Liverpulit i është dashur të presë pjesën e dytë të ndeshjes për të marrë një fitore me “poker” golash, 4-0 përballë Southampton dhe për të vendosur një rekord për futbollin anglez.

Djemtë e drejtuar nga Jurgen Klopp regjistruan kështu fitoren e 24 në 25 javët e para dhe dërgojnë në 22 pikë epërsinë ndaj ndjekësit më të afërt, Manchester City.

Gjithsesi, kampionët kanë në dorë fatin për ta ulur në minus 19 pikë këtë distancë, gjithnjë nëse fitojnë pasditen e sotme sfidën kundër Tottenham Hotspur. Sa i përket takimit të të kuqve, Oxlaid Chamberlain zhbllokoi shifrat me një goditje në hyrje të zonës. Pak minuta më vonë Salah shënoi, por goli u konsiderua i parregullt. Megjithatë, egjiptiani rregulloi shënjestrën, teksa pas golit për 2-0 nga Henderson shënoi një dopietë personale, duke e dërguar në 14 numrin e golave në këtë edicion, 3 më pak se Jamie Vardy që kryeson këtë klasifikim. /tvklan.al