Leeds ndal në barazim kampionët, komplikohet misioni për në Champions League

Liverpool nuk ka përfituar nga rezultatet e rivalëve në Premier League dhe pas tre fitoreve radhazi janë ndalur në barazim 1-1 nga Leeds United. Kampionët kaluan në avantazh pas gjysmë ore lojë me anë të Sadio Mane.

Senegalezi përfitoi nga një pasim i artë i Aleksandër Arnold për të tundur rrjetën. Mbrojtësi nxori jashtë loje portierin kundërshtar dhe me një prekje shërbeu për Mane, që shënoi për 0-1.

Kur u mendua se miqtë morën 3 pikë me vlerë në një transfertë të vështirë, ishte Llorente ai që shënoi për Leeds, duke barazuar shifra në 1-1, rezultat që mbeti në fuqi deri në fund.

Një pikë që i shërben shumë Leeds, e cila konsolidon pozitat në mesin e tabelës së klasifikimit. Ndërkaq ky barazim ia bën akoma dhe më të vështirë misionin Liverpool-it, që synon kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Kur kanë mbetur edhe 6 javë, Liverpool gjendet në vendin e 6-të me 53 pikë.

Klan News