Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka bërë akuza të forta ndaj Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu në një letër që i ka nisur Kongresit Amerikan në Maj të vitit 2017. Përveçse e akuzon për lidhje me fondacionin Soros në Shqipëri dhe për ndërhyrje në hartimin e Reformës në Drejtësi, Llalla thotë se që në Maj të 2015-ës, në një takim që kishin pasur mes tyre, Lu i ka kërkuar të arrestojë Ilir Metën, në atë kohë Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë.  

“Në mënyrë jo diplomatike dhe kundër çdo norme të parashikuar nga Konventa e Vienës, ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm të arrestonte Kryetarin e Kuvendit, njëkohësisht kreun e LSI-së, Ilir Meta. Në vlerësimin e zotit Lu, Kryetari i Parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi. Arrestimi i tij i mundshëm do të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar më shpejt në Bashkimin Europian. Një kërkesë e tillë, krejtësisht e papërgjegjshme, e detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpresë takimin, duke shpjeguar se arrestimi i çdo personi, duke përfshirë edhe zyrtarët, bëhet vetëm në bazë të provave”.

Ka reaguar menjëherë pas publikimit të kësaj letre, Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili thotë se kjo është një gënjeshtër absurde dhe se ish-Kryeprokurori Llalla është një zyrtar publik i korruptuar që rrezikon të shkojë në burg.

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe i diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që ai vazhdon të flasë kundër Reformës në Drejtësi, sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij. Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”.

Edhe në të kaluarën ish-Kryeprokurori Llalla dhe Ambasadori amerikan Lu janë përplasur publikisht me akuza të ndërsjella. Lu e ka akuzuar ish-kreun e akuzës për pengim të Reformës në Drejtësi, ndërsa Llalla për ndërhyrje në punët e Prokurorisë. Në Shkurt të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi t’i ndalojë Llallës hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e akuzuar për përfshirje në afera korruptive. Edhe Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim ndaj Llallës për 4 akuza, mes të cilave për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Tv Klan