Opozita e bashkuar mbylli në orën 19:00 protestën e saj në 5 akset kombëtare. Pas fjalës së kryetarit Lulzim Basha, i cili ripërsërit se nuk do të ketë zgjedhje në 30 Qershor, protestuesit u shpërndanë. Tubimi ishte paqësor pjesën më të madhe të kohës, ndërsa u shënuan dy incidente. Njëri në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, protestuesit i vunë flakën 4 gomave dhe në sheshin “Shqiponja” në Tiranë ku disa protestues goditën një person, i cili po kalonte me makinë gjatë kohës që po zhvillohej tubimi.

Ora 18:00

Opozita ka nisur në orën 18:00 protestën në 5 qarqe të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë.

Kryetari Lulzim Basha, ndodhet në Milot së bashku me protestuesit. Në Tiranë protestuesit kanë bllokuar lëvizjen në rreth rrotullimin e sheshit “Shqiponja”.

Në të gjitha akset e bllokuara janë të pranishëm ish deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas gazetares së ABC News, Jona Plumbi, protesta pritet të zgjasë 60 minuta.

Protestuesit e Elbasanit dhe juglindjes kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Ndërsa në Durrës ish-deputetët e opozitës dhe protestuesit po tubojnë në autostradën Plepa-Kavajë përballë shtëpisë së pushimit të Ushtrisë. Në jug mbështetësit e opozitës janë mbledhur në rrethrrotullimin e Shelqit.

Kjo është protesta e dytë e opozitës brenda kësaj të enjteje. Gjatë paradites opozita zhvilloi një protestë paqësore para Parlamentit.

Ora 18:25

Gazetarja e ABC News, Jona Plumbi e cila ndodhet tek rrethrrotullimi i “Shqiponjës” gjatë raportimit të saj tha se, nuk kanë patur kundërshtime nga shoferët, duket  se po gjejnë rrugë alternative. Tani as buri makinash nuk ka, as tensione mes protestuesve dhe qytetarëve. Protestuesit janë të qetë, ka vetëm disa thirrje sporadike ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ora 18:30

Protestuesit i kanë vënë flakën 4 gomave në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan.

Ora 18:45 Lulzim Basha flet nga Miloti

Falënderoj shqiptarët dhe protestuesit në, Tiranë Elbasan, Durrës, Fier që nisin sot aktin e mosbindjes civile si forcë e pathyeshme, për ta çuar deri në fund betejën që kemi nisur, për ta kurorëzuar me fitore. Vendi ynë ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që e ka sjellë njeriu më i korruptuar, inkriminuar që njef historia e pluralizmit. Arroganti, hajdut, mashtrues, Edi Rama, i cili me bandën e tij brenda 6 viteve i vuri shkelmin institucioneve të drejtësisë, solli krimin në sofër, uli oligarkët në krye të pasurive të shqiptarëve dhe vrau shpresën duke detyruar gjymë milioni shqiptarë të largohen. Pesha e këtij udhëkryqi rëndon për çdo shqiptar. Shumë prej jush janë këtu për kauzën jetike për zgjedhje të lira, sepse e dimë se pa zgjedhje të lira nuk dalim dot nga varfëria e skajshme.

Rama ka bërë karburantin më të shtrenjtë në Europë ndërkohë që shqiptarët janë më të varfrit në Europë. Pa votë të lirë nuk ka zgjedhje të lira, kjo është esenca e betejës tonë. Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Europës. Ne jemi të vendosur kështu nuk do të vazhdohet më.

PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni politik më i madh dhe është mazhoranca më e re e shqiptarëve dhe e duam Shqipërinë të çliruar nga korrupsioni, por për të pasur këtë duhet të çlirojmë zgjedhjet që janë farsë. Në 30 Qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri këtë e di dhe bufi e di dhe vëllai i bufit, Edi Rama. Nuk ka zgjedhje pa opozitëm dhe opozita nuk krijohet siç krijohen mercenarët e Edi Ramës. Ne jemi të vendosur që mos lejojmë krimin elektoral që është nëna e krimeve ekonomikë, nëna e varfërisë.

Ora 19:00

Mbyllet protesta e opozitës së bashkuar. Protesta e radhës do të mbahet në 11 Maj ora 18:30

/tvklan.al