“Ne do ta thellojmë luftën kundër kultivimit ilegal të kanabisit”

Sandër Lleshaj deklaroi se lufta ndaj kanabisit do të thellohet edhe nëse legalizohet për përdorim mjekësor. Për Ministrin e Brendshëm, kultivimi ilegal i kanabisit dhe legalizimi për përdorim mjekësor i tij janë dy gjëra të ndryshme.

“Sa i përket kanabisit lufta kundër aseteve kriminale dhe lufta kundër kanabisit janë dy instrumentet që tkurrin krimin në vend. Për kanabisin, legalizimi i tij është një çështje që nuk ka të bëjë me krimin. Sot OKB mori vendimin për ta deklasifikuar si lëndë narkotike. Çfarë themi ne, këto janë dy çështje që nuk takojnë asgjëkundi me njëra-tjetrën. Ne luftën kundër kanabisit, pra kultivimit ilegal të kanabisit do ta thellojmë edhe nëse nesër Shqipëria do ta legalizojë për përdorim mjekësor sepse janë dy çështje që nuk preken asgjëkundi me njëra-tjetrën”.

Lleshaj pranoi këtë të enjte në emisionin “Opinion” se për legalizimin e kanabisit në vend ka nisur një proces, por që është ende në diskutim. Ai tha se është vënë në dijeni të kësaj gjëje, por nuk ka gjetur asnjë argument që ta kundërshtojë legalizimin e kanabisit.

“Çdo vendim që merret për çështje të tilla i nënshtrohet një procesi kolegjial ku ministri pyetet patjetër sepse do të merret një vendim qeverie dhe ministri do të votojë për atë çështje. Unë  nuk kam gjetur, jam përpjekur të gjej argument kundër në fakt, por nuk kam gjendur. Ka një proces që mesa di unë nuk është në shpejtësinë maksimale. Është një çështje e pambyllur akoma, në diskutim”. /tvklan.al