Ministrat e kabinetit “Rama 2” kanë marrë zyrtarisht detyrën, duke u betuar përpara Presidentit të Republikës.

Ceremonia u mbajt pak orë pas votimit të qeverisë në parlament.

Ky ishte edhe takimi i parë i Ilir Metës dhe Edi Ramës që pas fushatës elektorale, ku marrëdhëniet u tensionuan dhe ku akuzat reciproke nuk u kursyen.

Presidenti përmendi disa prej sfidave me të cilat duhet të përballet kabineti “Rama 2” dhe kërkoi bashkëpunim mes të gjitha forcave politike në interes të kombit.

Dua t’ju uroj suksese në veçanti në përmbushjen e të gjitha përgjegjësive që ka Qeveria për përballimin e sfidave që lidhen me forcimin e sigurisë kombëtare, me luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar e çdo kërcënimi të jashtëm.

Jam shumë i gëzuar që qeveria e re e ka pagëzuar vitin 2018 si vitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen e këtij Institucioni në nismën tuaj.

Heroi ynë kombëtar Skënderbeu është simboli i unitetit dhe fuqisë së kombit që në të gjitha kohërat i ka bashkuar shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Dhe sot ajo që na duhet më shumë ne shqiptarëve këtu e kudo, është bashkimi dhe bashkëpunimi në interesin më të mirë të qytetarëve tanë dhe të kombit tonë”.

Ashtu si 4 vjet më parë, pas betimit, kryeministri dhe ministrat iu drejtuan në këmbë selisë se qeverise, pa harruar te respektojnë rregullat e qarkullimit.

Qeveria e re ne mbledhjen e saj të parë miratoi 10 vendime.

Tv Klan

Qeveria Rama II 

*Kryeministri – Edi Rama

*Zv/Kryeministrja – Senida Mesi, deputete e Shkodrës

*Ministër Shteti për Shqiptarët jashtë kufijve – Pandeli Majko

*Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrësve – Sonila Qato

1.Ministria e Brendshme – Fatmir Xhafaj

2.Ministria e Drejtësisë – Etilda Gjoni (aktualisht zv/ministre e Drejtësisë)

3.Ministria e Jashtme – Ditmir Bushati

4.Ministria Mbrojtjes – Olta Xhaçka

5.Ministria e Kulturës – Mirela Kumbaro

6.Ministria e Financave, e Ekonomisë dhe e Punës (Bashkohen 3 ministri) – Arben Ahmetaj

7.Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë – Lindita Nikolla

8.Ministria e Shëndetësisë dhe e Kujdesit Social – Ogerta Manastirliu

9.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë: Damian Gjiknuri

10.Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Niko Peleshi

11.Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – Blendi Klosi