TIRANË | Në Pallatin e Kongreseve mbahet këtë të enjte Asambleja Kombëtare Socialiste, ku do të prezantohen emrat e kabinetit të ri qeveritar dhe do të votohet dhe për kryesinë e re.

Po ashtu në mbledhje do të votohet dhe për strukturat e reja drejtuese të kësaj force si dhe do të bëhen publike dhe emrat e kryetarit të ri të Parlamentit, kryesisë së grupit parlamentar dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare.

Kjo e të enjtes është mbledhja e parë e Asamblesë Socialiste pas fitores në zgjedhjet e 25 Prillit dhe Kongresit që u mbajt në 12 Qershor.

Ora 10:44 Rama: Duhet transformim nëse duam të fitojmë beteja dhe besimin e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Asamblesë së PS-së se PS-ja ka nevojë për transformim nëse do që të fitojë përsëri beteja zgjedhore dhe besimin e qytetarëve.

Ai u shpreh se PS-ja duhet të ndahet nga individët që qëndrojnë pranë partisë për interesa. Sipas tij, këta persona që mblidhen vetëm kur ka zgjedhje, janë armiqtë e transformimit. Pjesë e tyre, Rama tha se janë drejtorë dhe shefa të cilët mblidhen rreth deputetëve sa herë zbresin në territor.

“Edhe ne kemi kontributin tonë fatkeq të ngjajmë me një cirk fatkeq pelivanësh në sytë e publikut dhe të duket si një punë çakejsh më të rinjve, të ndjehen gjithmonë e më larg politikës. Partia nuk mund të zgjohet vetëm kur vinë zgjedhjet, dhe as mund të mbahet gjallë në periudhën mes zgjedhjeve si një moçal interesash të rretheve të privilegjuara nëpër komunitetet e vendit. E vërteta e hidhur është se pavarësisht dallimeve tona të mëdha me rivalët tanë, pasqyra e partive shqiptare në pushtet qysh prej 30 vitesh në sytë e komuniteteve të Shqipërisë ngjan si një copë e filmit “Koncert në vitin 36”. Në vend të asaj parisë në film kemi një tufë drejtorësh dhe shefash të cilët rendin të rrethojnë deputetin apo të deleguarin sapo shfaqet në territor. Të gjithë bashkë pastaj rrethojnë kryetarin e partisë kur zbret në territor. Ai rreth të privilegjuarish këtu, nuk flas për individë, flas për strukturën keqbërëse, është një nga armiqtë e një transformimi jetik dhe ne na duhet doemos nëse duam një parti që të fitojë përsëri beteja dhe besimin e shqiptarëve. Por jo vetëm kaq, shëmbëlltyra e asaj parie të kapërdisur nëpër rrugë dhe kafene në lokalitete dhe vende duhet zhdukur nëse doni që shqiptarët të na afrohen shumë më shumë mes dy palë zgjedhjeve dhe nëse duam që Shqipëria e kësaj periudhe të historisë që ne kemi fatin ta shkruajmë për qa sa na takon pas dy zgjedhjeve të ardhshme të jetë ngjitur në majën që na takon dhe pastaj ta kalojmë stafetën tek brezat e tjerë”, tha Rama.

10:30-Partitë japin shembullin e shëmtuar të vulgaritetit

Partitë u japin qytetarëve shembujt më të shëmtuar të vulgaritetit, tangërllëkut, provincializmit të kapardisur, natyrisht e gjitha kjo fillon nga ne, qoftë për keq, qoftë edhe për mirë nëse duam ta adresojmë. Partitë në radhë të parë e mbi të gjitha janë hapësira publike, përfshihen në diskutime në interes kombëtar apo komunitar, mbajnë qëndrime, përgjegjësi, betejën për t’i përparuar idetë e jetësuar mendimet. Pranimi nga ana jonë këtu, nëse përgjegjësia është e jona në radhë të parë, si fakt i kryer dhe i pakthyeshëm i funksionit të PS vetëm si makineri elektorale e bën të pamundur zhvillimin brenda kësaj familjeje të madhe dhe varfëron ushqimin e kulturës politike të gjeneratës pasuese, të anëtarëve, simpatizantëve, të cilëve sot u mungojnë kushtet të mësojnë nga arritjet, gabimet e gjeneratës tonë. Prandaj partia jonë duhet të hyjë në një proces, pjesëmarrje, edukimi politik…

Në radhë të parë kjo lidhet me secilin prej nesh, me forcën e shembullit. Nëse fjala sado e bukur nuk lidhet me fytyrën, nëse zëri nuk lidhet me figurën, janë zero. Është domosdoshmëri që gjithkush që ka një përgjegjësi sado të vogël, mos e harrojnë që fytyra e tij, është fytyra e të gjithëve ne. Dhe kur fytyra e tij bëhet e papranueshme është e gjithë fytyra jonë që goditet. Unë nuk do të dorëzohem në këtë pikë, nuk e di a do ia dal, por di që nuk do dorëzohem. Kryefjala nuk mund të jetë punësimi në shtet i anëtarëve, apo familjes, krushqisë së anëtarëve… do konsiderohet një pikë tjetër uji vazhdon gërryen themelin e saj.

Ne duhet të alarmohemi sot, për të ardhmen dhe për rolin e kësaj partie në shoqërinë shqiptare. Dhe teoria e gjithëpranuar se ndryshe njerëzit nuk të vijnë nuk të kuptojnë, nuk punojnë për ty nëse punësimi në shtet nuk është karremi, është teoria jo e atyre që udhëheqin, por e atyre që udhëhiqen dhe merren për hunde nga intercia e një tërësie njerëzish të mbetur pa udhëheqës”.

Ora 10:19-Rama: Nuk kam qenë kurrë më i trazuar pas një fitoreje sa këtë herë

Në fjalimin hapës të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Kryeministri Edi Rama foli për sfidat që sjell fitorja e mandatit të tretë. Në fjalën e tij, Rama tha se e ndien veten të trazuar pas një sfide politike, si asnjëherë më parë. Kryeministri tha se fitoret mund të bëjnë të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit, ndaj është i rëndësishëm qëndrimi me këmbë në tokë.

Fituam mandatin e parë tetë vjet të shkuara, u konfirmuam në të dytin pas 4 vjetësh dhe si akush më parë në historinë shqiptare, u rikonfirmuam këtë vit për të tretën herë radhazi. Kjo është edhe fitorja jonë më e vështirë që kemi arritur. Thjesht fakti, që jemi ne të parët që arrijmë, flet vetë për veçorinë dhe për vështirësinë e posaçme të kësaj fitoreje. Por kjo, është edhe fitorja më e vështirë për t’u merituar. Ndryshe nga sporti, ku fitoret meritohen kur arrihen, në politikë fitoret meritohen vetëm pasi arrihen. Fitoret e zgjedhjeve janë mundësira për të zhvilluar beteja të vazhdueshme, për t’iu kthyer zgjedhësve me punë dhe rezultate bindëse kredinë e lartë të përfaqësimit që ata iu japin borxh fituesve me votën e tyre. Herën e katërt do ta kemi më të vështirë se të tretën, por nuk e luan topi se detyra ndaj atyre që na besuan dhe ndaj Shqipërisë është të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë që të rikonfirmohemi përsëri pas 4 vjetësh. Nuk kam qenë asnjëherë më i trazuar pas një sfide politike se sa kësaj here. Sa më shumë gara fiton, aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit. Dehja nga fitoret, rënia e dëshirës për të mësuar, nënvlerësimi i rivalëve, shpërfillja ndaj dobësive, qorrimi ndaj boshllëqeve, shurdhimi ndaj kritikave janë tipare karakteristikë e fituesve që kthehen në humbës. Është momenti të ulim këmbët në tokë dhe të shtrijmë sytë në horizont. Është koha të gjejmë fuqi të reja për të parë veten, individualisht, për të parë skuadrën tonë si kolektiv, por edhe për të parë fitoren me sy kritik. Na duhet një forcë e re, një pasion i ri politik, një kapërcim i ri i vetvetes, për ta ngjitur më lart Shqipërinë.

/tvklan.al