Berisha i përgjigjet Kim: Hyj ose jo unë në parlament e përcaktojnë zgjedhësit shqiptarë

Nga Vlora, Sali Berisha kishte një mesazh të qartë për ambasdoren amerikane Yuri Kim, kur tha se “më ke shpallur “non grata” në vendin tënd, por hyj ose jo unë në parlament e përcaktojnë zgjedhësit shqiptarë”.

Ne shqiptarët jemi të parët që i detyrohemi Amerikës për sovranitetin. Shqipëria u rikthye e pavarur, siç e shpalli Ismail Qemali në 1912-n falë SHBA-së. Edhe Kosova është e pavarur falë SHBA. Por burrat e mëdhenj të kombit amerikan nuk do të kishin imagjinuar kurrë që një përfaqësues i tyre do të thonte shqiptarëve “votoni kë të doni, por ju them unë se kush hyn në Parlament”. A mund të ndodhte kjo? Mirë, ti më shpalle non grata në vendin tënd, por se hyj ose jo unë në parlament e përcaktojnë zgjedhësit shqiptarë, s’mund të jetë ndryshe kjo. Një nga dy ditët më të lumtura të jetës time, ka qenë dita që unë hyra më datë 10 shtator në parlament sepse mbrojtja sovranitetin, dinjitetin e vendit tim“.

“Një proces është në Paris, ftoj, jo vetëm DASH, por cilindo mbi tokë çdo dokument që ketë ta paraqesë në gjykatë“, theksoi Berisha.

Berisha: Tanket në kufi të Kosovës, rezultat i Ballkanit të Hapur

Nga Vlora, Sali Berisha foli edhe për nismën Ballkani i Hapur. Ai tha se tanket në kufi të Kosovës këtë shtunë, janë pasojë e kësaj nisme.

Keni dëgjuar PD të thotë një fjalë për Minishengenin, për Ballkanin e Hapur. Ja ku janë rezultatet, rezultatet e Minishengenit, Ballkanit të Hapur, Tanket në kufijtë e Kosovës janë bombarduesit e Beogradit në Kufijtë e Kosovës. Dhe heshtja e varrit ndaj projekteve të George Sorosit, Edi Ramës, po mjerisht edhe ish-kryetarit të partisë, Lulzim Basha… Mund të thotë kush po dale se këtë Ballkanin e hapur e përkrah ky e ai. Jo jua them unë, Ballkani i hapur vjen në kundërshtim të qartë me nismën e Berlinit. Nisma e Berlinit është nisma e Bashkimit Europian për rajonin, është nisma me të cilën BE kërkon të na përgatisë ne për anëtarësim në BE”.

Por ku dallojnë nga njëra tjetra, sipas Berishës?

“Nisma e Berlinit bazohet në bashkëpunim shtetesh të barabarta. 6 shtetet të barabarta. Kurse Ballkani i Hapur në hegjemoninë serbe mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe rroftë Kosova që nuk e pranoi.

Berisha: I vetmi në Europë që kam kërkuar shpalljen non grata të Soros, ai ma ktheu në 2021-n

Sali Berisha tha se ishte i vetmi njeri në Europë që kishte kërkuar shpalljen non grata të George Soros. “Meqenëse kërkova të shpallej non grata në vitin 1991”, tha Berisha,”ai ma ktheu në vitin 2021 me non grata në SHBA”

“U shpalla non grata sepse ju kundërvura projektit të Soros, për ndarjen e Kosovës, sepse ju kundeërvura ballkanit të hapur sepse vendos hegjemonin serbe. Dhe hegjemonia serbe nuk sjell stabilitet, por destabilitet. Unë shkova në gjykatë, në Paris. Më thanë që ligji që mund të kapë një njeri 8 vite pasi ka lënë detyrën, sepse ligji është për zyrtarët dhe jo për ish-zyrtarët. Por unë e hodha në gjyq për shpifje dhe le ta provojë në gjyq, sepse unë do të mbroj dinjitetin tim. E ka bërë Edi Rama me Soros, sepse më vonë doli që burime kishin qenë OJQ-të e Soros dhe raportet e Edi Ramës. Pse Soros? Sepse jam i vetmi njeri në Europë që kam kërkuar shpalljen e tij non grata. Sepse gjithmonë ka patur për qëllim të favorizojë Beogradin dhe të destabilizojë Ballkanin. Ai kishte favorizuar komunizmin. Sot PS ka 10% pushtet më shumë se sa kishte PPSH në 1991, me statistikë të saktë, ky është komunizëm. Kulmoi me Reformën në Drejtësi. Meqenësë unë kërkova të shpallej non grata në vitin 1991, ai ma ktheu në vitin 2021 me non grata në SHBA”

Berisha tregon përse Basha nuk mund të jetë kurrë lider

Nuk bëhesh kurrë lider po nuk u krijua në zemrat dhe mendjet tuaja…” Kështu u shpreh Sali Berisha teksa foli për atë që e quan ish-kryetar të PD, Lulzim Bashën nga qyteti i Vlorës.

Zotëria në vend të dorëheqjes mendoi për veten e tij. Doli dhe tha është masakër elektorale. Humbje ishte e tmerrshme, Edi Rama vodhi vota dhe unë i sugjerova, i tregova gjithë eksperiencën e vitit 2001, ky në vend se të bënte avokatinë, të denonconte patronazhistët, blerjen e votës, etj, ky u mor me karrigen e tij sepse kishte frikë, e din vetë ai nga kush, por injoroi dhe kjo e dyta është absolutisht tradhëti ndaj jush’.

Berisha: Kisha vendosur të mos kthehesha kurrë. Mirëpo rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri…

Nga Vlora, Sali Berisha tha se kur dha dorëheqjen kishte menduar se ajo ishte përfundimtare. Por siç theksoi ‘rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri po të jesh…’

Unë u largova dhe në çdo dalje, kam thënë se largimi është pa kthim. Nëse unë imagjinoja të kthehesha unë do vija me projekt. Kisha vendosur të mos kthehesha kurrë. Mirëpo rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri po të jesh. Për t’i dalë zot…

Berisha: Basha lider i thyer, ia kam thënë që në 2017-n

Edhe nga foltorja e Vlorës, Sali Berisha nuk i kurseu akuzat në drejtim të Lulzim Bashës.

Drejtimi i PD për fatkeqësinë e saj, u mbajt nga një njeri i cili pas 8 vitesh nuk arriti dot të sigurojë as votat e vitit 2013. Në vitin 2021, ne jemi 12 përqind më pak në vota se në vitin 2013. Sali Berisha ka përgjegejësin e tij të padiskuetueshme. Në 2017 i kërkova të japë dorëheqjen, në çdo dalje kam thënë, por unë nuk ndërmora atë që me të drejtë ju prisnit, dialogun me ju për largimin e tij. Unë i kisha thënë atij se ti je lider i thyer, me aktet që ti ke kryer në zgjedhjet e 2017-s, ti nuk bëhesh dot lider. Provojë, unë do bëj gjithçka, por je i thyer, se nuk u dilet në pritë bashkëpunëtorëve, një nga një i ekzekuton politikisht se nuk të pëlqejnë ty. Po të jesh burrë u thua, por edhe ato nuk bëhen”.

Berisha nga Vlora: Rama ka tejkaluar çdo rekord të zi në rajon e Europë

Nga Vlora ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi Edi Ramën për tejkalim të çdo rekordi të zi me qeverisjen e tij, në rajon e Europë.

“Përulem me shumë nderim para jush dhe shpreh nderimin më të madh. Për ne shqiptarët, pas betimit tek zoti, betimi se nga lufta veçse ai largohet është më supremi. Ndaj dhe ne sot jemi mbledhur këtu, të betuar për ta çuar deri në fund këtë betejë, për ta ngritur PD dhe të djathtën shqiptare në zenitin që ajo meriton. Ne vijmë sot pas 8 vitesh të qeverisjes më të keqe që vendi ka njohur nga koha e diktaturës komuniste. Vijmë sot kur Edi Rama, me qeverisjen e tij, ka kaluar, tejkaluar, çdo rekord të zi, në rajon dhe në Europë. E ka shndërruar Shqipërinë në delen e zezë të Ballkanit dhe Europës”.

Evi Kokalari: Bashës i ka ngelur vetëm vula dhe deputete si Grida Duma

Aktivistja Evi Kokalari, e pranishme në Foltoren e ish-kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Vlorës, tha se kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbështetur liderin historik të PD. Në fjalën e saj, Kokalari tha se Bashës i ka mbetur vetëm vula dhe logoja e PD-së dhe deputete si Grida Duma, që sipas saj janë të vetmit që e mbrojnë.

Sali Berisha ka një detyrë shumë të rëndësishme që të rindërtojë PD-në me parimet e Partisë Republikane në SHBA. Po përfitoj nga rasti që të fus pikëpamjet e Partisë Republikane amerikane në PD. Duhen parë ndryshimet mes PD dhe PS, dhe ndryshimet janë të mëdha. Fushatat primare është gjëja më e rëndësishme në një parti. Jam habitur se si Lulzim Basha kishte fuqinë të vendoste si kandidate për deputete Grida Dumën dhe ndonjë tjetër, se veç ata e mbrojnë.

Bashës aktualisht i ka ngelur vetëm vula dhe logoja e PD. E vetmja gjë që duhet bërë tani dhe Sali Berisha duhet të ua thotë është që kush ka të drejtën e votës të shkojë e të firmosë formularët për të thirrur Kuvendin. Do të mbledhin më shumë firma se sa duhen. Ndihem e shqiptarëve të SHBA do ta keni, ndihmën e republikanëve Amerikanë do e keni. Sapo të kemi kryetarin e ri të PD-së do të nisim një punë intensive për të punuar shumë afër me Partinë Republikane të SHBA.

Foltorja, Sali Berisha takim me demokratët në Vlorë

Turi i ish-Kryeministrit Sali Berisha në bazën demokrate ndalet sot në Vlorë. Takimi i radhës “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur” po mbahet në Pallatin e Kulturës.

Ky është takimi i tretë që ish-Kryeministri zhvillon me bazën e Partisë Demokratike, pas dy tubimeve të para që zhvilloi në Tiranë dhe Fier.

Berisha ka kundërshtuar vendimin e Bashës për largimin e tij nga grupi parlamentar, duke e konsideruar atë “thikë pas shpine”, ndërsa ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar./tvklan.al