Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot në Gjirokastër për të prezantuar skuadrën “Shqiponja”. Lleshaj është pyetur për asgjësimin e 1 mijë bimëve narkotike në Gjirokastër nga ana e SHÇBA-së dhe nëse ka patur oficerë policie të përfshirë. Lleshaj tha se ndërhyrja e SHÇBA-së në këtë aksion synon edhe të identifikojë punonjësit e policisë që nuk kanë kryer detyrën.

Zoti Lleshaj dy ditë më përpara SHÇBA-ja në Gjirokastër ka asgjësuar 1000 bimë narkotike. Ku ka qenë Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës lidhur me zbulimin e parcelave? Madje janë pezulluar edhe punonjës policie.

Ministri Lleshaj: Sigurisht që SHÇBA-ja punon vetëm, punon edhe bashkë me strukturat e policisë. SHÇBA-ja ndërhyn dhe duhet të keni parasysh që një ndër masat dhe mënyrat e ndjekura nga ne, për ta goditur fenomenin, ka qenë edhe goditja e personave të padenjë brenda policisë. Dhe kur angazhohet SHÇBA-ja sigurisht që synohet që  edhe të identifikohen punonjës që nuk kanë kryer detyrën me veprime, apo siç ndodh shpesh me mosveprime, dhe mosangazhim në raste të shkëputura. Por gjithsesi janë raste të shkëputura që provojnë seriozitetin tonë që provojnë që ne i përdorim të gjithë instrumentet për ta luftuar këtë fenomen. Sepse ky fenomen ka qenë një mallkim për vendin tonë që ka prodhuar krim, dhe po nuk e çrrënjosëm thellë ne nuk kemi bërë punën. Por ne jemi të angazhuar për ta bërë thellë këtë punë.

Sa i përket fenomenit të kanabisit në Shqipëri, Lleshaj insiston se kjo çështje nuk është më një problem madhor, megjithatë, sipas tij, do të ketë tentativa për të kultivuar bimë narkotike. Ministri i Brendshëm ka siguruar se shanset janë pothuajse inekzistente që të përhapet në masë kultivimi i kanabisit.

“Unë e kam ndarë mendjen dhe kam thënë që Shqipëria nuk ka kanabis në kuptimin e një plage të madhe shoqërore, siç jemi mësuar ta kemi. Sigurisht që tentativa për të mbjellë do të jetë për sa kohë të ketë njerëz. Por është po aq e sigurtë që fenomeni është këputur në mes dhe nuk mund të ngrihet më në këmbë. Këtë e provojë shifrat, këtë e provojnë dy indikatorë që unë i mbaj në ndjekje përditë. Sasinë e lëndës narkotike që kapet në brigjet përballë, në Itali, apo në Greqi, apo në vende të tjera, e cila ka shkuar pothuajse drejt zeros. Dhe po ashtu ndiqen dhe tregues të tjerë që na provojnë që kanabisi është goditur dhe këputur në mes. Sigurisht ka tentativa të izoluara, të shkëputura, në zona shumë të thella të cilat po ndiqen këmba-këmbës, falë një angazhimi madhor të Policisë së Shtetit. Dhe mundësitë për një riaktivizim, për një ringjallje apo për agravim të situatës janë zero. Pra, kjo është që mendja është e ndarë, fenomeni është inekzistent si fenomen”. /tvklan.al