Kukës- Në takim me një grup maturantësh, në kuadër të Ditës në Qark, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë dhe Komunitetit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike.

“Nëse ne duam të ndërtojmë një shoqëri të sigurt, një shoqëri ku njeriu të ndihet mirë, duhet që policia të jetë pjesë e komunitetit. Dhe që të ndodhë kjo, policia duhet të përfshihet”,

u shpreh ministri.

Ai e konsideroi sfidë çështjen e sigurisë publike dhe detyrë kryesore të Policisë së Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka parandalimi i krimit përmes bashkëpunimit me qytetarët. Në këtë kontekst, Lleshaj përmendi mundësinë që të rinjtë e gjithë qytetarët, të denoncojnë në Polici edhe nëpërmjet aplikacionit “Komisariati Dixhital”.

Ministri i ftoi gjimnazistët ta shohin si mundësi konkrete bashkimin me Policinë e Shtetit.

“Policisë i duhen të rinj e të reja. Kështu që është shumë e rëndësishme që ju të mendoni për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit në role të ndryshme. Për arsye se s’mund ta kërkojmë sigurinë që të na vijë nga të tjerët. Nuk mund të themi që – jo unë për vete nuk përfshihem, por sigurinë e dua. Sigurinë duhet ta ndërtojmë së bashku. Por në të njëjtën kohë duhet të jeni të bindur që përfshirja në Policinë e Shtetit është e lidhur me sfida të jashtëzakonshme”,

u shpreh Lleshaj.

Në përgjigje të interesit të gjimnazistëve, për problematikat në infrastrukturën rrugore, ministri deklaroi se po kryhen investime, por njëkohësisht duhet korrigjuar edhe sjellja e përdoruesve të rrugës. “Ka nevoja të jashtëzakonshme për investime në infrastrukturë, sinjalistikë. Përpjekje po bëhen, por në fakt duhen bërë paralel, duhet edhe sjellja jonë të ndryshojë. Duhet të bëjmë investime te sjellja jonë si drejtues mjetesh, por edhe si këmbësorë”, nënvizoi ai.

Në lidhje me sigurinë në shkolla, z.Lleshaj sqaroi se ka një projekt specifik në kuadër të programit “Policimi në Komunitet”.

Sa i përket dhunës në familje, ministri u shpreh se atë e ushtrojnë të dobëtit, por këta elementë duhen izoluar sa më parë.

“Një brez i ri mund të ndryshojë botën, jo të ndryshojë një raport me një polici ndoshta që është i papërgjegjshëm. Nëqoftë se do të thosha vetëm një fjali për policinë, është kjo: – Po ndërtuam marrëdhënie besimi me qytetarët, ne e kemi realizuar misionin tonë. Gjithçka më pas është shumë, shumë e thjeshtë. Krejt puna është të ndërtohet ky besim. Që të ndërtosh besimin, duhet të punosh fort, ta meritosh. Dhe tani është radha jonë. Detyra e Policisë është që të përshtatet me qytetarët dhe të ndërtojë një marrëdhënie besimi. Por ju lutem mos hezitoni për të ndjekur çdo rrugë. Dhe mos prisni që dhuna të vijë te ju. Duhet të shqetësoheni kur dhuna shkon te një tjetër, që s’e keni gjë fare. Te ajo shoqja e klasës me të cilën ndoshta s’ke lidhje fare, ose te komshiu a komshija. Nëqoftëse luftoni për të tjerët, dijeni që po luftoni më shumë për vete.”

Në lidhje me parametrat e sigurisë në tërësi, ministri Lleshaj pohoi se Shqipëria është vend i sigurt.

“Kontaktet janë e vetmja gjë, që bën që Policia dhe publiku ta kuptojnë njëri-tjetrin si një komunitet, pjesë e të njëjtit komunitet. Zakonisht dhe, për fat të keq edhe për shkak të historisë sonë, ne kemi tentuar që Policinë ta shohim si pjesën që ka detyrë të na kufizojë, ndëshkojë, gjobitë, dënojë, lidhë etj. Nga ana tjetër Policia e ka konsideruar publikun në mënyrë indiferente dhe është marrë vetëm me pjesën e keqe, ku janë ata njerëzit me probleme, kandidatët e mundshëm për të bërë krime, kriminelët e mundshëm, ose ata që janë ndërkohë kriminelë. Në fakt Policia, në botën demokratike, duhet të merret me qytetarët së pari. Pastaj me ata që janë problematikë, por jo vetëm me problematikët”,

shtoi ministri./tvklan.al