Sytë e të gjithë botës ishin drejtuar në kështjellën Uinsdor në Britaninë e Madhe, ku u kurorëzua martesa mes Princit Harry dhe të fejuarës së tij amerikane Meghan Markle.

Rezidenca e Mbretëreshës Elizabeta e II, u pushtua nga mijëra njerëz. Të shumtë ishin ata që udhëtuan për orë të tëra dhe zunë radhët e para që në mëngjes, për të qenë dëshmitarë të ngjarjes më të rëndësishme të vitit në vendin ishullor.

Kisha Shën George, në Kështjellën Uinsdor ishte një paradë e vërtetë yjesh vendas e të huaj,  nga ylli britanik i muzikës, Sir Elton John, ish-futbollisti David Backham dhe bashkëshortja Victoria, Oprah Uinfri, George Clooney, etj.

Fillimisht mbërriti princi Harry, i shoqëruar nga vëllai i madh, Princi Uilliam, të dy të veshur me uniformë ceremoniale ushtarake.

Përkrah Dukës së Edinburgut, Princit Filip, mbërriti edhe Mbretëresha Elizabeta e II, e shoqëruar nga brohorimat e njerëzve.

Pas një pritjeje të gjatë mbërriti edhe makina Rolls Rojis, brenda së cilës ndodhej Meghan Markle, me një fustan të dizenjuar nga stilistja britanike Clare Waight Keller. Në mungesë të të atit, për arsye shëndetësore, Meghan u shoqërua në altar nga Princi Charles, ku e priste bashkëshorti i ardhshëm.

Momenti tradicional ku Harry priste përgjigjen e partneres së tij, bëri xhiron e botës. Princi i sapokurorëzuar në Dukën e Sasiksit, ishte tejet i emocionuar dhe nuk i mbajti dot lotët. I njëjti titull shkoi edhe për Meghan Markle.

Sipas traditës, pas shkëmbimit të unazave ishte radha e parakalimit me karrocë në oborrin e kështjellës Uinsdor.

Prej ditësh qyteti Berkshire është totalisht i blinduar. Disa mijëra forca policia dhe të shërbimeve sekrete rrethuan qytetin për të siguruar një mbarëvajtje krejtësisht brenda protokollit mbretëror.

Tv Klan