Numërimi i votave për kandidatët në të gjithë vendin (28-29 Prill)




Numërimi i votave për kandidatët në të gjithë vendin (28-29 Prill)

12:15 28/04/2021

Pas numërimit të votave në të gjithë Shqipërinë për partitë, ka nisur numërimi i votave për kandidatët

Ora 17:11 Mbyllet numërimi në Lezhë, kush janë 7 deputetët e rinj

Edhe në qarkun e Lezhës, procesi i numërimit të votave për kandidatë ka përfunduar. Në këtë qark, 7 janë deputetët që kanë siguruar një ulëse në parlamentin e ri. 3 janë nga radhët e Partisë Socialiste, ndërsa 4 nga Partia Demokratike.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 3 deputetët e Partisë Socialiste janë Lindita Nikolla, e cila ka marrë 5145 vota, Eduard Ndreca me 7250 vota dhe Shpresa Marnoj 3171 vota.

Nga Partia Demokratike4 deputetët që kanë siguruar mandatin janë Mark Marku, i cili ka marrë 5321 vota, Agron Gjekmarkaj me 4067 vota, Lindita Metaliaj me 2328 vota dhe Kastriot Piroli që ka siguruar 9374 vota.

Ora 17:00 Mbyllet numërimi në Fier, kush janë deputetët që futen në parlament

Procesi i numërimi të votave të kandidatëve për deputetë është përmbyllur edhe në qarkun e Fierit.

Referuar të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deputetët që futen në Kuvendin e ri të Shqipërisë në radhët e Partisë Socialiste, e cila ka siguruar 9 mandate, janë: Erion Braçe, i cili ka marrë 15 622 vota, Petro Koçi me 3233 vota, Lindita Buxheli me 5390 vota, Baftjar Zeqaj me 2726 vota, Antoneta Dhima me 4268 vota, Bujar Çela me 4319 vota, Ismet Beqiraj me 2391 vota, Tatiana Piro me 2270 vota dhe Gramoz Ruçi, që ka siguruar 10 292 vota.

Sa i përket Partisë Demokratike, e cila në qarkun e Fieri ka marrë 6 mandate, kandidatët fitues janë Enkelejd Alibeaj me 5225 vota, Eralda Bano (Tase) me 1295 vota, Saimir Korreshi me 4887 vota, Luan Baçi me 5315 vota, Nustret Avdulla me 2506 vota dhe Ilda Dhori 3858 vota.

Një mandat në Fier e ka siguruar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Fituese është kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi, e cila ka mundur të marrë 1771 vota.

Ora 10:43 – Mbyllet numërimi i votave për kandidatët në Berat, Klosi më i votuari

Qarku i Berat ka përfunduar procesin e numërimit të votave për kandidatët. Pas numërimit të të gjitha kutive janë mësuar dhe emrat e 7 deputetëve që do të përfaqësojnë këtë qark në Kuvendin e ri.

Nga Partia Socialiste do të jenë 5 deputetë dhe kandidati më i votuar është Blendi Klosi, i cili ishte dhe koordinator i këtij qarku, ku arriti një rekord historik pasi siguroi 5 mandate.

Ndërkohë nga Partia Demokratike, drejtuesi i qarku Tomor Alizoti ka marrë numrin më të madh të votave, krahasuar me kandidatët e tjerë brenda forcës së tij politike.

Partia Socialiste: Hatixhe Konomi 5622 vota, Bardhyl Kollçaku 6370 vota, Fadil Nasufi 4375 vota, Nasip Naço 4667 vota dhe Blendi Klosi 12339.

Partia Demokratike: Tomor Alizoti 5054 vota dhe Kasëm Mahmutaj 4267 vota.

Ora 09:04 – Shkodra zgjedh 11 deputetët e rinj, Tom Doshi më i votuari por la mandatin

Në qarkun e Shkodër ka përfunduar numërimi i votave dhe për kandidatët. Në këtë qark lista paraprake është përmbysur, por askush nuk ka mundur që të thyejë herësin. Partia Socialiste ka arritur që të marrë 3 mandate, Edona Bilali, Paulin Stërkaj dhe Benet Beci, por jashtë Kuvendit të ri ka mbetur Ilir Beqaj, i cili ishte dhe koordinator për këtë qark.

Ndërkohë nga Partia Demokratike shumë afër thyerjes së herësit ishte Bardh Spahia, por tashmë që janë numëruar të gjitha votat ai e sheh veten jashtë Kuvendit të ri. Deputet e rinj të PD në këtë qark do të jenë: Helidon Bushati, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Gredi Bardeli dhe Zef Hila.

Tom Doshi rezulton që të jetë kandidati më i votuar në të gjithë qarkun, por duke qenë se ka lënë mandatin nga Partia Socialdemokrate deputetë do të jenë Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi. Po ashtu në Kuvendin e ardhshëm do të jetë dhe Agron Çela nga LSI.

Partia Socialiste: Edona Bilali 2711 vota, Paulin Sterkaj 7335 vota dhe Benet Beci 6131 vota.

Partia Demokratike: Helidon Bushati 6743 vota, Emilja Koliqi 1364 vota, Ramadan Likaj 4778 vota, Greta Bardeli 2753 vota dhe Zef Hila 5975 vota.

Partia Socialdemokrate: Tom Doshi 7886 vota, por kreu i PSD ka dorëzuar mandatin dhe tashmë në Kuvendin e Shqipërisë do të jenë Gledis Çeliku 949 vota dhe Meri Markiçi 749 vota.

Lëvizja Socialiste për Integrim: Agron Çela 2656 vota.

Ora 08:47 – Përfundon numërimi i votave për kandidatët në Korçë, kush janë 11 deputetët e rinj

Qarku i Korçës ka zgjedhur 11 deputetët e rinj që do të përfaqësojnë banorët në Kuvend. Pas përfundimit të votave për kandidatët ka rezultuar se në Kuvendin e Shqipërisë do të jenë ata kandidatë që ishin vendosur të parët në listë, pasi kandidatët e tjerë nuk e kanë thyer dot herësin.

Nga Partia Socialiste, e cila fitoi 6 mandate më i votuari është Niko Peleshi me 11,479 vota, ndërsa më pak e votuara nga kandidatët fitues është Enslemvera Zake 3,080 vota që ishte renditur e para.

Ndërkohë nga Partia Demokratike më i votuari rezulton Ervin Saliani me 9428 vota, ndërsa më pak e votuara nga kandidatët fitues është Sorina Koti me 1622 vota.

Deputetët e rinj të qarkut Korçë

Partia Socialiste: Enslemvera Zake 3080 vota, Blerina Gjylameti 5447 vota, Ilirian Pendavinji 6236 vota, Ilir Topi 5046 vota, Olta Xhaçka 4795 vota, Niko Peleshi 11479 vota.

Partia Demokratike: Edmond Spaho 5938 vota, Sorina Koti 1622 vota, Ervin Salianji 9428 vota, Bledjon Nallbati 7415 vota, Seladin Jakupllari 7425 vota.

(29 Prill) Ora 08:11 – Përfundon numërimi i votave në Gjirokastër, Çuçi kandidati më i votuar

Qarku i Gjirokastër ka mbyllur mëngjesin e sotëm numërimin e votave për kandidatët. Partia Socialiste ka arritur që të fitojë tre mandate në këtë qark, dhe deputetë në Kuvendin e ardhshëm do të jenë tre kandidatët e renditur të parët.

Mirela Kumbaro dhe pse është renditur e para, ka marrë numër të vogël votash dy kandidatët e tjerë, Laert Duraj dhe Bledar Çuçi, ku ky i fundit ka arritur që të grumbullojë 11,932 vota.

Kumbaro ka marrë vetëm  2528 vota, ndërsa Laert Duraj, që do të jetë për herë të parë në Kuvend, ka marrë  4129 vota.

Ndërkohë kandidati i Partisë Demokratike Tritan Shehu, i cili arriti që të fitonte mandatin e deputetit ka marrë 3364.

Ora 23:18 Kandidati i parë që kalon mbi “vijën e kuqe” për t’u bërë deputet

9 736 vota preferenciale që i japin mundësinë që të thyejë herësin dhe të bëhet deputet.

Klan News raporton se Luçiano Boçi, i cili garon në radhët e Partisë Demokratike në Elbasan është bërë kandidati i parë i cili ka thyer herësin pas votave që ka marrë nga qytetarët.

Sipas të dhënave në KQZ, ai renditet i 7 në listën e Partisë Demokratike. Kujtojmë që në Elbasan, PD ka fituar 6 deputetë.

Deri më tani kandidatët me numrin më të ulët të votave janë Zheni Gjergji me 1912 vota dhe Eugen Isaj me 2902 vota.

Ora 23:05 Urdhri i Celibashit për KZAZ-të: Numërimi për kandidatët të vijojë pa ndërprerje

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka urdhëruar Komisionet e Zonës së Administrimit të zgjedhjeve dhe grupet e numërimit të votave të vijojnë pa ndërprerje dhe pa vonesa procesin e numërimit të votave për kandidatët.

“Anëtarët e GNV-ve në rast se kanë vërejtje mund t’i pasqyrojnë ato pa asnjë kufizim në Tabelën e Rezultateve të Qendrës së Votimit dhe në procesverbal”, thuhet në vendimin e Celibashit. 

Ora 21:49 Mbyllet numërimi i votave për kandidatët në Dibër, kush janë më të votuarit

Në qarkun e Dibrës ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë, që do të ulen në Kuvendin e Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme.

Kështu në këtë qark, në radhët e Partisë Demokratike, e cila ka siguruar 3 mandate, deputetët që kanë marrë më shumë vota janë Xhelal Mziu, me 5321 vota, i ndjekur nga Edmond Isaku me 5098 vota dhe Kreshnik Çollaku 5093.

Sa i përket Partisë Socialiste, e cila në Dibër siguroi 2 mandate, kandidatët më të votuar janë Aurora Mara, me 9367 vota, Dionis Imeraj me 5154 vota dhe Melaim Damzi me 4609 vota.

Sa i përket të parit në listën e PS, Lavdrim Krrashit, i cili erdhi nga Londra për të kandidaduar në Dibër, ai ka arritur të marrë 3317.

Ora 20:45 Albin Kurti përgëzon Ramën për fitoren: Institucionet të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë së Kosovës thotë se “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën” prandaj uron që si shqiptarë të shtohet bashkëveprimi në të gjithë sektorët.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, shkruan Kurti në Facebook.

Kryeministri i Kosovës bën thirrje që institucionet përkatëse të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket demokracia e votës.

“Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, shkruan Kurti.

Albin Kurti votoi të dielën e 25 Prillit në Shqipëri. Ai më herët ka shprehur mbështetjen për 3 kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Shqipëri që kandiduan në zgjedhje. Mes tyre ishte edhe drejtuesi i LVV-së në Shqipëri, Boiken Abazi i cili kandidoi në Tiranë.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç ishin dy liderët e rajonit që nuk e kishin uruar Ramën për fitoren në zgjedhje. E ndërsa nga kryeministri i Kosovës reagimi erdhi mbrëmjen e sotme, nga Presidenti i Serbisë nuk ka ende asnjë urim.

Ora 19:36 Norman uron Ramën për fitoren: Institucionet të hetojnë parregullsitë e pretenduara për zgjedhjet

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipërisë, Duncan Norman, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai shprehet përmes një postimi në rrjetet sociale se edhe PD-ja zhvilloi një fushatë bazuar në programe si dhe ka shënuar rritje në progres.

Duncan thotë se ka parë zbatimin e ligjit zgjedhor dhe një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime pavarësisht masave anti-Covid. Më tej, Norman inkurajon institucionet përkatëse që të hetojnë sa më shpejt të gjitha pretendimet në lidhje me procesin zgjedhor.  

“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve shqiptarë për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve të Covid-19. Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat. Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur Shqipërinë dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit. Pamë me kënaqësi zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në votim. Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin zgjedhor”, shkruan Norman.

Ora 19:23 Ambasadori italian: Momenti që forcat politike të punojnë së bashku në interes të shqiptarëve duke respektuar rezultatin zgjedhor

Një urim për Ramën pas fitores në zgjedhje të PS-së më 25 Prill ka ardhur edhe nga ambasadori italian, Fabrizio Bucci. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai përgëzon Ramën dhe PS-në për rezultatin.

Bucci ka komplimente edhe për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe partitë e tjera opozitare për fushatën zgjedhore. Bucci shprehet se tashmë është momenti për të punuar së bashku mes palëve në interes të popullit duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve.

“Përgëzimet e mia Kryeministrit Edi Rama dhe PS për rezultatin zgjedhor. Komplimente Lulzim Bashës dhe kryetarëve të partive të tjera të opozitës që i dhanë jetë një fushate zgjedhore të ngjeshur e të vrullshme. Për të gjitha forcat politike tashmë është momenti për të punuar së bashku në interes të të gjithë shtetasve shqiptarë, duke respektuar rezultatin zgjedhor. Një opozitë e pjekur dhe e përgjegjshme është thelbësore në çdo demokraci. Mbështetje maksimale Shqipërisë dhe institucioneve të saj për një stinë të re ku ndër përparësitë e saj të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE”, shkruan Bucci.

Ora 19:10 Zingraf: Aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen qasje konstruktive, presim që të njohin rezultatin e zgjedhjeve

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, ka reaguar pas fitores së Kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e 25 Prillit. Zingraf thotë se procesi zgjedhor ka vijuar në mënyrë të përgjithshme pa fërkime, ndërsa falenderon administratën zgjedhore në nivel qendror dhe lokal për punën e mirë. Ai shprehet se ambasada gjermane është pritje të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR. Më tej, Zingraf shton se akuzat dhe ankesat për krime zgjedhore duhet të trajtohen shpejt dhe me vendosmëri.

Sipas tij, meriton respekt vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidatëve ditën e zgjedhjeve. Prandaj ndër të tjera shton se të gjithë aktorët politikë duhet të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit dhe krahas kësaj pret që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

Zingraf përgëzon PS-në për fitoren, ndërsa PD-në për arritjet në këto zgjedhje, që sipas tij, janë në rritje në krahasim me të shkuarat. Zingraf e mbyll deklaratën e tij duke thënë se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj europiane.

(Kliko këtu për postimin e plotë)

Ora 18:42 Macron dhe Sanchez urojnë Ramën për fitoren në zgjedhje

Të shumta janë mesazhet e urimit për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit për Kryeministrin Edi Rama.

Gjatë orëve të pasdites të kësaj të mërkure, Rama ka marrë urime nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, ashtu sikurse edhe nga Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Më herët një urim për fitoren erdhi edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Liderë të tjerë që kanë përcjellë urimet e tyre për Kryeministrin e Shqipërisë janë Presidenti Turk Erdogan dhe Kryeministri Grek Mitsotaqis, Ministri i Jashtëm Italian Di Maio dhe lideri i opozitës italiane Salvini, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, etj.

Ora 17:43 Kryesuesja e OSBE-së uron Ramën për fitoren: Presim që të vazhdojmë bashkëpunimin

Kryesuesja e OSBE-së, Ann Linde, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo thotë se pret vazhdimin e bashkëpunimit me kreun e qeverisë shqiptare në Troikën e OSBE-së.

“Urimet e mia më të përzemërta për kolegun tim të dashur Edi Rama mbi rezultatin në zgjedhjet parlalamentare në Shqipëri. Presim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë në Troikën e OSBE-së”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të saj.

Kujtojmë që Linde pasoi Ramën në detyrën e kryesuesit të OSBE-së.

Ora 17:17 DASH: Shpresojmë të vazhdojmë me partneritetin e ngushtë me Ramën, përgëzojmë opozitën për fushatën

Departamenti Amerikan i Shtetit ka uruar popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e 25 Prillit. Përmes një postimi në rrjetet sociale thuhet se DASH shpreson që të vazhdohet me partneritetin e ngushtë me Kryeministrin Edi Rama. Po ashtu, ata përgëzojnë fushatën e opozitës.

“SHBA-ja përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, thotë zëdhënësi Ned Price.

Ora 17:17 Ambasadorja Kim përgëzon Ramën për fitoren dhe Bashën për fushatën e fortë

Duke shpërndarë postimin e DASH në rrjetet sociale, edhe ambasadorja Yuri Kim ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Kim thotë se me njohjen e rezultateve të këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit, liderët do të veprojnë me përgjegjshmëri në të mirë të popullit. Ajo ka përgëzuar edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha, për të cilin thotë se ka drejtuar një fushatë të fortë e që i dha zë shumë njerëzve.

“Ne përgëzojmë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Përgëzojmë gjithashtu kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për drejtimin e një fushatë të fortë që i dha zë shumë njerëzve dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishme, ne përgëzojmë popullin shqiptar që foli qartë. Me njohjen e rezultateve të këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, liderët do të veprojnë me përgjegjshmëri në të mirë të popullit shqiptar. Presim që të punojmë me Shqipërinë për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin”, shkruan Kim.

Më tej, Kim shton se duhet pritur raporti paraprak i OSBE/ODIHR dhe më pas të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet. Po ashtu, Kim ka ripërsëritur apelin që autoritetet ligjzbatuese dhe gjyqësore duhet të ndjekin penalisht ata që kanë kryer krime zgjedhore.

“Ne e vëmë theksin tek raporti paraprak i OSBE/ODIHR dhe presim raportin përfundimtar, i cili duhet të përdoret për të përmirësuar edhe më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ripërsërisim se autoritetet ligjzbatuese dhe gjyqësore duhet të ndjekin penalisht këdo që shkeli ligjin dhe që pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar në mënyrë të lirë dhe paqësore”, shkruan më tej Kim.

Ora 16:18 Rezultatet e zgjedhjeve, reagon Sali Berisha: 25 Prilli, ditë e zezë në historinë e demokracisë në Shqipëri

Ish-kryeministri Sali Berisha i konsideron zgjedhjet e 25 Prillit si një ditë të zezë në historinë e demokracisë në Shqipëri. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ish-drejtuesi i Partisë Demokratike ka renditur të gjitha arsyet se pse këto zgjedhje nuk ishin demokratike.

Droga, narkoshteti, publikimi i të dhënave të qytetarit dhe blerja e votave janë disa nga arsyet që rendit Sali Berisha. Ai thotë ndër të tjera se “vota e lirë e shqiptarëve u ekzekutua para se të hidhej në kuti”.

Ora 14:54 – Celibashi: Janë numëruar votat për kandidatët në 37 qendra, pjesëmarrja në votime 46.32%

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se ka përfunduar numërimi për votat e kandidatëve në 37 Vende të Numërimit të Votave.

Në një deklaratë nga selia e KQZ, ai sqaroi se janë proces numërimi votat e kandidatëve në 14 qendra.

“Deri në orën 14:00 ka përfunduar numërimi për kandidatët për 37 VNV. Është drejt përfundimit ky proces për 14 VNV. Janë raportuar problematika në disa VNV, ku anëtarë të grupeve të numërimit duket që nuk janë duke i ndjekur ato procedura në lidhje e vlerësimin e fletëve të votimit. Kemi dërguar në këto VNV përfaqësues të KQZ për të bërë qartësimet e duhura kur ka qenë rasti”.

I pyetur për problematikat në këto qendra të numërimit, Celibashi tha se kanë qenë të ndryshme.

“Një nga problematikat që kemi patur më së shumti është tentativa për të rivlerësuar fletët e votimit, sidomos për ato të pavlefshme. Për këto fletë votimi KQZ ka disponuar sigurimin e tyre në një zarf të veçantë dhe të mos i nënshtrohet rinumërimit në një fazë të dytë”.

Nga ana tjetër, kreu i KQZ ka dhënë edhe shifrën e saktë të pjesëmarrjes në votimet.

Pjesëmarrja në votime ka qenë 46.32%. Nga këto 47.66% është pjesëmarrja e grave dhe 62.34% janë burra”, tha ai. 

Ora 13:54 Presidenca sqaron përfundimisht nëse Ilir Meta do të dorëhiqet

Presidenca ka sqaruar përfundimisht qëndrimin e Ilir Metës, nëse do të dorëhiqej sikurse ka deklaruar edhe vetë nëse fiton Partia Socialiste.

Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, thotë se Presidenti Meta do të dorëhiqej nëse Kryeministri Rama do të fitonte në mënyrë demokratike.

E në këtë rast, Presidenca vë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të 25 Prillit, duke sqaruar përfundimisht se Ilir Meta nuk do të dorëhiqet.

“Për të gjithë sahanlëpirësit e Bablokut: Presidenti Meta di vetëm të mbajë fjalën! Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike do të japë dorëheqje. E gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: Nuk ka dorëheqje”, shkruan në Facebook zëdhënësi i Presidencës.

Ora 12:27 – Presidenti Meta: Më 24 Korrik 2022 rikthehem në LSI

Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, duke thënë se do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim më 24 Korrik 2022 pasi të ketë përfunduar mandatin si kreu i shtetit.

“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 Korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e shqiptarëve”.

Meta i përgjigjet edhe deklaratës së Monika Kryemadhit, e cila më herët gjatës ditës së sotme tha se LSI gaboi me strategjinë e djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve vendore.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.  Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”.

Kujtojmë se përpara zgjedhjeve Ilir Meta deklaroi se do të dorëhiqet nga posti i Presidentit të Republikës nëse Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama fiton e vetme zgjedhjet për herë të tretë. Edhe pse KQZ ka shpallur fituese Partinë Socialiste me 74 mandate, mesa duket Ilir Meta është dorëhequr nga dorëheqja.

Ora 12:15 Paloka akuza Dakos: Njeriu që bashkëpunon me krimin fyeu kreun e PD në Durrës

Edi Paloka ka bërë akuza ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, për të cilin tha se ka ofenduar kryetarin e degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferri.

Edi Rama ka bashkёpunuar dhe vazhdon tё bashkёpunojё hapur me pёrfaqёsues tё krimit. Vangjush Dako, njeriu mё i afёrt i Ramёs nё Durrёs, nё listёn e Departamentit tё Shtetit Amerikan si figura mё e korruptuar dhe e lidhur me krimin nё Shqipёri, provokoi dhe fyeu kryetarin e Partisё Demokratike nё Durrёs, Z. Ferdinand Xhaferri. Ngjarja ndodhi nё ambjentet e Pallatit tё Sportit nё, ku numёroheshin votat e KZAZ 21 nё Durrёs. I shpallur non-grata nga SHBA, Dako nuk ka hezituar asnjё moment të tregojë se ai ёshtё kryetari real i PS-së në zgjedhjet e Durrёsit. Sot fryma e ndryshimit ёshtё mё e madhe se asnjёherё tjetёr. Ne jemi mё tё fortё dhe mё tё vendosur se kurrё dhe me vendosmёri ne do tё luftojmё çdo ditё pёr tё mbrojtur demokracinё dhe për të sjellë sё bashku njё tё ardhme mё tё mirё pёr vendin tonё. Ne do tё vazhdojmё tё luftojmё derisa demokracia tё fitojё”.

Incidenti ndodhi një ditë më parë, kur simpatizantët u përplasën dhe u desh ndërhyrja e policisë për t’i ndarë.

Ora 12:02 – Kryemadhi i kërkon falje Metës: Djegia e mandateve, strategji e gabuar për zgjedhjet

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka thyer heshtjen dhe ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Kryemadhi tha se LSI ka humbur zgjedhjet, por hodhi akuza për tjetërsim të votave.  Teksa bëri një analizë të arritjes së të këtij rezultati negativ, Kryemadhi i kërkoi falje dhe Presidentit në emrin e saj dhe partisë që drejton për strategjinë e gabuar të zgjedhur duke nisur që nga djegia e mandateve dhe mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

“Së pari dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, se ata fituesit e vërtetë. Uroj presidentin Vuçiç për sondazhet e sakta që dha për në Shqipëri. Dua të falenderoj 100 mijë votuesve  vlefshëm që i dhanë votën për LSI. Ky është një falenderim për të gjithë burrat dhe gratë që nuk u intimiduan dhe nuk u shitën. Makineria mediatike, politike-oligarkike kundër LSI që nuk ndaloi që në momentin ne zbatuam një strategji që pati pasoja në këtë rezultat, që nga djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhje dhe dashje pa dashje i dhamë Ramës të gjitha pushtetet.

Kjo gjë tregoi se shqetësimi i Presidentit ishte i drejtë, ndaj në emër të LSI dhe timit personal dua t’i kërkoj falje për strategjinë e gabuar duke nisur që nga djegia e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhje, që solli vetëm rrëmbimin e zgjedhjeve nga bandat dhe oligarkët. LSI ishte përball një padrejtësie të madhe, e vuri Shqipërinë në një udhëkqyr, dhe i dha hapësirë bandave dhe krimit, për të tjetërsuar dhe shformuar çdo vendim të qytetarëve shqiptarë.

Ne nuk do të tërhiqemi por do ta vazhdojmë betejën tonë me tutje. LSI nuk do të jetë vetëm në parlament, do të jetë në sheshe dhe do të jetë në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë. LSI do të vijojë denoncimet e saj në mënyrë të pashtershme“, tha kryetarja e LSI.

Më tej kryetarja e LSI ka hedhur akuza për blerje votash duke thënë se i janë hequr pa të drejtë 3 mandate, në Durrës, Korçë dhe Berat.

Ora 11:35 – Incidente në selinë e Partisë Demokratike

Në oborrin e Partisë Demokratike ka patur incidente mëngjesin e sotëm pas pakënaqësisë për humbjen në zgjedhjet e 25 Prillit.

Ish-kryetari i degës së PD në Kukës, Ipsen Elezi, shkoi i shoqëruar në selinë e PD së bashku me 10 persona të tjerë për të protestuar duke kërkuar dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha.

Por aty janë përballur me disa simpatizantë të Partisë Demokratike, të cilët nuk kanë lejuar protestën e Ipsen Elezit dhe kanë kërkuar largimin e tij. Në këto kushte, ai ka dalë jashtë oborrit të selisë blu.

Ndërkohë, simpatizantët e PD-së thonë se nuk është momenti i duhur për të bërë të tilla deklarata.

Ora 11:18 – LSI 0 mandate në Vlorë, vjen reagimi i Luan Ramës që kryesonte listën

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti të merrte asnjë mandat deputeti në Qarkun e Vlorës. Luan Rama, i cili kryesonte listën e LSI në këtë qark, ka reaguar për herë të parë pas humbjes së kësaj force politike.

Në një status në Facebook, Luan Rama thotë se tashmë është koha për reflektim. Rezultati i zgjedhjeve nuk është ai që prisnin, shprehet kandidati i LSI, i cili thekson se janë përballur me tentativa nga kundërshtarët për t’i përçarë.

“Unë e dua Vlorën: Kohë për reflektim… Ç’punë është bërë! Gjithçka e nisur nga fillimi. Ditë pas dite e zemër më zemër u bëmë shumë.Dhe me sa shumë njerëz të mrekullueshëm pata fatin të punoj në Vlorë e gjithkund tjetër, nga Mifoli deri në Konispol. Ata ishin energji dhe frymëzim, ishin mirësi, guxim dhe pozitivitet. Të përkushtuar dhe silidarë. Edhe pse rezultati i zgjedhjeve nuk është ai që prisnim dhe për të cilin punuam, ata të gjithë janë të njëjtët edhe mes lotëve të zhgënjimit, edhe mes mirësisë së dashurisë së tyre. Asnje peng që kandidova në Vlorë.

Asnjë mëdyshje për zgjedhjen për të qëndruar bashkë kundër të gjithëve që i patëm kundër, anipse ata kundër nuk ishin pak e çfarë nuk bënë të na përçanin, çfarë nuk sajuan e çfarë nuk derdhën rrugëve të Vlorës duke shpifur e trilluar ligësisht, duke ndërsyer natën e ditën gjithëfarë hijenash e çakejsh që nuk kanë instikt tjetër përveç të përdoren. Sot qytetarët e Vlorës janë me mua, janë me të gjithë ne qëndrestarët e LSI-së. Respekti dhe admirimi i tyre janë vota më e vlefshme, e prej detyrimit të mirënjohjes unë jam e do të jem në Vlorë. Eshtë koha për reflektim, është koha për t’u ringritur. Ky është mesazhi i lotëve dhe dashurisë së Monës, Junës, Anjezës, Inesit, Refit, Nikut, Edit, Morandit, Taulantit, të Filipit – Gavroshit tim të pa lodhur, Orionit të kudogjendur, Sonit të papërtuar, Vinit gjithmonë racional, Gjolekës përherë të matur e të vyer, Olsit të rajonit 4 që nuk dinte kurrë të pushonte… Eshtë mesazhi i të gjithëve që zjarrin e ndezur të mos e lemë të shuhet! Vlora e meriton gjithë dashurinë dhe mirënjohjen, dhe unë e të gjithë ne qëndrestarët e LSI-së, ia kemi detyrim”, thuhet në reagimin e Luan Ramës. 

Ora 10:50 – KZAZ nr.34 në Tiranë nuk nis numërimi

Në KZAZ Nr.34 në Tiranë nuk ka nisur ende numërimi i votave të kandidatëve. Numërimi duhej të kishte nisur në orën 09:00.

Ora 10:52 – Ngec numërimi për kandidatët në Tiranë, në disa KZAZ s’ka nisur ende puna

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, një ditë më parë me anë të një urdhri ka kërkuar që në qendrat e numërimit ku ende nuk kishte përfunduar procesi për numërimin e votave për partitë, sot në orën 09:00 duhet të niste numërimi për kandidatët.

Por urdhri i Celibashit duket se nuk është respektuar nga të gjithë. Sot në disa KZAZ nuk ka nisur procesi i numërimit.

Në një lidhje direkte në Klan News, gazetarja Glidona Daci, nga KZAZ 38 në Tiranë ka bërë me dije se procesi për numërimin e votave për kandidatët nuk ka nisur ende.

Por edhe në disa KZAZ të tjera nuk ka nisur procesi i numërimit të votave, siç ëshë KZAZ 34, pavarësisht se puna duhet të kishte nisur në orën 09:00.

Ora 10:37 – KQZ publikon të dhënat: 83,019 vota ishin të pavlefshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mëngjesin e sotëm ka publikuar të dhënat e fundit rreth zgjedhjeve të 25 Prillit. Në faqen zyrtare të KQZ bëhet me dije se në zgjedhje kanë marrë pjesë 1,662,253 votues në 5, 199 qendra votimi.

Në këtë zgjedhje është vënë re një numër i lartë votash të pavlefshme që nëse e krahasojmë me zgjedhjet e kaluara, është tepër e lartë.

Sipas KQZ në të gjitha qendrat e votimit janë 83,019 vota të pavlefshme dhe vota të vlefshme 1,578,168. Ndërkohë në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 3,588,869 zgjedhës.

Ora 10:15 – Vijon numërimi i votave për kandidatët në Qarkun e Shkodrës

Korrenspondentja e Klan News në Shkodër, Emi Kalaja raporton se nga Partia Socialiste kandidati më i votuar është Benet Beci. Kurse nga Partia Demokratike, Bardh Spahia mendohet të jetë surpriza nga radhët e të djathtëve.

Ora 10:05 – Përfundon numërimi i votave të kandidatëve në 2 KZAZ në Qarkun Dibër

Në Qarkun e Dibrës, në KZAZ Nr.16 Mat dhe KZAZ Nr.17 Klos ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët.

Nga Partia Demokratike, Xhelal Mziu ka marrë 603 vota, Kreshnik Çollaku ka marrë 4941 vota, Dhurata Çupi 2649 vota, Edmond Isaku 264 vota, Luan Haka 58 vota dhe Irini Shehu 118 vota. 

Nga Partia Socialiste, Lavdrim Krashi ka marrë 408 vota, Aurora Mara 8765 vota, Dionis Ymeraj 212 vota, Melaim Damzi 86 vota, Spartak Koltraka 92 vota dhe Anisa Xhika 63 vota.

Ora 09:55 – Numërimi i votave të kandidatëve në Korçë

Nga numërimi i deritanishëm i votave të kandidatëve në Korçë, nga Partia Socialiste më shumë vota ka marrë Niko Peleshi, 10.235 të tilla, më pas renditet Olta Xhaçka me 3754 vota dhe Ilir Topi me 2407 vota. Ndërsa nga Partia Demokratike në këtë qark, më shumë vota deri tani ka marrë Ervin Salianji i cili numëron 4886 vota, Andrea Mano me 4590 vota dhe Bledion Nallbati 3721 vota.

Ora 09:49 – Përfundon numërimi i votave për kandidatët në Kukës, kush janë 3 deputetët e rinj

Qarku i Kukësit ka përfunduar dhe numërimin e votave për kandidatët. Shifrave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deputetët e ri do të jenë Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj nga Partia Demokratike dhe, Gerta Duraku nga Partia Socialiste. Kandidati më i votuar në këtë qark është Flamur Hoxha nga Partia Demokratike dhe ndiqet nga Gerta Duraku që vjen nga radhët e PS. Votat për kandidatët e Partisë Demokratike: Flamur Hoxha 9159, Isuf çelaj 5257 dhe Shyrete Koka 3622. Votat për kandidatët e Partisë Socialiste: Gerta Duraku 5368, Petrit Malaj 3666 dhe Halim Dauti 2059.

Ora 09:40 – Numërimi i votave të kandidatëve në Elbasan

LISTA E PD

Gazment Bardhi – 1466 vota

Flutura Açka – 783 vota

Lefter Gështenja – 1292 vota

Dashnor Sula  – 5406 vota

Eugen Isai – 685 vota

Zheni Gjergji – 541 vota

Luçiano Boçi – 3270 vota

Qani Xhafa – 337 vota

Lumturi Hasa – 631 vota

Durim Çekrezi – 228 vota

Fadil Merzheku – 2714 vota

Gladiola Çala – 393 vota

Anila Bishqemi – 127 vota

Ardian Zeneli – 54 vota

Mehdi Shehu – 160 vota

LISTA E PS

Evis Kushi – 1345 vota

Klevis Xhoxhi – 572 vota

Besion Ajazi – 4980 vota

Dasantila Tahiraj – 621 vota

Saimir Hasalla – 6788 vota

Florenc Spaho – 597 vota

Luan Duzha – 3297 vota

Taulant Balla – 5541 vota

Albana Hana – 518 vota

Enver Roshi – 1157 vota

Briseida Gjoza – 258 vota

Shkëlqim Bullari – 1790 vota

Marsida Hyseni – 190 vota

Endri Pepa – 830 vota

Kristaq Skënderi – 220 vota

Departamenti Web TVKLAN.LA





Të ngjashme