Më 11 Dhjetor, Sali Berisha ka njoftuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 11 Dhjetor, përmes së cilës pretendon shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar.

Në një takim online me demokratët në SHBA pasditen e së dielës, Berisha tha se synimi i Foltores është rikthimi i Partisë Demokratike në vlerat konservatore.

Sipas ish-Kryeministrit, më 11 Dhjetor do të ngrihet sërish në Tiranë monumenti i pluralizmit politik.

Kjo lëvizje e cila synon t’i japë vendit një opozitë të vërtetë, një opozitë që të qëndrojë fuqishëm ndaj regjimit. Një opozitë që të ngjallë shpresë dhe besim tek qytetarët shqiptarë dhe natyrisht me qëllimin e saj të çmontojë narkoeshtetin dhe të rikthejë në Shqipëri, ligjin të drejtat, vlerat konservatore të cilat kanë bërë botën e lirë, traditën më të shkëlqyer të shqiptarëve dhe të njerëzve të qytetaruar kudo që janë, dashurinë për vendin dhe patriotizmin, dashurinë për familjen dhe mbështetjen e saj, respektin për pronën, për liritë dhe të drejtat njerëzore, besimet fetare.

Pra ky është synimi ynë më madhor dhe besojmë se jemi në rrugën e duhur. Më 11 Dhjetor ne rikthemelojmë de facto Partinë Demokratike, e cila u largua nga këto vlera. Më 11 Dhjetor, ne ngrëmë përsëri në Tiranë monumentin e pluralizmit politik, ne i japim vendit opozitën e vërtetë për karshi asaj të marrë peng nga narkoqeveria”, u shpreh Berisha.

Ndahet nga jeta ish-senatori amerikan, Berisha mban 1 minutë heshtje në Foltoren me demokratët në SHBA

Ish-senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Dole është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 98-vjeçare.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë publik në mediat amerikane gjatë kohës që Sali Berisha mbante Foltoren me demokratët shqiptarë në SHBA.

Pasi u njoftua për lajmin, Berisha mbajti 1 minutë heshtje në respekt të ish-senatorit amerikan Bob Dole.

E lidhur me Foltoren dhe kauzën e saj, por me kauzën shqiptare për liri, i hidhur është lajmi që sapo mora ndarjen nga jeta të njërit prej miqve më të shquar të të gjitha kohërave të kombit shqiptar, heroit të vërtetë të kombit amerikan, senatorit dhe ish-kandidatit për President të Shteteve të Bashkuara, Bob Dole. Ju ftoj ta nderojmë me 1 minutë heshtje kujtimin e ndërritur të këtij miku që borxhi nuk i dalim kurrë për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme që u dha shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo”.

Presidenti i nderit i shoqatës Vatra në SHBA thirrje ambasadores Yuri Kim

Presidenti i nderit i shoqatës Vatra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Agim Rexha, i ka bërë thirrje ambasadores Yuri Kim në Tiranë që të mos përfshihet në çështjet politike.

Duke folur nga New Jersey në SHBA gjatë Foltores online të Sali Berishës, ai tha se ndihet i fyer nga veprimet e ambasadores amerikane Yuri Kim.

Nuk mund të pranoj sjelljen jo demokratike të ambasadores amerikane në Tiranë që e ka identifikuar veten me një palë politike në Tiranë. Ndihem i fyer që një amerikane sillet në Tiranë jo si përfaqësuesja ime por si Guvernatore dhe shefe e një agjencie private. Ndihem i fyer se ajo shpenzon taksat e mia në Tiranë dhe shkel çdo rregull të sjelljes diplomatike. Ti do ikësh një ditë aty, por jehona e keqbërjeve do të vazhdojë edhe më gjatë sepse ju po bëni të kundërtën e asaj që Amerika ka bërë në rrjedhë të historisë.

Prandaj ambasadore Kim dilni nga selia e PS, mos shkel në derën e asaj partie sepse nuk është në tagrin tënd politik të merresh me partitë politike, të shkatërrosh zgjedhjet e lira. Ndale dorën shkatërrimtare të pluralizmit politik për të mbajtur në pushtet ata që për 50 vjet ishin anti-amerikanët më të zellshëm në botë”.

Sali Berisha: Ambasadorja Kim i lejon vetes të bëjë sekretaren ideologjike të PS

Në takimin online që zhvilloi me demokratët në SHBA në kuadër të Foltores, ish-Kryeministri Sali Berisha kritikoi sërish ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Berisha e cilësoi “sekretare ideologjike të PS” ambasadoren Kim dhe shprehu zhgënjimin ndaj për vlerësimin që u bëri zgjedhjeve dhe për censurën, sipas ish-Kryeministrit, që kërkon të vendosë ndaj Foltores.

“Dy fjalë për sa i përket zonjës ambasadore që shpesh i lejon vetes të bëjë sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste.

Dy momente për mua janë të papranueshme. Përgëzimi që u bëri zgjedhjeve në kundërshtim me çdo kod, rregull dhe qëndrim ndaj votës së lirë nga SHBA.

Dhe së dyti, thirrja që u bën gazetarëve për të vendosur cencurë ndaj Foltores dhe Sali Berishës. Për mua përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës amerikane që garanton m mirë se çdo Kushtetutë e botës lirinë e shprehjes.

Këto momente, jo që nuk janë amerikane, por mbrëtëri e censurës dhe George Sorosin e interesat e tij. Megjithatë, asgjë nuk e humb respektin tonë për vendin e madh të lirisë”.