Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar protestoi për 4 orë kundër Qeverisë, duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë zgjedhje të parakohshme. Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë me fjalimin e kryetarit të Partisë Demokratike dhe më pas u zhvendos tek Parlamenti, aty ku pati përleshje mes policisë dhe protestuesve, u hodh gaz lotsjellës dhe një automjet i parkuar u shkrumbua nga flakët e zjarrit. Në përfundim, protesta u mbyll në selinë e Partisë Demokratike, sikurse është bërë traditë, ku Lulzim Basha mbajti fjalimin e fundit.

Ora 22:20 – Përfundon pas 4 orësh protesta e Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare.

Ora 22:10 – Lulzim Basha në selinë e PD:

“Ju morët me vete dhe bashkuat në këtë protestë dritën e shpirtit tuaj dhe ndriçuat rrugën, shtegun e shpresës, i cili do të kalojë vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme që do t’i rikthejnë vendit Parlamentin legjitim. Sot ju keni vulosur largimin e Edi Ramës si kusht i panegociushëm për qeveri tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata u munduan ta shpërndanin këtë protestë akoma pa filluar, me lajme të rreme, me terror, me makinerinë e poshtër të propagandës. Nuk ia doli dot. Qeveria kriminale e Edi Ramës, e cila mbahet me forcën dhe paratë e krimit dhe të oligarkëve, sot u soll edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, fëmijëve e të rinjve. Asnjë veprim i kundërligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet nuk kanë për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran”.

Ora 22:00 – Protestuesit i drejtohen selisë së Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha do të mbajë fjalën përmbyllëse.

Ora 21:55 – Thirrja e Policisë së Shtetit me megafon:

“Të nderuar qytetarë

ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë. 

Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë. 

Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë.

Të nderuar organizatorë të tubimit m

errni masa të menjëhershme që protestuesit që kanë mbuluar fytyrën me shall dhe maska, të zbulojnë menjëherë fytyrën ose të largohen nga protesta.

Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të Policisë”.

Ora 21:51 – Hidhet gaz lotsjellës në drejtimin ku ndodhet Lulzim Basha me protestuesit.

Ora 21:45 – Protestuesit hedhin flakadanë, policia kundërpërgjigjet me gaz.

Ora 21:41 – Partia Demokratike deklaron:

“Nuk janë protestuesit ata që i kanë vënë flakën makinës tek Parlamenti. Ajo ishte e vetmja makinë e lënë në zonën e zbrazur nga çdo automjet tjetër përveç atyre të Policisë dhe të medias. Kjo do të thotë se makina është lënë nga vetë policia, që ta digjnin vetë dhe të akuzonin protestuesit për zjarrvënie”.

Ora 21:36 – Policia hedh disa herë gaz lotsjellës. Zjarrfikësja shuan flakët e makinës së djegur.

Ora 21:23 –  Policia hedh përsëri gaz lotsjellës.

Ora 21: 16 – Digjet një makinë tip Fiat pranë Parlamentit. Dyshohet se i përket një efektiveje të policisë.

Ora 21:13 – Elisa Spiropali në Twitter:

“Janë aq të verbuar nga dëshpërimi prej humbësish, sa edhe po ta mësyjnë non-stop, nga 10 herë në ditë 10 vjet rrjesht Kryeministrinë dhe Parlamentin, e vetmja gjë që do marrin në këmbim është mesazhi ngushëllues i Berishës për protestën më të madhe në botë!”

Ora 20:57 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaron se 5 efektivë policie janë plagosur si pasojë e akteve të dhunës para Parlamentit.

Ora 20:52 – Sali Berisha:

“Pushteti është i qytetarëve. Qeveria po vazhdon zakonin e vet, po vjedh, por shumë shpejt do t’i vjellë ato që ka vjedhë. Protesta e sotme i tregoi botës se shumica e shqiptarëve është në kryengritje. Është kryengritje kjo, nuk është protestë. Revolucion demokratik me elementë të mosbindjes civile”.

Ora 20:50 – Protestuesit djegin goma para Parlamentit.

Ora 20:44 – Policia hedh përsëri gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Ora 20:36 – Sërish hidhet gaz lotsjellës para Parlamentit.

Ora 20:25 – Kryeministri Edi Rama në Twitter:

“Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”.

Ora 20:24 – Policia hedh sërish gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Ora 20:14 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një postim në rrjetet sociale teksa ka postuar foto të një efektivi të lënduar, dënon dhunën në protestën e opozitës dhe thotë se autorët do të mbajnë përgjegjësi.

Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”

, shkruan Lleshaj në një postim në Twitter.

Ora 20:00 – Protestuesit shpërndahen nga gazi lotsjellës i hedhur në masë. Policia thirrje protestuesve të mos bëjnë akte dhune.

Ora 19:58 – Përplasje mes policisë dhe protestuesve, hidhet gaz lotsjellës.

Foto tvklan: Lulzim Basha dhe Sali Berisha pas hedhjes së gazit lotësjellës para Parlamentit

Foto tvklan: Lulzim Basha dhe Sali Berisha pas hedhjes së gazit lotësjellës para Parlamentit

Ora 19:45 – Protestuesit mbërrijnë përpara Parlamentit.

Ora 19:30 – Lulzim Basha udhëheq turmën e protestuesve drejt Parlamentit. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka u bëri thirrje qytetarëve protestues që të ndjekin kryedemokratin Lulzim Basha në marshimin drejt Kuvendit.

Ora 19:14 – Çahet kordoni rrethues i policisë tek Kryeministria. Protestuesit qëndrojnë tek shkallët e godinës së Qeverisë.

Ora 18:45 – Lulzim Basha:

“Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e të djathtës dhe e të majtës që i thonë ndal Edi Ramës dhe bandës së tij. Ne, unë, PD e dimë fare mirë se ky mandat besimi që vjen nga Shqipëria e shumicës së grabitur shkon përtej nevojës akute për një rotacion të menjëhershëm politik. Ne e dimë se ajo që na ka bashkuar është rizgjimi kombëtar i një aspirate, për të cilën kemi sakrifikuar shumë, për të cilën kemi patur dhimbje, përparime, por edhe prapsje e zhgënjime. Por që sot është dita të mos bëjmë më kompromis. Kurrë më asgjë më pak se standardet europiane të konkurrencës, lirisë, ekonomisë që hap vende pune për shqiptarët. Me fjalë të tjera le të ushtojë nga ky muzg i Tiranës, ta dëgjojnë miliona shqiptarë, ta dëgjojë bota se nuk do të ketë kompromis me ëndrrën tonë. E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pengesa për Shqipërinë si gjithë Europa është kjo qeveri, është asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese, është mungesa e Gjykatës së Lartë garantes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë. Kjo është qeveria që u kap duke vjedhur zgjedhjet e 2017. Kjo qeveri është pengesa dhe kërcënimi numër një për demokracinë. Ju që keni ardhur në këtë shesh e dini fare mirë se me Edi Ramën nuk ka shtet, nuk ka punësim, nuk ka shëndetësi, por vetëm krim, korrupsion, dhunim të të drejtave dhe lirive tuaja, shkatërrim të perspektivës. Ndaj le t’u them sot nga ky shesh, që sot e tutje ju nuk jeni më shteti, jeni antishteti. Ju nuk jeni ligji, jeni antiligji. Që sot e tutje, shteti është sovrani i derdhur në këtë shesh, qytete, shtëpi e fshatra tona. Banda e Edi Ramës, oligarkët dhe mediat e blera nga pushteti duan t’ju bëjnë të besoni se kjo nuk është një betejë e vërtetë, por thjesht dhe vetëm një përplasje politike e radhës, që do zgjidhet me pazarin e radhës. Kjo është një gënjeshtër, por sot dua ta deklaroj unë me zërin tim në emër të gjithë partive në koalicionin tonë “Rama ik”. Ne jemi në këtë betejë jo thjesht për kalkulime politike, jemi në këtë betejë për ju pavarësisht bindjeve politike. Ne jemi bashkë për të varrosur fenomenin Rama. Kushti i panegociueshëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën. Asgjë më pak se standardet europiane. Një popull i tërë i bashkuar për të drejtat dhe liritë themelore, për mirëqenie nuk mund të mbahet peng as nga Edi Rama, as nga banditët e tij, as nga horrat me uniformë. Ju bëj thirrje vëllezër dhe motra të Policisë së Shtetit, hidhni kapelet e bashkohuni me ne. Dëgjojeni mesazhin e popullit, liri a vdekje, demokraci a vdekje”.

Ora 18:30 – Lulzim Basha del nga selia e Partisë Demokratike.

Ora 18:00 – Opozita e bashkuar ka nisur protestën përpara Kryeministrisë. Qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi kanë mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare.

Rreth 1 mijë forca policore janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në perimetrin përreth Kryeministrisë janë vendosur gardhe metalike. Protestuesit mbajnë çadra me sloganin “Rama ik”.

Janë mbi 1 mijë çadra të printuara me këtë thirrje. Para Kryeministrisë ndodhen edhe protestues me portretin e Kryeministrit Edi Rama. Kjo është protesta e 3–të kombëtare në 2 muaj dhe e 9-ta, bashkë me protestat tek Parlamenti. 

/tvklan.al