Kryeministrja britanike thotë se nuk e konsultoi me kabinetin vendimin që tronditi tregjet

Kryeministrja britanike Liz Truss u shfaq duke bërë një “Mea Culpa” gjatë një interviste televizive. Ajo i tha gazetares së BBC se duhet të kishte testuar më mirë terrenin për mini-buxhetin e firmosur nga kancelari Kuasi Kuarteng, i cili tronditi tregjet dhe solli rënien e paundit.

“Ekziston një çështje që normat e interesit po rriten në mbarë botën dhe ne duhet ta përballojmë këtë. Por unë dua t’u them njerëzve, i kuptoj shqetësimet e tyre për atë që ka ndodhur këtë javë. Dhe po, i qëndroj paketës që kemi shpallur. I qëndroj faktit që e shpallëm shpejt sepse duhej të vepronim. Por unë e pranoj se duhet ta kishim parë më mirë terrenin. E pranoj këtë dhe kam mësuar nga kjo. Do të sigurohem që në të ardhmen të bëjmë një punë më të mirë”.

Truss tha gjithashtu se kabineti i saj nuk ishte informuar për heqjen e normës së lartë të taksave, duke shtuar se ishte një vendim i marrë nga kancelari Këasi Këarteng.

“Jo, ne nuk e bëmë, ky ishte një vendim që mori kancelari. U angazhova gjatë fushatës së lidershipit për ta bërë sistemin tonë më konkurrues, për të ulur taksat dhe për të thjeshtuar taksat tona. Dhe mendoj se kjo është thelbësisht e rëndësishme. Kur hartohen buxhetet, ato zhvillohen në një mënyrë shumë konfidenciale”.

Kryeministrja hezitoi kur u pyet se sa njerëz kishin votuar për planin e saj ekonomik, duke thënë më në fund se njerëzit kishin votuar për “rritje, sipërmarrje dhe mundësi” në zgjedhjet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar në 2019. Por ajo shtoi se ishte e drejtë rritja e huamarrjes publike për të ndihmuar njerëzit për shkak të faturave të larta të energjisë, rritjens së inflacionit dhe pasojave të Covid.

Deklaratat e Truss sollën reagime edhe brenda laburistëve, një pjesë e të cilëve e kritikojnë atë për “eksperimentin e çmendur” me ekonominë.

Klan News