PD nis fushatën elektorale, Basha: Edhe 31 ditë për të nisur ndryshimin



PD nis fushatën elektorale, Basha: Edhe 31 ditë për të nisur ndryshimin

17:36 25/03/2021

Tubimi i Partisë Demokratike për nisjen e fushatës zgjati 1 orë. Ishte parashikuar që të niste në orën 17:30 të pasdites, por zyrtarisht nisi në orën 18:00. Të pranishëm në këtë miting ishin shumë simpatizantë të PD-së, të cilët nuk zbatuan rregullat e pandemisë të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Fushata nisi me himnin kombëtar të kënduar nga tenori i njohur Kastriot Tusha. E para që foli në radhët e kandidatëve ishte Flutura Açka që u pasua nga Neritan Liçaj, Andi Lila dhe zëdhënësja e fushatës Floriana Garo. I fundit që mbajti fjalim ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Ai u shpreh se vetëm 31 ditë i ndajnë qytetarët nga ndryshimi. Po ashtu sipas Bashës me zgjedhjet e 25 Prillit do të shkulet një kastë.

Tubimi i PD-së përfundoi në orën 19:00, ndërsa u shoqërua me shpërthimin e disa fishekzjarreve. Në fund, në skenën kryesore u ngjit bashkëshortja dhe dy fëmijët e Bashës.

18:58-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u angazhua para qytetarëve se misioni i tij në krye të qeverisë do të jetë futja e Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ai u shpreh se gjatë qeverisjes së PD-së, për shqiptarët u bë e mundur hyrja në NATO dhe lëvizja e lirë në Europë.

“E mbani mend si thonin ishte e pamundur që Shqipëria të hynte në NATO por ne caktuam një pikësynim, punuam fort dhe ia dolëm, sot Shqipëria është falë nesh anëtare e NATO-s. Mbani mend si të gjithë thonin se nuk mund të arrihej marrëveshja për lëvizjen e lirë pa viza, se ishte e pamundur, se s’kishte asnjë shpresë që shqiptarët të lëviznin të lirë, pa viza, me pasaportat e tyre.  Por ne caktuam një pikë synim . Ne punuam fort dhe ia dolëm. Sot vij para jush për të shpallur një tjetër synim, një detyrë, një mision që i përgjigjet dëshirës së çdo shqiptari ndaj të cilit dhe ndaj të cilës angazhohem: Kur të më zgjidhni kryeministër detyra e parë madhore, misioni im hyjnor, misioni ynë hyjnor është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Që Shqipëria të jetë e fortë, e përparuar, e mirë për të gjithë, na duhet urgjentisht t’i lëmë pas 8 vite ngecje, 8 vite hapa prapa, 8 vite larg Europës dhe të nisim marshimin tonë të pandalshëm deri në anëtarësimin e plotë të kombit të shqipeve, në familjen tonë europiane”, tha Basha në nisje të fushatës së PD-së për zgjedhjet e 25 Prillit.

Kreu i demokratëve u shpreh se për të realizuar këtë gjë ka nevojë mbështetjen e qytetarëve.

“Na duhet që të nisim misionin tonë të pandalshëm deri në anëtarësimin e kombit të shqipeve në familjen europiane”, tha Basha.

18:50-Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, deklaroi në nisje të kësaj fushate për PD-në, se vendin e ndajnë nga ndryshimi vetëm 31 ditë. Ai u shpreh se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësor.

Lulzim Basha: Edhe 31 ditë! Vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, rrugën e zhvillimit, të punësimit, të mirëqenies dhe të integrimit të saj në familjen tonë europiane. Jemi këtu të gjithë bashkë dhe jam mes jush sepse ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm ti japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne dhe europiane të Shqipërisë. Të mundësojmë që më të mirët, më të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit sepse familja jonë e madhe Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësorë. Sepse ne sot më shumë se kurrë duhet të mbrojmë e të vendosim në vendin e duhur krenarinë tonë të kahershme kombëtare si shqiptarë, sepse duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim dhe këtë zbrazje që po i ndodh sot Shqipërisë. Sepse nënat dhe motrat tona duhet të kursen nga dhimbja që shkakton braktisja e vatrave të familjes, që si pasojë sjell braktisjen e madhe që ka pllakosur sot mbarë vendin. Sepse Shqipëria gjithmonë ka qenë kryelartë në shekujt e trazuar të historisë së vet. Dhe ne jemi sot këtu si përgjigje e thirrjes së saj për të ndalur dorën që zhvat pasuritë e kombit, dorën që vret shpresën e shqiptarëve dhe mendjen e errët që kërkon të mbjellë frikën dhe dyshimin në zemrat e bashkatdhetarëve tanë.

Kreu i PD-së foli edhe për kundërshtarin politik dhe tha se opozita do të çrrënjosë një kastë që po grabit shqoiptarët.

Lulzim Basha: U bë më shumë se një vit që filluam këtë marshim, këtë rrugëtim për të ndryshuar vendin tonë. Është një rrugëtim i vështirë por të cilin ne e kryejmë me përgjegjësi dhe me një gëzim të brendshëm sepse ne jemi të vetëdijshëm se puna jonë është një përkushtim dhe sakrificë për vendin, për shqiptarët, për Shqipërinë, për kombin sepse po shkulim dhe çrrënjosim nga damarët e tokës tonë një kast, një grusht, një të keqe që ka vendosur të shterojë dhe të përvetësojë për interesat e veta të gjitha pasuritë dhe burimet që Zoti kaq bujarisht ia ka falur Shqipërisë. Dhe po luftojmë kundër një grushti njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të mbajtur karriget e tyre por në të vërtetë ata nuk na qeverisin por ju shërbejnë vetes dhe ortakëve të tyre që po rrëmbejnë përmes akteve grabitqare gjithçka që ky vend ka, pasuritë tuaj, pasuritë e kombit. Por vëllezër dhe motra ne po zhvillojmë edhe një betejë tjetër, një betejë brenda vetes. Unë e di se pas 8 vitesh zhgënjime, mashtrime shumëkujt i ka humbur besimi e shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. Për të gjithë ata që kështu mendojnë unë kam një pyetje për ju. A është kjo ajo që ne meritojmë? A janë varfëria dhe kostoja e jetës që rritet çdo ditë e më shumë ajo që ne meritojmë? A është mungesa e vendeve të punës, papunësia dhe mjerimi ajo që meritojmë? A është largimi nga sytë këmbët i rinisë, i këtij populli të talentuar, ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo, nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë dhe prandaj ne jemi sot këtu para jush që tua bëjmë të qartë të gjithëve, ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe mundemi të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë.

18:36-Floriana Garo: Lulzim Basha, udhëheqësi që i duhet Shqipërisë. Muajt e fundit e kam parë Bashën të luftojë në orët e vona të natës, duke u konsultuar me ekspertë. E kam parë Lulzim Bashën të takohet me qytetarët e Shqipërisë. E kam parë si i shikon në sy dhe si i dëgjon ata që kanë probleme. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për ndryshim. I vetmi person që mund të formojë një qeveri, që mund të kujdeset për të përmirësuar jetët e të gjithëve është vetëm Lulzim Basha.

18:32-Andi Lila: Sot dua të them se kam pranuar ofertën politike të kryeministrit Basha me bindjen e plotë se fitorja është e jona. Sa herë jam futur në fushën e futbollit e dija se në fund do të kishte se ka një palë që fiton dhe një që humb. Kjo e sotmja nuk është lojë, nuk është garë mes shqiptarëve, por përballje, është e ardhmja e fëmijëve tanë.

18:26-Aktori i njohur Neritan Liçaj në fjalën e tij i bëri thirrje qytetarëve që të mos e shesin votën.

“Rri në këmbë si një bir i juaj, për të filluar një festë të madhe, festën e forcës së qytetari, festën e atyre njerëzve që votën e shkundin për të përmirësuar jetën e tyre.  Tik Tak erdhi ora. Dhe një muaj dhe ke për ta parë sa të vlen lëkura. U them të gjithë atyre njerëzve që sot kanë pikëpyetje dhe pyetje për t’i bërë vetes. Të gjithë atyre efektivëve të policisë, atyre bij dhe bija shqiptarësh ju kujtoj betimin me flamurin kombëtar në krah që i janë betuar Shqipërisë dhe jo kësaj qeverie të kalbur. Mos pranoni më të gjunjëzoheni, por pranoni të fluturoni dhe të ndjeheni shqiptarë”, tha ai.

18:16-E para që foli në këtë nisje të fushatës për PD-në ishte shkrimtarja e njohur Flutura Açka. Ajo u shpreh se zgjedhjet e 25 Prillit janë zgjedhje që ndreqin demokracinë. Açka mes emocioneve tha se në këtë fushatë, bashkë me të lufton edhe djali i saj i cili ka humbur jetën, me qëllimin sipas saj për ta parë Shqipërinë në Europë.

“Unë nuk di të mbaj fjalime politike, por di të flas me zemër. Si njeri i mësuar me dekada me vesin e bukur të vetmisë, edhe pse jam njeri i fjalës dhe i stërvitur me lojën e saj, nuk e ndaj emocionin kur flas për gjëra shumë të dashura. M’u deshën vetëm pak çaste të vendosja. Vendosa mos të isha indiferente në kohë kaq të turbullta, duke pranuar kandidaturën për deputete në Elbasan ju më shtytë të njoh një botë mrekullitëse, aq njerëzore që më ka bërë aq të ndjeshme sa Zoti më ka bekuar me magjinë e fjalës. Do t’ia dalim t’i kthejmë, vetëm duke ndrequr demokracinë. Ose të ndreqim demokracinë tonë, ose të shkojmë në diktaturë. Të fillojmë ta ndreqim që sonte demokracinë. Bashkë me mua lufton edhe im bir, ëndrra e pakryer e të cilit për ta parë Shqipërinë në Europë është pjesë e betejës sime. Prandaj kundërshtarit tim i duhet të përballet me dy qenie të drejta”, tha Açka.

18:12-Partia Demokratike e nisi fushatën me himnin kombëtar që u këndua nga tenori i njohur Kastriot Tusha.

18:08-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mbërrin në sheshin “Nënë Tereza”

17:30-Demokratët kishin menduar që pavarësisht masave të pandemisë në shesh të kishte edhe simpatizantë të ndryshëm, por siç mund të shihet, nga të pranishmit janë shkelur rregullat e pandemisë. Një folës bënte thirrje vazhdimisht që ata të mbani distancën dhe maskat mbrojtëse kundër virusit.  

Demokratët huazuan një pjesë të fushatës së Presidentit amerikan, Joe Biden, ku një pjesë e qytetarëve qëndronin në makinat e tyre në shesh dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Më herët, vendet anëtare të Bashkimit Europian i bënë thirrje aktorëve politikë në Shqipëri që të zhvillojnë një fushatë zgjedhore larg konfliktualitetit dhe gjuhës së urrejtjes./tvklan.al







Të ngjashme