Takimin e parë me aktorët, regjisorët e tetarit dhe të kinemasë për shembjen apo rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisi me sqarimin për projektligjin e Ministrisë së Kulturës, që propozon një procedurë të veçantë për realizimin e projektit urban dhe të godinës së re te Teatrit Kombëtar.

Mos cenimi i asnjë centimetër nga sipërfaqja që i përket Teatrit Kombëtar ku bën pjesë edhe ai Eksperimental Kujtim Spahivogli është pika ku aktorët dhe regjisorët janë në një mendje. Idetë e tyre ndahen tek e ardhmja e godinës. Për disa ajo duhet të shpallet monument kulture, për të tjerë të zëvendësohet nga një e re bashkëkohore.

Të nxituara dhe jo transparente u cilësuan nga artistët veprimet e qeverisë që nga prezantimi i ide-projektit për Teatrin e ri Kombëtar nga kryeministri Edi Rama e deri te projektligji i fundit hedhur për diskutim nga Ministria e Kulturës.

Në kësi shumëllojshmëri propozimesh, oferta e kryebashkiakut ishte krijimi i një përfaqësie artistësh për pjesëmarrje në çdo diskutim apo vendimmarrje për të ardhmen e Teatrit Kombëtar. Kryebashkiaku foli për të tjera takime me ekspertë ligjorë dhe të urbanistikës dhe kërkoi që ta merrnin më me sportivitet vendimin e tij për t’ia dhënë fjalën artistëve dhe jo atyre, siç ai thotë se e kaloi incidentin me vezë në hyrje të godinës ku u mbajt dëgjesa.

Tv Klan