulturore të Kosovës thekson se shoqëria në Kosovë është e vetëdijshme për shumëllojshmërinë etnike. Ai e quan atë bazë të mirë për një shoqëri modernde me respekt të ndërsjellë përkundër dallimeve e sidomos me respekt të shumicës ndaj pakicave.

“Por vjen diçka si kjo meshë politike e organizume prej Kishës Ortodokse Serbe, e cila e ka për qëllim me provoku dhe me nxitë reagim shoqnor që ata me e përdorë si argument për aspiratat e tyre të eksterritoreve. Kur them provokim, mendoj për faktin qe “mesha”, organizohet në një objekt i ndërtum gjatë regjimit të Millosheviqit, lokacioni i të cilit gjendet në mes të kampusit universitar, pra trolli i është uzurpu Universitetit, dhe e cila është ndertu për me i tregu qëllimet e atij regjimi”, shkroi Sali Shoshi, duke shtuar se “është shumë mirë qe si shoqni mos me ra n’provokim, por institucionet shtetnore duhet me bo çmos me parandalu e alarmu për rrezikun që vjen prej këtyre provokimeve”.

Universiteti i Prishtinës paralajmëron veprime ligjore

Pas këtyre reagimeve Universiteti i Prishtinës paralajmëroi veprime ligjore pas liturgjisë së mbajtur në kishën e ndërtuar në kampusin universitar. “Procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor. Universiteti i Prishtinës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë”, thuhet në një reagim të UP-së, duke shtuar se “kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike”.

Kosovo | Liturgie Bischof Teodosije in Pristina

Në ditën kur mbahej liturgjia në objektin e papërfunduar të Kishës serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, Ministria e Jashtme e Kosovës u ndaloi hyrjen në Kosovë, ministres serbe të Punës, Daria Kisiq-Tepavceviq dhe një grupi prej 39 pelegrinësh serb. Kundër kësaj ndalese, reagoi  zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, duke e cilësuar ndalesën të papranueshme.

“Kërkesa e një grupi prej 39 pelegrinëve nga Serbia qendrore, të cilët donin të vizitonin disa kisha në Kosovë këtë fundjavë, u refuzua pa shpjegime. Kështu, vazhdon shkelja brutale e marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjeve për vizitat e rëna dakord dhe nënshkruar në Bruksel midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet ne reagimin e autoriteteve serbe, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që “do të vijë në tryezën e negociatave në Bruksel javën e ardhshme, kështu që ai tani po përdor lëvizje të tilla që dëmtojnë drejtpërdrejt dialogun”. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq  takohen në Bruksel me 15 qershor në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. /DW