Ardit Gjebrea-Marsela Çibukajt: Një rrugë e re dhe e bukur fillon dhe hapet për ty

“Kënga Magjike” zhvillon këtë të enjte natën e dytë gjysmëfinale. Padyshim zbulim i këtij festivali është edhe këngëtarja Marsela Çibukaj, që si rrallë herë e kemi parë përkrah Ardit Gjebresë në prezantim.

Ndoshta nuk është çudi që ta shohim edhe më vonë këngëtaren në prezantim. Është vetë Gjebrea që i thotë se pas finales së madhe të Këngës Magjike nuk i dihet, një rrugë e re dhe më e bukur mund të fillojë e hapet për këngëtaren.

Marsela Çibukaj: Pse gjërat e bukura zgjasin kaq pak në jetë?

Ardit Gjebrea: Mos e mendo këtë. Kemi natën e dytë përpara, pastaj vjen nata finale dhe ku i dihet më pas, një rrugë e re dhe e bukur fillon për ty dhe hapet për ty.

Marsela Çibukaj: Le të shpresojmë.

Gjatë udhëtimit drejt ambienteve të Tv Klan, Gjebrea i dha përgjigje edhe pyetjes se pse kësaj here festivali po zhvillohet në verë dhe jo në prag të festave të fundvitit. Gjebrea tha se kjo ide është hedhur edhe më përpara, megjithatë edhe pse me situatën pandemike, artistët zgjodhën të vijnë sërish.

“Kishte kohë që e përplasnim këtë ide për të ndryshuar stinën e Këngës Magjike. Ndoshta edhe pandemia, koha e gjatë bëri që përsëri artistët të na vijnë sërish, me balada në një pjesë të mirë të tyre.

Është një rizgjim, është një rifillim, një rinisje. Jemi tashmë duke marrë timonin e jetës në dorë drejt familjes, drejt të afërmve, drejt miqve dhe pikërisht është kjo “Këngë” që na duhet”, tha Gjebrea.

Mënyra e çudishme që Ardit Gjebrea dhe Marsela Çibukaj prezantojnë jurinë e “Këngës Magjike”

Mbrëmjen e sotme ka nisur nata e dytë e gjysmëfinales së “Këngës Magjike 2021”, festival i cili pas 22 vitesh ka ndërrur destinacion për shkak të pandemisë. Këtë vit po zhvillohet në ambientet e Tv Klan.

Në hyrje moderatori Ardit Gjebrea dhe Marsela Çibukaj kanë prezantuar ndryshe jurinë e “Këngës Magjike”, duke i krahasuar ata me vaksina.

Marsela Çibukaj: Juria ato vërejtjet në formë gozhde që kanë bërë këto 10 javë konkurrim, dje në darkë më janë dukur pak si shiringa vaksine, nuk e di si të është dukur ty Ardit.

Ardit Gjebrea: Po ja, vaksina me shije të ëmbël, por që jep efektin pa kuptuar, por shtruar-shtruar dhe qetë-qetë, por të sigurt ama Enkel Demi.

Marsela Çibukaj: Një vaksinë tjetër e bukur në pamje, por mund të dhembë herë pas here 100% me efektivitet Jonida Maliqi.

Ardit Gjebrea: Vaksinat klasike janë të domosdoshme, sido që të ndryshojnë kohërat, ato duhet të ekzistojnë sepse i duhen njerëzimit një vaksinë si Markelian Kapedani.

Marsela Çibukaj: Vaksina e cila është etiketuar “kujdes është e kuqe”, por është e miratuar në fakt nga e mbarë bota, Arben Skënderi.

Ardit Gjebrea: Dhe në fund një vaksinë që ose është 100% e hidhur ose 100% e ëmbël, varet dhe çfarë konsumon pacienti më parë, është shërim, por tundeni përpara përdorimit, Kozeta Kurti.

Artistët e huaj këndojnë në shqip

Festivali “Kënga Magjike” ka patur interesin e madh edhe të këngëtarëve të huaj. Siç pamë, në natën e parë gjysmëfinale, artistët internacionalë u vunë para disa provave duke recituar dhe duke thënë fjalë që i kanë mësuar në shqip.

Por as artistët e huaj që ishin në lozhë natën e dytë të gjysmëfinales nuk do u shpëtonin këtyre sfidave. Ata kënduan me sukses serenatën korçare “Bulevardi i Korçës” duke krijuar humor dhe një atmosferë festive në ambientet e Tv Klan.

Por cilat janë fjalët shqip që kanë mësuar ata?

“Patronazhist”, tha Eliza G. Një fjalë që shkaktoi shumë të qeshura duke patur parasysh se sa shumë u përdor gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri.

“30 pikë”, u shpreh këngëtarja Martina Majerle.

“Puthja ime”, tha Christos Vamos.

“Sa më jep, aq të jap”, thanë dy anëtarët e grupit Sisma.

Këtë edicion janë 8 artistë big internacional nga Greqia, Italia, Kroacia, Spanja, Belgjika dhe Gjeorgjia që do të performojnë në “Kënga Magjike”.

Nata e II gjysmëfinale, artistët e rinj që u bënë Big në Kënga Magjike

8 artistë të tjerë të rinj performuan në këtë gjysmëfinale të dytë të festivalit “Kënga Magjike”, në ekranin e Televizionit Klan. Juria e përbërë prej Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti, i dhanë dritën jeshile 7 artistëve të rinj. Kështu, statusin Big e morën Josil, Eldis Arrnjeti, Gzim Hajdari, Stiv, Genti Disha, Gent dhe Kleoniki.

Josil ishte artistja e parë e re e cila çeli natën e dytë gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike”. Kënga e saj me titull “Zemra e din”, mori 3 vota të jurisë, duke iu bashkuar artistëve Big. Dy anëtarët e jurisë që votuan kundër, vlerësuan që Josil bërtiti gjatë interpretimit të saj. Megjithatë shumica fiton dhe Josil tanimë do të ketë mundësi të votohet e të votojë.

Eldis Arrnjeti me “Akoma jo” përcolli shumë emocion në skenën e Kënga Magjike. Përveç duartrokitjeve, 17-vjeçari rrëmbeu edhe shumicën e votave të jurisë. Megjithatë Kozeta Kurti nuk qe dakord dhe votoi kundër. “Kam patur pritshmëri të jashtëzakonshme për mënyrën e të kënduarit për Eldis… Jam shumë e sigurt që kam bërë mirë që e shtypa, do të të bëjë mirë më vonë”, tha ajo.

Gzim Hajdari me “A thu kom harru”, ndezi 3 drita jeshile. Mes anëtarëve të jurisë dhe atyre që votuan kundër pati edhe replika.

Stiv me “Lakmi” i mori të pesta votat e jurisë. Madje për dilemën që pati Jonida Maliqi, artistët e tjerë në llozhë u ngritën në këmbë, duke brohoritur “jeshile”.

Genti Disha performoi këngën “Ma ke bo” dhe arriti po ashtu t’i bashkohej artistëve Big. Juria pati vlerësime dhe kritika. “Interpretuesi më erotik që ka ardhur deri më tani”, tha Enkel Demi, që i dha dritën jeshile. Arben Skënderi votoi kundër dhe e shpjegoi përse: “Ruaju nga ata që të bëjnë qejfin. Pashë njëlloj vetëkënaqësie, që të largoi nga interpretimi… Të këshilloj që të rrish i përqendruar se çfarë ke ardhur të bësh…”

Me 4 vota pro dhe 1 kundër, Gent me këngën “Ai ajo” po ashtu u bë pjesë e kategorisë Big. Ai mori vlerësime maksimale nga juria për emocionet që përcolli.

Gerald Celibashi me “Peng” ishte i vetmi që nuk mundi të bëhej pjesë e kategorisë Big. I pyetur nëse do donte të vinte vitin tjetër për të sfiduar jurinë, Geraldi tha: “Po patjetër”. Juria vlerësoi se performanca e tij nuk ishte në nivelin e duhur dhe pati probleme me intonacionin.

E fundit në radhët e artistëve të rinj që u ngjitën në skenën e Kënga Magjike natën e dytë gjysmëfinale ishte Kleoniki me këngën “Femër fire”. Performanca e saj, por mbi të gjitha mesazhi i këngës, ishin ato që i dhanë Nikit dritën jeshile! “Mos kishe pasur një këngë kaq kuptimplotë, një mesazh për ditët kur jetojmë ne, mos kishe pasur një mesazh kaq të fortë për të tejçuar, unë nuk do ta kisha bërë këtë që bëra tani”, tha anëtari i jurisë Arben Skënderi,  që i dha asaj votën pro, ashtu si shumica e anëtarëve të tjerë.

Si arriti Kleoniki të merrte votat e jurisë pavarësisht problemeve

Këngëtarja Kleoniki Deliorgji iu bashkua grupit Big Artist mbrëmjen e sotme në festivalin “Kënga Magjike” në Tv Klan. Para e se ajo të performonte u shpreh: “I kam thënë vetes, kjo nuk do jetë se sa vlen ti, kjo është përtej teje, ti po jep një mesazh, edhe thjesht fokusohu tek mesazhi që ti jep, edhe kaq”.

Kënga e Kleonikit përcjell një mesazh të fortë për pushtetin e gruas dhe ky mesazh bëri që të votohej nga juria, pasi gjatë performancës ajo pati disa probleme në interpretim. Kozeta Kurti dhe Markelian Kapedani shtypën butonin e kuq dhe në fund mbeti Arben Skënderi, i cili do jepte vendimin përfundimtar nëse ajo do kalonte në kategorinë Big apo jo.

Pasi u mendua disa sekonda, Arbeni u shpreh se vetëm për hir të mesazhit që ajo përcjell me këtë këngë, por e shtypte butonin jeshil. Nëse nuk do ishte për mesazhin e këngës, ai buton nuk do shtypej.

Arben Skënderaj: Po të mos kishe patur një këngë kaq kuptimplotë, kaq të angazhuar, një mesazh kaq të fortë në ditët ku jetojmë ne, një mesazh për të gjithë ne që po dëgjojmë këtu dhe që po na dëgjojnë nga ekrani, po të mos kishe një gjë kaq të fortë për të përçuar, unë nuk do ta kisha bërë dot këtë që do bëj tani.

Në këto momente Arbeni shtyp butonin jeshil.

Kleoniki Deliorgji: Po të mos kisha pasur këtë mesazh kaq të fortë dhe një performancë të tillë, edhe unë nuk do performoja kështu nga ana e vokalit. Nuk dua të justifikohem, por vërtet është një ngarkesë e madhe emocionale për mua, të mbaj mbi kurriz një kolektiv shumë të madh në një vend të tillë, faleminderit.

“Përqafime të gjithë miqve shqiptarë”, këngëtari i famshëm italian në “Kënga Magjike”

8 janë artistët ndërkombëtarë që marrin pjesë këtë edicion të 22-të të festivalit Kënga Magjike. Secili prej tyre ka zgjedhur nga një mik, një artist me peshë për t’i prezantuar, të cilët gjithashtu dërgojnë edhe përshëndetjen e tyre për Këngën Magjike dhe Shqipërinë.

I pari që përcolli përshëndetjen e tij këtë natë të dytë gjysmëfinale ishte këngëtari italian tepër i njohur Nek. Për të gjithë ata që ndoshta nuk e kujtojnë, një prej hiteve që kishte pushtuar të gjitha radiot në Shqipëri vite më parë, ishte kënga “Laura non c’è”.

Në Kënga Magjike, Nek prezantoi artisten italiane, Valeria Altobelli.

“Përshëndetje Shqipëri! Përshëndetje Kënga Magjike! Jam aty me ju për të përshëndetur një mikeshën time, që merr pjesë në festivalin “Kënga Magjike”. Ajo është Valeria Altobelli. Valeria është shkrimtare, kompozitore, autore, muzikante, por mbi të gjitha një grua me zemër të madhe, që është gjëja më e rëndësishme, që shpresoj ju e keni pikasur në këngën që ajo këndon në muzikën e saj. Valeria të uroj më të mirën, uroj të fitosh! Dhe pavarësisht se si do të shkojë kjo eksperiencë e jotja, uroj të mund ta jetosh me dashuri, me dashurinë e madhe që ti dhuron në gjithçka që bën. E mbi të gjitha është e mrekullueshme që muzika italiane është e vlerësuar në Shqipëri nëpërmjet këtij festivali të madh. Valeria të uroj fat për gjithçka! Përqafime ty dhe të gjithë miqve shqiptarë.”/tvklan.al