President i Shteteve të Bashkuara nga kjo e mërkurë është Joe Biden. Përmes një ceremonie të kufizuar për shkak të masave anti-Covid, 78-vjeçari bëri betimin me dorën në Bibël si President i 46-të i Shteteve të Bashkuara dhe Kamala Harris, si nënpresidentja e 49-të e vendit, e para grua në këtë post, sikurse edhe e para afro-amerikane dhe amerikano aziatike si numri dy i Shteteve të Bashkuara…

Në fjalën e tij të parë si President, Biden përcolli një mesazh bashkimi për vendin e ndarë gjatë këtyre viteve.

“Do të ecim përpara me shpejtësi dhe urgjencë. Kemi shumë për të bërë për këtë dimër të rrezikshëm. Kemi shumë mundësira, shumë gjëra për të riparuar, rikthyer e shëruar, shumë për të ndërtuar e shumë për të fituar. Pak njerëz në historinë e kombit tonë kanë qenë kaq të sfiduar ose në një periudhë kaq të vështirë sa tani”.

Një mesazh kishte edhe për aleatët dhe vendet e tjera të botës, të cilët shpresojnë për rikthimin e partneritetit të zbehur gjatë këtyre 4 viteve.

“Mesazhi im për ata jashtë kufijve është se Amerika u testua dhe ne jemi bërë më të fortë. Do të riparojmë aleancat dhe do të angazhohemi edhe një herë në gjithë botën, jo për sfidat e djeshme por për të sotmet dhe ato të së nesërmes”.

Biden mbajti edhe një minutë heshtje në nderim të viktimave të COVID-19. Ndër të paktët të pranishëm që morën pjesë ishin edhe ish-Presidentët Obama, Bush e Clinton. Ndër mbështetëset e tij më të zjarrta, Lady Gaga këndoi himnin e Shteteve të Bashkuara, si dhe performanca e Jennifer Lopez.

Nëse nuk do të ishte pandemia, në ceremoni mund të merrnin pjesë dhjetëra mijëra pjesëmarrës, në nderim të të cilëve ishin vendosur 200 mijë flamuj të vegjël. Ceremonia përfundoi me largimin nga Shtëpia e Bardhë të ish-Presidentit Pence.

Tv Klan