Personazhet e vitit 2019, sipas Opinion



Personazhet e vitit 2019, sipas Opinion

Autori: Blendi Fevziu

20:43 26/12/2019

Të ftuar në studio: Luljeta Bozo, Artan Hoxha, Marin Mema, Armando Duka, Voltana Ademi, Eliza Hoxha, Mentor Petrela dhe Eneda Tarifa. Nga Maqedonia reportazh për Ali Ahmetin, intervistë e Behgjet Pacollit.

Mjeku tregon momentin e vështirë të profesionit: Komunikimi me familjen kur…

Mentor Petrela është një neurokirurg i njohur shqiptar, i cili është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” në Tv Klan si një nga personazhet e vitit. Petrela njihet gjerë për teknikat e përparuara të operacioneve me pacientin zgjuar.

Në studio pasi u pyet nga moderatori Blendi Fevziu, Doktor Petrela tregoi edhe një nga momentet më të vështirë të punës së tij.

“Nga më të vështirat është komunikimi me familjen kur je përballë një dështimi jo vetëm profesional, por edhe dështim me sfidën e sëmundjes. Ai është momenti më i vështirë”, tha Petrela.

Sipas doktorit nuk ka njeri të pagabueshëm. Nëse një doktor nuk e pranon që ka gabuar Petrela tha se ai është gënjeshtar.

Ndër të tjera, Petrela tregoi edhe si e zgjodhi këtë profesion, i cili mbi të gjitha kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës.

“Ka qenë një dëshirë e fshehtë e babait tim, që mundohej të ma ushqente. Por nuk kanë qenë të gjitha elementet që unë të futesha në mjekësi. Unë kam qenë një nga “delet e zeza” që as nuk kam pretenduar që do të shkoja për studimet e larta. Fillimisht u futa në rusisht, pastaj ka qenë profesor Gjata i cili më transferoi tek mjekësia. Është profesion i vështirë që kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës”, tha Petrela.

“Më i frikshmi tërmeti”, Luljeta Bozo: Nga çfarë tjetër rrezikohen ndërtimet në Shqipëri

Inxhinieria Luljeta Bozo është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” në Tv Klan si një nga personazhet e vitit 2019. Profesoresha qetësoi shumë njerëz pas tërmetit katastrofik të 26 Nëntorit, pasi ishte ndër të paktët njerëz që shpjegonte qartë se çfarë po ndodhte me ndërtimet në vendin tonë.

Për sa i përket rreziqeve natyrore nga të cilat rrezikohen më së shumti ndërtesat në Shqipëri, Bozo u shpreh se më i frikshmi është tërmeti. Rreziqe të tjera, ajo renditi rrëshqitjet e dherave, përmbytjet dhe zjarret.

“Ne kemi shumë probleme, shumë rreziqe natyrore, më i frikshmi është tërmeti. Megjithatë pak a shumë dihet në Shqipëri kush janë zonat me aktivitet të lartë sizmik. Durrësi nuk duhet të zbrazet, por duhet të ndërtohet mirë. Rreziku i dytë janë rrëshqitjet e njëpasnjëshme. Ka mundësi që plani i rrëshqitjes të jetë 60 metra thellë, e nuk ka masë inxhinierie që e pengon atë. Rrezikun i përmbytjeve, pasi gjithë sistemi i kullimit, i prishëm të gjithë. I hoqëm gurët për të bërë shtëpi. Rreziku i fundit i zjarreve, që në shumë raste janë nga pakujdesia mos themi të qëllimshme por që prishin gjithë ekosistemet”, tha Bozo.

Ndër të tjera, Bozo rrëfeu në “Opinion” se si nisi studimet. Ajo tregoi se kishte shumë qejf fizikën, ndërkohë që në rini kishte dashur të bëhej gjeologe. Por për shkak të sistemit të kohës, dëshirat caktoheshin. Prandaj, ajo ka studiuar së bashku me shoqen e ngushtë në Institutin e Arkitekturës në Moskë.

Luljeta Bozo rrëfeu se edhe pse kishte shkuar për arkitekturë në fillim nuk dinte të vizatonte dhe këto të fundit ia bënte i vëllai.

“Edhe vizatimin teknik në shkollë ma bënte vëllai se ai kishte mbaruar poltikenikumin dhe ai më bënte vizatimet. Por aty ishte marrëveshje që ne do të shkoni atje, bënim apo jo. Në na dhanë kokën e Apollonit ta vizatonim për 4 orë. Ne rrinim shikonim njëra tjetrën dhe qeshnim se çfarë do bënim. Nuk dinim… Kur sa iku ai instruktori vijnë studentët e vitit të tretë. Ne rusishten e dinim shumë mirë, sepse gjuhë ruse në shkollën e mesme na i bënte një ruse. Erdhën ata, pam pam… Për tre minuta dhe shkuan në punën e vetë. Vjen instruktori pas gjysmë ore: Shumë mirë vajza tha, e keni bërë shkëlqyeshëm. Ne drejt e drejt: nuk e kemi bërë vetë! Ai bëri sikur nuk dëgjoi. Na merr ai ato vizatimet e tona na çon tek Zv.dekani. Edhe ky tha shumë mirë i keni vizatuar, ne po i thamë prapë nuk i kemi bërë vetë. Nuk ka problem tha, ju do ti mësoni të gjitha këto dhe kjo ishte kaq e vërtetë sa që njeriu kur do i mëson që të gjitha. Unë që nuk dija të vizatoja as një kokërr mollë, në fund të vitit të parë punën time e mbajtën si vizatimin më të mirë të grupit”, tregoi inxhinieria.

A ka fituar para Duka me biznesin e tij?

Ndërtimi i stadiumit “Air Albania” bëri që stafi i emisionit “Opinion” në Tv Klan të përzgjidhte Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka si një prej personazheve të këtij viti që po lemë pas. Edhe pse drejton federatën e futbollit, Duka nuk ka pasur lidhje me futbollin profesionist.

Ai tregoi se nuk ka qenë në ambiciet e tij që të ishte në federatë, por ishin rrethanat e kohës që e çuan aty. Duka ka studiuar për Ekonomi-Industri në Universitetin e Tiranës.

“Ajo që kisha dëshirë duke qenë pak dembel nuk ishte ekonomi, thoja Histori –Gjeografi se është me kollaj. U detyrova të studioja Ekonomi dhe më emëruan në Burrel, kam punuar 4 vite në parkun e mallrave të Burrelit deri në vitet 90-të, pastaj u ktheva në Durrës dhe kam filluar iniciativën private”, tha Duka.

Por pyetjes nëse ka arritur të fitojë shumë me biznesin e tij, Duka tha se nuk ka marrë asnjë para, por prona.

“Asnjë lekë s’kam, por kam prona. Kam aq lekë sa kam pas në vitin 1991 kur kam filluar, aq kam dhe sot. Asnjëherë nuk më dilnin se duheshin për të plotësuar…atëherë duheshin 20 euro, sot mbase me shifra më të mëdha, por prapë duhen, asnjëherë nuk ka tepruar asnjë lekë cash. Punoj sikur do jem i pavdekshëm.”

Për sa i përket stadiumit të ri kombëtar, kreu i FSHF-së u shpreh i gëzuar për ndërtimin e tij. Ai tha se federata sheh që janë plotësuar kushtet e brendshme dhe nuk i prish punë kulla.

“Jam shumë i gëzuar që kemi një stadium, i cili plotëson të gjitha kushtet për të patur dhe për të organizuar ndeshje. Një stadium që besoj se ndikon jo vetëm në cilësinë e futbollit, por edhe të njerëzve që vijnë. Balanca mendoj se është pozitive është një objekt i domosdoshëm dhe shumë i mirë për Shqipërinë për futbollin. Duke qenë në pozicionin e Federatës së Futbollit për ne është më e mira e mundshme sepse plotëson të gjitha kushtet e brendshme dhe nuk është se na prish ndonjë punë kulla.”

Nga artiste në politikane! Flet Eliza Hoxha: Qëllimi nuk ishte parlamenti

Në fillim fotografia… pastaj arkitektura, kënga dhe në fund politika. Këtë rrugë ka ndjekur Eliza Hoxha, e përzgjedhur nga stafi emisioni “Opinion” si personazh i vitit 2019.

Artistja tashmë është kthyer në politikane. Në studion e “Opinion” deputetja e PDK-së në Kosovë ka rrëfyer arsyet pse zgjodhi t’i hyjë politikës.

“Qëllimi nuk ka qenë parlamenti në fakt. Sfida që unë jam ballafaquar gjatë gjithë kohës gjatë këtyre viteve ka qenë qyteti. Unë kam studiuar për arkitekturë, por nuk bëj arkitekturë në fakt, specializimet i kam në planifikim dhe zhvillim urban dhe kam reflektuar për qytetin dhe shkruar për qytetin. Kemi protestuar për ruajtjen e trashëgimisë ose objekteve moderne që datojnë nga koha e ish-Jugosllavisë dhe në fund e kupton që…në fakt unë të gjitha format e artit i kam përdorur si një farë mjeti politik. E kam përdorur artin si mjet politik pa e ditur…sot kur e mendoj në retrospektivë po. Aty ka nis dhe më pjesën e maturimin ndoshta, kur ti pastaj pas vitesh fillon kupton sa e pasur je në idenë e shprehjes dhe komunikimit dhe më pas kur ato bëhen bashkë normalisht zëri yt bëhet edhe më i fortë. Në fakt në një moment e kuptova që ideja e avokimit të dhe protestës për ndryshim nuk mjafton. Unë e absorbova 20 vite edhe duke lënë në një anë tjetër që zakonisht sa herë pa patur zgjedhje sidomos në nivelin lokal më kanë ftuar gjithmonë të gjitha partitë politike. Jam përfshirë në mars dhe as e kam patur idenë që do kishte zgjedhje… Unë kam hyrë për Prishtinën bashkë me Uran Ismailin, i cili do të jetë do të jetë kandidat për Prishtinën edhe ndodhi që ra ra qeveria dhe mendova që nuk do të rri në prapakuintë dhe e testova veten”.

Politika ka ndryshuar shumë njerëz, por a do ta ndryshojë Hoxhën?

“Ma kanë thënë plot, por me veten jam rehat në këtë pikë. Të paktën edhe nëse nuk eci, të paktën e di që e kam dhënë veten për atë pozicion që të bëj diçka për vendin tim, kjo është arsyeja e parë. Nuk do bëj çudira unë sepse aty pastaj nuk varet prej individit, por që qëllimi është i mirë, hapësirë ka ne çdo ditë kritikojmë në kafene se nuk ndryshon skena politike se nuk ndryshojnë proceset…normalisht që nuk ndryshojnë me aktorët e njëjtë dhe në një moment thashë përse jo po e provoj,” u shpreh ajo.

Gazetari: Shtëpinë e parë po e ndërtojmë me kosto më të ulët se ajo që ka deklaruar qeveria

Në mesin e personazheve të vitit 2019, të përzgjedhur nga emisionin “Opionin” në Televizionin Klan, ishte edhe Marin Mema. Gazetari foli për mbledhjen e fondeve sëbashku me “Albanian Roots”, për të prekurit nga tërmeti. Ai tha se reagimi që kishte pasur ishte tërësisht njerëzor, për të ndihmuar në atë që do të vinte më pas, pa e ditur për reagimin e jashtëzakonshëm që do të kishin shqiptarët. Mema tregoi se thuajse 1.6 milionë dollarë janë mbledhur vetëm nga shqiptarët e Amerikës.

“Ishte një reagim i natyrshëm. Në fakt nuk kam qenë në Shqipëri kur ndodhi tërmeti, po vija nga SHBA për çështje pune dhe në momentin kur kam zbritur në aeroport isha në kontakt me kreun “Albanian Roots”, “Rrënjëve shqiptare”, që është edhe miku im në të njëjtën kohë. Më erdhi një reagim njerëzor, kërkova të reagoja, kërkova po themi të ndihmoja në atë që do të vinte më pas dhe sigurisht me një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë vajzat dhe djemtë e “Albanian Roots” me qendër në New York, menjëherë vumë atë status edhe në faqen time në Facebook dhe në të tyren dhe menjëherë nisëm shumë natyrshëm mbledhjen e fondeve. Pa menduar që do të ishte ky reagim masiv i jashtëzakonshëm i shqiptarëve që në fakt treguan se mund të thyejmë barrierat e imponuara shpesh edhe nga politika. Shqiptarët arritën të tregojnë se mund të ndihmojnë më shumë se gjithçka njëri-tjetrin. Thuajse 1.6 milionë dollarë janë mbledhur vetëm nga shqiptarët e Amerikës. Nga shqiptarët në tërësi domethënë nga shqiptarët e Amerikës, e Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, tërësisht nga shqiptare që janë jashtë. Nga Shqipëria dhe nga Kosova nuk mundën të bëjnë donacionin e tyre përmes kësaj forme që në kishim përzgjedhur, pra është një fond tërësisht i mbledhur nga shqiptarët e mërgatës. Ne kemi filluar procesin, jemi grupi që kemi filluar të rindërtojmë shtëpinë e parë. Unë e kam shprehur edhe në komitetin e rindërtimit, ne jemi për koordinim pasi është normale, por jo centralizim. Nuk mund të bëjmë centralizëm të fondeve pra duam të jemi me fytyrë përballë njerëzve, me përgjegjësi përballë njerëzve që kanë besuar këto fonde tek ne”.

Gazetari tregoi se bashkë me grupet e vullnetarëve janë përpjekur që të identifikojnë familje të cilat kanë më shumë nevojë. Ai tha se deri në centin e fundit do të shkojë për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit, ndërsa zbuloi se shtëpia e parë po ndërtohet me kosto më të ulët se ajo që ka deklaruar qeveria.

“Shtëpinë e parë e kemi filluar në zonën e Tapizës, në një familje që kishte vështirësi të madhe ekonomike, të njëjtën procedurë do të ndjekim. Jemi përpjekur me grupe vullnetarësh të identifikojmë familjet që kanë më shumë probleme me më shumë vështirësi ekonomike, që janë pensionistë apo janë familje me të sëmurë dhe rast pas rasti më pas të fillojmë rindërtimin e shtëpive. Deri në centin e fundit të tregojmë që në 30 vite gjërat kanë ndryshuar dhe në raste të tilla nuk ka njerëz që flenë të varfër. Do të qëndrojmë në transparencë deri në fund, do të qëndrojmë cent për cent deri në fund. Do të qëndrojmë për shqiptarët e prekur nga tërmeti, ashtu siç janë dhënë me atë reagim të jashtëzakonshëm të dhënë nga mërgata. Kemi nisur shtëpinë e parë për të dhënë dhe mesazhin që është koha të lëmë fjalët, të lëmë shoë-t mediatike, të lëmë këto daljet këtu lart e poshtë dhe të ndihmojmë. Ka firma ndërtimi që janë të gatshme të bashkëpunojnë, ne kemi venë vetëm një kusht që të gjitha ndërtimet që do të bëjmë do t’i bëjmë me çmim kosto madje edhe nën kosto, mjafton të përmend shtëpinë e parë që po ndërtohet, po e ndërtojmë me jo shumë se 300 mijë lekë metri katror, pra kosto më të ulët se ajo që ka deklaruar qeveria”.

Voltana Ademi: E vështirë të jesh femër në politikën shqiptare

Stafi i emisionit “Opinion” ka përzgjedhur edhe Voltana Ademin si një nga personazhet e vitit 2019. Ajo është zgjedhur për shkak se qëndroi në krye të protestave politike me shpirtin e saj luftarak.

Ademi tregoi se ka studiuar për inxhinieri informatike dhe violinë. Për sa i përket politikës ajo rrëfeu se është angazhuar shumë herët.

“Me gjithë vështirësitë dhe konfliktet edhe brenda partisë jam përpjekur të jem e vërtetë dhe të jem çdo ditë,” u shpreh Ademi.  

Voltana Ademi iu përgjigj edhe pyetjes nëse është e vështirë të jesh në politikën shqiptare kur je grua.

“Në Shqipëri është e vështirë të jesh femër dhe në politikë…mendoj që është e vështirë kudo. Në Shqipëri është e vështirë për shkak të konfliktualitetin që ne kemi. Po ta lejosh që të të imponohet me të vërtetë që mund të të ndryshojë, gjithçka është që të jesh vetvetja dhe të vazhdosh njësoj. Gjithsecili ka eksperiencën e tij dhe vjen me një background, por unë një gjë kam mësuar gjatë këtyre viteve kundrejt presionit politik që në Shqipëri është shumë i rëndë. Unë mendoj që të qenurit profesional dhe të bërit të gjërave… duke ndjekur rrugëtimin që është më i drejtë i duhuri dhe është profesional është rruga më e mirë për të gjetur rrugëzgjidhje dhe për t’ia dalë. Të paktën kështu ka qenë për mua dhe kështu vazhdon të jetë përditë. Ndonjëherë kur kam çështje dhe konflikte të vështira dhe në Shkodër ka plot të tilla i them mendjes time ‘bëhu profesional”. Nuk është kollaj por mendoj se është e mundshme”, tha ajo.

Fitoi “Këngën Magjike”, Tarifa: Nuk e pata të lehtë

Fitoi çmimin e madh të festivalit “Kënga Magjike”, por Eneda Tarifa pranon se nuk e pati të lehtë të këndonte, pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Nga studio e “Opinion”, që e bëri atë pjesë të personazheve të vitit 2019, këngëtarja tha se muzika është një profesion i bukur që e shoqëron dhe zbukuron jetën e njeriut edhe në momente të vështira.

“E pata të vështirë që në momentin që na u tha që Kënga Magjike do të zhvillohet në të gjithë atë kaos. Unë isha larguar nga qyteti i Tiranës. Sigurisht që pata frikë, janë fenomene natyrore që trembin, nuk janë të kollajta. Unë jam kati i gjashtë dhe vërtet që u tund shumë. Pata shumë vështirësi të këndoja atë ditë, por ky është profesioni ynë. Unë kam zgjedhur të jem këngëtare, nuk kam në dorë të shpëtojë jetë njerëzish, por është një profesion shumë i bukur që e shoqëron dhe e zbukuron jetën e njeriut, edhe në ato momente kur mendon se gjithçka është në kllapi”.

Tarifa zbuloi dhe pyetjen e saj të jetës.

“Është pyetja ime e gjithë jetës. Kush quhet profesion, ai për të cilin ti studion apo ai për të cilin ti investohesh dhe ushtron gjatë gjithë jetës tënde, që në këtë sens unë më shumë jam këngëtare, edhe pse kam mbaruar filozofi, një degë që unë kam dashur, por nuk mund të jesh filozofe, kanë vdekur filozofët. Vetëm një njoh unë në Shqipëri që është Artan Fuga. Për më tepër eksperienca dhe bota akademike të bën të arrish drejt filozofisë, por unë nuk besoj që është më një degë është degë luksi i themi ne. Por mua më ka ndihmuar jashtëzakonisht, më ka hapur mendjen është fizkultura e mendjes më ka ndihmuar në profesionin tim si këngëtare, si prezantuese gjithashtu”.

Mbulon kronikën, por dikur ëndërronte të bëhej…

Gazetari njohur i kronikës, Artan Hoxha ishte një tjetër emër i përzgjedhur nga emisioni “Opinion”, si një prej personazheve për vitin 2019. Hoxha tregoi për fillimet e karrierës së tij, ndërsa zbuloi se kishte pasur ëndërr që të bëhej komentator sportiv.

“Unë e kam pas ëndërr që fillimisht të isha komentator sportiv. Imitoja shumë dhe vazhdimisht. Edhe në Greqi më mban shpesh afër pasi imitoja. Ka qenë një komentator grek i njohur Manoli Mavromates dhe unë e imitoja gjithë kohës, pastaj kam filluar fillimisht si gazetar sportiv, kam bërë dy vjet dhe gjëja që bëj më thjeshtë është gazetar sportiv, prandaj jam aq i angazhuar me sportin. Tek redaksia e “Koha Jonë” gazeta “Sport Ekspres”, që ishte gazeta më e madhe në atë kohë sportive i kishte kompjuterët në kat të parë, unë vija ndërkohë dhe mbuloja klubin “Dinamo” që kisha qenë dhe tifoz me këtë klub. Duke shkuar në stadium filloj të shikoj se kush ishte tek tribuna VIP dhe më tërhiqte shumë vëmendjen kjo pjesa. Tek VIP-i shikoj që ishin ata çunat e fortë me emër dhe ndërkohë ishin dhe politikanët aty. I kam gjetur pikërisht në stadium, duke folur me kolegët e kronikës i tregoja që filanin e keni në stadium. Kij parasysh në ato kohë Lushnja mori Mario Kembes, lojtar shumë i njohur. Skuadra të tjera filluan të merrnin lojtarë të huaj dhe dukej sikur futbolli ishte më avangardë se shoqëria. Nga kjo kalova tek kronika në 1997 më pas ishte ajo që më la aty, zgjodha zonat më të vështira edhe më pëlqenin isha shumë kurioz. Ku nuk shkonte njeri isha i prirur të shkoja. Kisha Beratin që u bë një luftë e vërtetë, sepse jam nga Skrapari dhe duhet të kaloja nga Berati fillimisht dhe duhej të bisedoja me bandën e Karbonarës me gjenin një makinë më çonin në Perondi dhe nga aty duhet ta bëja në këmbë dhe pastaj duhet të negocioja me një bandë tjetër që të dilja nga Berati dhe të shkoja në shtëpi. Unë i provova të gjitha në fakt sektorë, por ngela tek kronika”.

Hoxha zbulon më tej se e gjeti veten tek kronika dhe aktualiteti sepse nga të gjitha fushat, pa që ishte sektori që kishte më pak ndërhyrje nga të jashtë.

“Populli ka një shprehje shumë interesante “Jep dy lekë e hy në valle, jep 5 e nuk del dot”. Tani unë kam hyrë aty brenda. Është një serial që ka një shprehje të famshme, që thotë që “Gazetaria është skica e parë e historisë”. Ti ke mundësinë para se të fillosh të shkruash historinë, ti je i pari aty dhe ke mundësi që të shikosh të freskët dhe sidomos unë ngela tek kronika dhe aktualiteti sepse nga të gjitha ato që pashë mu duk si sektori që ishte më i lirë se të tjerët, pra nuk ndërhynte shumë pronari, kryeredaktori, sepse sa i thoshe ti emrin e një banditi thoshte “lëre të merret ky me ata, vetëm aman mos të na krijojë probleme”. Është një fushë krejt e lirë që ti ke më shumë hapësirë. Mbaj mend se më ka rastisur të punojë edhe me kryeredaktor Blushin, edhe më Baxhakun dhe me Çanin dhe sa herë vinte një bande te dera thoshin “bëj ca të duash dil te dera merru vesh me ta”. Mendoj që Shqipëria për shkak të zhvillimeve të vrullshme që pati gjatë këtyre 3 dekadave ishte një fushë krejt e parrahur, ne nuk kishim modele fikse kë duhet të ndiqnim por të jepte mundësinë që të krijoje modelin tënd. Nga viti 1998-1999 kur filloi ajo lufta ku shteti po përballej me krimin dhe kemi qenë në një takim me të huaj dhe mbaj mend një gazetar i cili tha “gazetaria është i vetmi profesion ku ti mund të jesh i thjeshtë në rrugë me duar në xhepa, por të lësh pa gjumë njeriun më të fuqishëm të vendit”. Kjo e rrjeteve sociale ende nuk është maturuar dhe besoj se gazetaria nuk do të zhduket. Nga të preferuarit e mi ka qenë gjithmonë Ernest Heminguej dhe gjenialiteti i tij nisi me shkrimet e shpejta që duhet të bënte, ne na duhet të raportojmë për ngjarje shumë shpejt. Nuk e ndaj dot sot me thikë ku mbaron bota e krimit dhe ku fillon e politikës”.

Pacolli tregon si e mori vendimin për të dhuruar 1 mln euro pas tërmetit

Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli ishte një ndër të parët që mori nismën për të dhuruar para për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Plot 1 milion Euro ka dhuruar ai pas situatës së krijuar në vendin tonë.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” si një nga personazhet e vitit 2019. Gjatë një interviste ai ka rrëfyer se si e mori vesh lajmin për tërmetin.

“Unë në datën 25 Nëntor isha këtu në Shqipëri. Tërë ditën pothuajse e kalova dhe në mbrëmje udhëtova për në Kosovë. Në datën 26 është dridhur toka, unë e kam ndjerë atë dhe jam ngrit prej gjumi, por nuk kam pasur asnjë ide se ku ka qenë ajo. Kam dalë në ballkon menjëherë dhe më pas kam fjet. Të nesërmen unë e kuptova se çfarë ka ndodh dhe e përjetova shumë keq. Atë ditë isha nisur për në Zvicër, kështu që gjatë rrugës prej shtëpisë në aeroport dhe nw aeroplan unë nisa të lexoj lajmet. Dhe deri sa mbërrita në Zvicër e pash çfarë ka ndodhur. Vajza ime erdhi dhe me priti në aeroport dhe më tha: “Babi ka ndodhur një tragjedi e madhe në Shqipëri, thotë mendohet se ka me dhjetëra të vdekur dhe në shkollë pyetjen e parë që më kanë bë, sa do të kontribuoni ju dhe si do të kontribuoni?””, tregoi Behgjet Pacolli.

Ai shprehet se ka diskutuar me vajzën dhe djalin, të cilët kanë qenë ata që kanë vendosur shumën.

“Thonë ia fillojnë diku prej 10 mijë euro dhe vjen dalë ngadalë duke u diskutuar kjo shumë deri në 1 milion. Edhe vajza thotë edhe më shumë se kaq. Në datën 27 herët kam ardhur në Shqipëri me aeroplan dhe kam shkuar drejt në Thumanë. Aty ishte ajo ideja ime që të kontribuoj. Ne kemi vendosur që të deklarojmë atë 1 milion. Unë kam menduar shumë që të mos deklarohet fare, të jepet në mënyrë anonime. Vajza ime më tha që unë duhet me e publiku, për arsye se unë duhet t’ju them shokëve dhe shoqeve”.

Pacolli deklaroi se projekti për kompleksin e pallateve që do të ndërtohet në Thumanë ka mbaruar dhe është bërë që t’i adaptohet zonës sizmike. Ai tha se janë paguar edhe materialet për të nisur puna.

19 vjet në krye të partisë, Ali Ahmeti: BDI, thesar kombëtar

Ali Ahmeti është konfirmuar pak ditë më parë për të 19-in vit në krye të BDI-së. 19 vjet të drejtosh një parti nuk është e lehtë, sidomos në Shqipëri. Ali Ahmeti ia ka arritur dhe më e çuditshmja është që vazhdon të jetë në politikën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ndoshta edhe pa një rivalitet shumë të fortë.

Në një intervistë për “Opinion”, Ahmeti thotë se rikonfirmimi i tij në krye të BDI-së, një subjekt politik të cilin e cilëson thesar kombëtar, me një histori të begatë, e ka mbushur atë me vullnet e forcë për të çuar përpara punët e mbetura.

“Nuk kam dashur që të tradhtoj atë vullnet të fortë të të gjithë anëtarëve të BDI-së që me unanimitet nga Likova, Kumanova, Struga e Manastir kanë shfaqur vullnetin e tyre që unë të drejtoj familjen e tyre, subjektin e tyre edhe për 4 vitet e ardhshme. Kështu që edhe kjo më ka mbushur me vullnet, por edhe me forcë, që edhe ato punë që kanë mbetur, që unë vlerësoj që kanë mbetur, që edhe nuk janë të pakta, por nuk janë edhe të palodhshme, por edhe nuk janë të lehta, që ta drejtoj këtë subjekt që për mua është thesar kombëtar, me një histori të begatë jo vetëm të këtyre 20 viteve të fundit, por edhe të gjeneratave të më hershme. Sigurisht që është përgjegjësi, por jo i vetëm, sepse punët e mira nuk arrihen vetë. Të gjitha këto të arritura që janë për shqiptarët sot, unë nuk i kam bërë vetë, edhe pse kam qenë në krye të krye të BDI. Këto janë rezultat i kontributit të të gjithë shqiptarëve, aktivistëve, liridashësve, patriotëve.”

Flet për herë të parë inxhinieri që u shkarkua pas denoncimeve për 5 formularë të ndryshëm për pallatet e dëmtuara nga tërmeti

Historia e të enjtes në “Opinion” ishte ajo e një personazhi që ka lënë një shije jo të mirë këto ditë në Shqipëri. Bëhet fjalë për Agim Seranajn. Profesor i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, i cili zbuloi që në momentet e emergjencës, problematika që vinte nga organizimi shtetëror ishte shumë e madhe, sidomos formularët që merreshin me përcaktimin e pallateve, nëse kishin ose jo probleme.

Ai denoncoi 5 tipe të ndryshme formularësh dhe pati një lloj angazhimi publik, jo vetëm në televizion, jo vetëm në emisionin “Opinion”, por në të gjitha studiot televizive.

Për këtë u shkarkua nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, nga pozicioni i tij si Zv/dekan.

Gjatë prezantimit të kësaj interviste, gazetari Blendi Fevziu tha se kjo nuk është historia e parë e këtij lloji, por natyrisht tha ai, të shkarkosh një person për angazhimin e tij publik është më shumë sesa e shëmtuar.

“Njëri vë shenjë kryq të kuq. Njëri vë shenjë blu, që nuk e kam mësuar as çfarë do të thotë. Kurse kjo… Ja çfarë janë shqiptarët kur i lë pa sistem. Kjo fletë, e vendosur për të siguruar hyrjen e banorëve, e dini çfarë prodhon truri në panik? Ju shkon në mendje ju që shkojnë natën e shkulin dhe ia ngulin pallatit të vet? Ju shkon në mendje ju? Ngjyrë e kuqe është kjo, ngjyrë e kuqe ka këtu, në këtë format, në konkluzionin ku thotë e kuqe e pabanuar. Këtu, mund të jetë e kuqe kjo, po u shoqërua me ngjyrë, që nuk duhet banuar, ose duhet banuar, se ka idenë ky. Ka lloje-lloje të kuqesh…”

Vetëm pak ditë pas këtyre deklaratave të pedagogut dhe konstruktorit Agim Seranaj në emisionin “Opinion”, një letër që mban firmën e dekanit Neritan Shkodrani, e shkarkon atë nga detyra si zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Në një intervistë për “Opinion”, Seranaj thotë se nuk ka një arsye për këtë vendim.

“Jo nuk kam arsye, sepse arsyen që do të kisha do ta lexoja tek vendimi. Dhe tek vendimi nuk ka ndonjë arsye, kështu që unë nuk e di akoma kush do të ketë qenë arsyeja dhe pres ta mësoj edhe unë. Në vendim është një nen atje i ligjit të Arsimit të Lartë, i cili thotë që dekani emëron dhe shkarkon zëvendësdekanin. Sipas procedurave që i përcakton statuti i Universitetit. Pastaj kur i kthehesh statutit të Universitetit, atë nenin e statutit, ajo në fakt nuk detajon asgjë. Dhe ajo thotë të njëjtën gjë, që dekani emëron dhe shkarkon zv/dekanin”.

Pra nuk ka një motivacion të specifikuar…

“Jo nuk ka, nuk ka akoma. Unë shpresoj dhe uroj që kjo të ketë qenë një lapsus, ose një nxitim, nuk e gjej dot se ç’mund të ketë qenë. Sepse të drejtën në fakt për të gjetur bashkëpunëtorin edhe për emëruar apo dhe shkarkuar le ta ketë, por ka procedura të akteve administrative. Do të thotë minimalisht duhet ta kishte bërë një bisedë, duhet të ishte shprehur përse arriti deri tek kjo, sepse ndoshta ndonjë keqkuptim mund të ketë patur dhe nëse do të kishim bashkëbiseduar mjafton edhe 55 minuta kohë, mesiguri nuk do ta kishte bërë. Unë shpresoj do ta anulojë ai atë. Mbase vetë jo në fakt, sepse nuk e ka të lehtë. Po nuk është vendim final. Vendimi final për këtë punë e merr institucioni i Drejtorit nga Rektori dhe kjo punë tani mesiguri po trajtohet edhe nga Rektori, sepse në takimet që kemi bërë, edhe Rektori është ndjerë i habitur, i çuditur dhe nuk e ka mirëpritur në fakt këtë vendim kaq të shpejtë dhe të prerë dhe të paparashikuar, pa asnjë lloj sinjali. Kështu që unë kam depozituar atje një kërkesë tani, që pres ta trajtojë Rektori, edhe do marrim përgjigje dhe do shohim a ka arsye dhe a qëndrojnë? A janë zbatuar procedurat? A është i drejtë vendimi i dekanit? Do ta zbardhë mesiguri institucioni”.

Me një përvojë më shumë se 20 vjeçare në mësimdhënie dhe në projektimin e më shumë se 1 mijë konstruktioneve, inxhinier Seranaj bashkë me kolegët e tij qenë ndër të parët specialistë që u përfshinë në procesin e inspektimeve të dëmeve, në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Na qëlloi që ne duhet të bëheshim, nga profesionet tona, më të prekurit prej kësaj gjëje dhe më aktivët për t’u përballur me këto fatkeqësi. Kështu që, që ditën e parë ne jemi organizuar në grupe pune profesionale për të bërë vlerësimet e dëmeve dhe për të orientuar njerëzit se ç’duhet të bëjnë”.

Përtej specialistit, inxhinieri zbulon nga këto përvoja edhe një ndjesi njerëzore.

“Eksperienca e jonë, le të themi, bëri që të paktën të kishim guximin që në minutat e para që profesionalisht të mos kishim merak, ta lëshonim me shkrim atë që shihnim dhe atë që duhet të vlerësonim, shkallën e dëmtueshmërisë dhe qëndrimin ndaj banorëve që duhej apo nuk duhej të banonin në ambientet e tyre. Kurse emocioni i fuqishëm shpirtëror erdhi kur ne u përballëm me objektin e parë të dëmtuar në Kënetë. Ne shkuam në një objekt 12 katësh, ku që nga jashtë kur po i afroheshim, dukeshin sesa të dëmtuara ishin fasada, muret e rrëzuara, edhe kjo më bëri që unë të guxoj të ngjitem duke u futur nëpër shkallë, jashtë kushteve teknike, nuk më shoqëroi dot asnjë nga ata të grupit dhe më kritikuan se përse e bëre këtë. Mirëpo kjo më bëri mua që të shoh më shumë dëmtimet dhe të ndjej më fort, të prek sesi ata njerëz, në atë rrëmujë gërmadhash që ishin krijuar nëpër shkallë, të kenë kaluar pa u dëmtuar, nëse nuk ishin dëmtuar, e pa u gjymtuar, nëse nuk ishin gjymtuar, sepse informacion nuk kishim se çfarë ka ndodhur me këtë godinë. Ndoshta truri perceptonte që diçka do të ketë ndodhur, edhe me ecjet nëpër këto gërmadha të krijuara. Kur unë po ngjitesha në katin e dytë, një banor, që merrte ç’mund të merrnin, se kishte njerëz që edhe merrnin, ngjiteshin e zbrisnin, më tha: Të lutem hajde të shikosh shtëpinë tim. Kur kam shkuar tek shtëpia e tij bashkë me të, shtëpia nuk kishte më mure, të gjitha ambientet, dhomat, ishin të bashkuara, sepse kishin rënë të gjithë muret ndarëse. Në të njëjtin kohë shihje copa muresh të rëna mbi jastëkët martesorë dhe në të njëjtën kohë kur kaloje pak këndin e vështrimit, shikoje edhe mbi krevatet e jastiqeve të fëmijëve. Këto i shihje në një sekondë të gjitha, që mu desh mua 2 minuta t’i tregoj. Kjo bëri që lotët të të shpëtojnë”.

Por ndërsa pret që rektori të mos pranojë shkarkimin e tij nga ana e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë, Agim Seranaj vijon të jetë aktiv. Sëbashku me specialistë të tjerë, ata synojnë të ndihmojë në tejkalimin sa më shpejt të situatës së krijuar për tërmetin e 26 Nëntorit. Përmes një platforme konkrete për menaxhimin e situatës.

“Pak nga pak ne kemi diskutuar midis nesh, deri në rektorat, shumë herë, që të guxonim, të merrnim rolin e liderit për ta menaxhuar gjithë procedurën e rindërtimit. Kjo punë po bëhej jo vetëm nga Universiteti, por edhe nga Shoqata Shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë, kështu që u bashkuan forcat e të dyja institucioneve kryesore, edhe doli një produkt më datë 18, të cilin ne ia kemi dërguar zotit Kryeministër. Ia kemi dërguar edhe për dijeni Presidentit. Ne tani kemi shpresën që do të kontribuojmë më shumë nëse vërtetë diçka, në mos e gjithë e asaj që ne kemi propozuar, sesi ta marrim përsipër, sesi të guxojmë edhe sesi të menaxhohet nga pikëpamje tekniko-profesionale gjithë ky proces, që të dalin të nderuar të gjithë, shtet, qeveri, universitet, shoqatë, e të gjithë aktorë, mesiguri do të t’ia dalim mirë, faqebardhe asaj pune”.

Kush janë personazhet e vitit 2019 sipas “Opinion”

Doktor Mentor Petrela, një nga emrat më përfaqësues të mjekësisë shqiptare.

Eliza Hoxha, këngëtare dhe arkitekte, tani deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.

Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër, qëndroi në krye të protestave politike me shpirtin e saj luftarak.

Armand Duka, president i FSHF-së, pas përfundimit të stadiumit “Air Albania”.

Eneda Tarifa, fituese e festivalit “Kënga Magjike 2019” me këngën “Ma zgjat dorën”.

Marin Mema, gazetar. Nismë për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit, grumbulloi fondin 1.6 milionë dollarë.

Artan Hoxha, gazetar i kronikës i njohur për burimet dhe shpejtësinë e informacionit.

Luljeta Bozo, inxhiniere ndërtimi, gjatë ditëve të tërmetit ishte e para që i dha kurajo qytetarëve, i mësoi që mund të përballojnë edhe fatkeqësitë natyrore nëse janë të përgatitur të përballen me to, tregoi se dija, kultura, arsimimi mbeten thesare të çmuar dhe të pazëvendësueshëm.

Agim Seranaj, pedagog dhe inxhinier i njohur në fushën e ndërtimit që pas tërmetit të 26 nëntorit është angazhuar për vlerësimin dhe riparimin e objekteve të dëmtuara.

Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm i Kosovës, dhuron 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Ali Ahmeti, kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut.

/tvklan.al




Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:43 26/12/2019